web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zbardhen bisedat në SkyECC/ Franc Çopja i ofroi 5 mln euro për kokën e ‘Krymit’, kush është Flobens Meçja, u kap me 'Akilin'

23 Maj 2025, 12:55, Kronika CNA

Zbardhen bisedat në SkyECC/ Franc Çopja i ofroi 5 mln euro për

Flobens Meçja është mes 7 personave të arrestuar gjatë një aksioni policor në një restorant në Gjirin e Lalëzit, teksa ndodhej në tavolinë me të shumëkërkuarin tjetër të policisë Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën Akili, që ishte arratisur në janar 2025 nga burgu i Ankonës në Itali, shkruan "Panorama".

43-vjeçari Flobens Meçja alias Gega alias Drini ishte shpallur në kërkim nga SPAK pasi ndaj tij u cakutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje.

“Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje”, njoftoi policia.

Por kush është Flobens Meçja?

43-vjeçari nga Shkodra u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Emrin i tij del në disa biseda në SkyEcc me Franc Çopjën, i cili i ofron 5 milionë euro për vrasjen e Erion Alibejt, i njohur me nofkën “Krymi”.

Gjithashtu i ofron nga 1 milion euro për vrasjen e shtetasve Arjan Spahiu, Aldo Baho dhe shtetasit Ilir Lloshi, të cilit i referohen me pseudonimin ‘Liçe’, ku Flobenc Meçja është shprehur i gatshëm të kryejë vrasjet.

Por Franc Çopja nuk ishte i kënaqur vetëm me ekzekutimin e Endrit Alibejt. Ai kërkonte në tavë edhe kokën e vëllait të këtij të fundit, Erion Alibej, për të cilin ai ishte i gatshëm të paguante dyfishin e çmimit që kishte paguar për të vrarë ‘Tarzanin’, sikurse i drejtoheshin ndryshe Endrit Alibejt.

Ndoshta kjo për faktin që ‘Krymi’, Erion Alibej, pas vrasjes së të vëllait në masakrën e Bradasheshit ishte bërë shumë i rrezikshëm dhe kishte mbledhur informacion të bollshëm se kush ishin vrasësit. Po kështu kishte filluar nga puna për eliminimin e grupit që qëlloi mbi vëllain dhe të afërmit të tij në Bradashesh. Shqetësim të cilin Franc Çopja e ndien gjithmonë e më nga afër. Ku nga bisedat evidentohet se drejtuesit e Organizatës kriminale ‘Çopja’ kanë synuar eliminimin e personave që kanë ndihmuar ose kanë qenë pjesë e grupit të Alibejt me qëllim izolimin apo shkatërrimin e Erion Alibejt, duke synuar të përçojnë panik dhe frikë te njerëzit që atij i rrinë pranë. Alibej nga ana e tij pas vrasjes së të vëllait ndërmori një fushatë spastrimi dhe eliminoi të gjithë anëtarët e grupit kundërshtar, teksa kreu të paktën gjashtë vrasje.

Por nga ana e tij pësoi shumë humbje, dhe iu vranë disa nga ushtarët, por që për kokën e tij u vendosën në dispozicion miliona euro.

Çopjat ndërkohë kishin mbledhur një pasuri deri në 200 milionë euro, nga të cilat 10 milionë euro janë kriptomonedha që sot janë bllokuar, dhe sekuestruar, ashtu si dhe vila luksoze, apo investime në agroturizëm. Por po kështu kishin investuar në lingota ari në një shumë mbi 15 milionë euro.

11 gusht 2020 - Franc Çopja

‘Krymi’, është ky që kam unë probleme, Erioni nga Elbasani. Është vëllai i ‘Tarzanit’ që vdiq.

Ndërkohë që ajo që ka krisur edhe më shumë grupin janë dëshmitë përpara grupit hetues.

Sidomos të vëllait të Nuredin Dumanit, i cili del se ka qenë pjesëmarrës në ekzekutmin e Endrit Alibejt. Nuredin Dumani që tani shërben për ‘Krymin’, Erion Alibej.

24 korrik 2020 - Talo Çela bisedon me Arzen Mamën

‘Kokëçami' (Altin Ndoci) është zënë me Dashin. E ka rrahur. Janë zënë këto të dy që ka plas kjo o vlla, nuk ka lidhje.

Del vëllai i Dashit në favor të ‘Krymit’, a e kupton çfarë skandali është këtu apo s'e kupton?’

Por shuma e vënë në dispozicion për të vrarë Erion Alibejn ishte shumë e lartë se ajo që vëllezërit Çopja paguan për të ekzekutuar vëllain e tij Endrit Alibej dhe kjo shihet edhe në komunikimet në Sky Ecc, midis grupit të Çopjave ku Erion Alibej kërkohet të vritet me çdo kusht gjatë periudhës korrik-nëntor të vitit 2020. Ngjarje e planifikuar të kryhej në muajin shtator të këtij viti, në qytetin e Elbasanit, që përkon edhe me periudhën e pandemisë Covid-19.

Për realizimin e kësaj ngjarjeje janë zhvilluar biseda konkrete ndërmjet shtetasve Mikael Kamami dhe Arzen Mama, ku rezulton se organizata kriminale Çopja ofron 4 000 000 euro, për vrasjen e Erion Alibejt dhe se atentati do kryhej me lëndë plasëse eksplozive në ambientet e shoqërimit të DVP Elbasan. Informacioni për vendqëndrimin dhe vendndodhjen e saktë të shtetasit Erion Alibej do merrej nga shtetasi Martin Musaj. Nga ku del se Franc Çopja apo Gergely i ka ofruar shtetasit Flobenc Meçja, një pagesë prej 5 milionë eurosh për vrasjen e Erion Alibejt.

Si dhe nga 1 milion euro për vrasjen e shtetasve Arjan Spahiu, Aldo Baho dhe shtetasit Ilir Lloshi, të cilit i referohen me pseudonimin ‘Liçe’, ku Flobens Meçja është shprehur i gatshëm të kryejë vrasjet.

Franc Çopja bisedon me Flobens Meçjën

Flobens Meçja: ‘Më thuaj pak a shumë ku rreh pazari, se unë nuk jam vetëm?

Franc Çopja: 5 mln euro.

Flobens Meçja: Ti dashke me na nxjerrë në pension hahahha.

I joshur nga shuma e madhe e parave, siç shikohet edhe nga komunikimet në vazhdim, Flobens Meçja nuk kërkon të humbasë kohë për të vrarë, fillimisht Erion Alibejn. Për këtë arsye ai i kërkon Franc Çopjës çelësat e apartamentit të kushërirës së tij, për të parë mundësinë për ta ekzekutuar Alibejn me snajper.

31 korrik 2020

Flobens Meçja i shkruan Franc Çopjës, ku i kërkon çelësat e shtëpisë së kushërirës që ndodhet në katin e fundit.

"Nëse ka pamje të mirë atëherë do i hyj punës. Uroj që shtëpia e kushërirës të bëj punë pasi sa të vijë vjeshta do e ekzekutoj Erion Alibej. Sapo të marr snajperin do të të informoj dhe nëse distanca nga shtëpia e kushërirës është 400 metra për mua ekzekutimi i Erion Alibej nuk është problem.

Nëse xhamat e Erionit nuk janë të blinduara mund ta godasim edhe kur të jetë brenda në shtëpi".

Për të arritur qëllimin, Flobens Meçja e siguron Franc Çopjën se do marrë edhe një qitës serb me qëllim që të jenë më të sigurtë në realizimin e planit të tyre.

Gjatë bisedave Flobens Meçja i dërgon Franc Çopjas, 4 foto ku dallohet stadiumi si dhe dy ndërtesa, të cilat nga matja në distancë objektivi është shumë i lehtë për t’u arritur.

Flobens Meçja i shkruan Franc Çopjës

‘Më merr informacione nëse ka kamera tek pallati i Erion Alibej dhe tek pallati i kushërirës, kjo pasi do ta mendoj mirë planin për ekzekutimin e Erion Alibej’.

‘Po aty qenka me ja fut me tullë. O shok me aq lekë sa jep ti për këtë unë ja … hy me shtet dhe e mbaroj”.

Puna për eliminimin e Erion Alibejt bëhet gjithmonë e më e vështirë, pasi ky i fundit ka vendosur tenda në ballkonin e apartamentit të tij. Ndërsa Flobens Meçja e ka gjatë gjithë kohës në vëzhgim. Edhe pse gjatë kohës dyshon nëse preja e tij ndodhet apo jo në apartament.

6 gusht 2020 - Flobens Meçja informon Franc Çopjën

‘Erion Alibej ka vendosur tenda në tarracë dhe ka mundësi të ketë bërë ndonjë pishinë lart'.

‘Aty do kalojë ai kur del nga garazhi. S’ka ku kalon tjetër për të dalë në rrugë kryesore.

Tashi do mundohem t’i gjej çfarë makinash ka në garazh. Besoj që e lëviz ai dhëndri vet. Se s’ka besim te shumë njerëz ai’.

Por Franc Çopja duket se është shumë serioz në qëllimin e tij për të vrarë Erion Alibejn.

Për këtë arsye ai i jep edhe kaparin Flobens Meçjës, që ky i fundit të mbarojë punë.

Dosja Hetimore:

Flobens Meçja ka marrë shumën e parave në formën e kaparit nga Franc Çopja.

Ai bie dakord që me radhë të eliminohen shtetasit: Arjan Spahiu, Erion Alibej, Aldo Baho dhe Ilir Lloshi.

Franc Çopja e porosit Flobens Meçjën që personat që ka shokë nëse marrin përsipër punën (ekzekutimet e shtetasve Erion Alibej, Arjan Spahiu dhe Aldo Bajos) nuk kanë pse ta dinë që Franci është porositësi pasi sipas tij kështu bëhen punët.

Konfirmimi se Erion Alibej është gati për t'u ekzekutuar nuk vonon nga Flobens Meçja, i cili pret edhe një përgjigje të fundit nga snajperisti që mesa duket do vijë nga jashtë Shqipërie. Apo siç ai tha nga Serbia. Ndërkohë që Franc Çopja i kujton Flobens Meçjës se këto punë kërkojnë para dhe përkushtim.

Dosja hetimore:

Më datë 27 Korrik 2020, Flobens Meçja komunikon me Franc Çopjën të cilit i thotë se shoku i tij në Shqipëri është Ok me punën dhe se tani do marrë dhe konfirmimin e personit që ndodhet jashtë Shqipërisë. 'Unë them që do bëjmë ndonjë punë. Ky shoku këtu është ok. Tashi do pyes dhe atë lart. Pastaj do të them që ça do bëjmë. Do i them çmimin që më the. Po s’ka gjë që s’bëhet. Mund t’i japim edhe lekë shtetit dhe e kryejnë ato. Ka alternativa se me atë çmim që më the ti…. e vejmë drejtorin e policisë vetë ne hahahha; A kupton çfarë bën leku këtu’.

Por sipas grupi hetues edhe pse në këto komunikime shfaqet vetëm roli i Franc Çopjës, ata kanë krijuar bindjen se i përfshirë në planet për ekzekutime është edhe Hajdar Çopja, apo Bako.

Dosja hetimore:

‘Nga analizimi në tërësi i bisedave rezulton se dy vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja e kanë shpallur së bashku këtë luftë me grupin Alibej dhe ata janë bashkëfinancues dhe bashkëkrijues të organizatës kriminale’.





Lajmet e fundit nga