web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ushtria gjermane të bëhet "garante" për sigurinë evropiane

22 Qershor 2023, 15:36, Kosova & Bota CNA
Ushtria gjermane të bëhet "garante" për sigurinë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz

Para samitit të BE-së javën e ardhshme, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka mbajtur një fjalim të enjten (22.06.)në Bundestag. Sërish Scholz ka theksuar solidaritetin e pakufizuar dhe ndihmën e Gjermanisë për Ukrainën, për "sa kohë të jetë e nevojshme". "Ne qëndrojmë të palëkundur në krah të Ukrainës." Scholz kujtoi, se mbështetja civile dhe ushtarake e Gjermanisë arrin shumën e gjithsej 16,8 miliardë eurove. Qeveria gjermane është e vendosur në të njëjtën kohë të mbrojë Gjermaninë dhe Evropën, tha Scholz, i cili bëri fjalë për aftësimin e Bundeswehrit si "garante të mbrojtjes konvencionale në Evropë". Ne bëjmë gjithçka që është e nevojshme të mbrojmë sigurinë e vendit tonë dhe Evropës kundrejt çdo kërcënimi. Scholz premtoi armatimin masiv dhe të vazhdueshëm të Bundeswehrit.

Kurse në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Scholz theksoi, se nuk do të ketë anëtarësim të Ukrainës para fundit të luftës që nisi Rusia. "Qeveria ukrainase vetë e ka kuptuar, se nuk shtrohet çështja e anëtarësimit në kohën që Rusia zhvillon luftë kundër Ukrainës." Scholz ndërkohë kërkoi nga Ankaraja të heqë dorë nga bllokimi i Suedisë për anëtarësim në NATO, dhe shprehu bindjen se së shpejti edhe Suedia do të ulet në tryezë si anëtare e re.

Ushtria gjermane të bëhet "garante" për sigurinë
Scholz dhe Li Qiang

Gjermania refuzon ndryshimin me dhunë të status-quo-së në Detin Jugor Kinez

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka paralajmëruar edhe Kinën nga përdorimi i forcës në Detin Jugor Kinez dhe Tajvanin. "Të gjitha përpjekjet e njëanshme, për të ndryshuar me dhunë ose detyrim status-quo-në në Detin Lindor dhe Jugor Kinez ne i refuzojmë me vendosmëri. Kjo vlen veçanërisht për Tajvanin, tha kancelari Scholz në një deklaratë qeveritare në Bundestag. Këtë ai ia ka thënë edhe kryeministrit kinez, Li Qiang në Berlin, theksoi Scholz. Kina e sheh Tajvanin si provincë separatiste dhe nuk përjashton përdorimin e dhunës për ribashkim. Në Detin Jugor Kinez ka përveç kësaj edhe tensione mes Kinës dhe disa shteteve për shkak të mosnjohjes së pretendimeve territoriale të Pekinit. "Me shqetësim ne e ndjekim gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë dhe atë të shtetit ligjor", shtoi Scholz. Në konsultimet qeveritare gjermano-kineze të para pak ditëve kjo ka qenë pjesë e bisedimeve.

Nga ana tjetër, Scholz theksoi se Gjermania dhe vendet perëndimore nuk duan shkëputjen e plotë nga Kina, por duan të reduktojnë varësitë. "Askush nga ne nuk do të pengojë zhvillimin ekonomik të Kinës." Sepse Kina luan një rol vendimtar në sigurinë e furnizimit me ushqime në nivel global, ndihmat për vende të zhytura në borxhe, investime në teknologji të së ardhmes, luftën kundër varfësirë dhe ndryshimit të klimës. Scholz tha se do të informojë për konsultimet gjermano-kineze edhe samitin e BE javën e ardhshme. Në lidhje me kritikat për rrugën më vete të Gjermanisë në politikën ndaj Kinës, Scholz tha se ka rënë në ujdi paraprakisht me partnerët në BE para konsultimeve qeveritare.

Ushtria gjermane të bëhet "garante" për sigurinë
Ministrat e Brendshëm të BE kërkojnë kompromis në Luksemburg

Scholz mbron kompromisin për azilin

Në fjalimin qeveritar, kancelari Scholz mbrojti vendimet e BE në lidhje me politikën e azilit, që parashikojnë një kurs më të ashpër të BE për azilin. Kompromisi për azilin e lehtëson Gjermaninë. "Ky është një kompromis historik që tregon, se BE mund të tejkalojë diferencat edhe në çështjet më të debatueshme." Por Scholz bëri fjalë edhe për korrigjime të ujdisë. "Ne do të kujdesemi që ujdia të përmirësohet, deri sa të vendoset." Scholz është i vetëdijshëm për kritikat në Gjermani, nga ana tjetër ishte gjëja e duhur marrja e vendimeve, "në interes të unitetit dhe aftësisë vepruese të Europës", për shkak se sistemi aktual i azilit nuk funksionon.

Duhet një ujdi e re, që "përgjegjësinë në kufijtë e jashtëm të BE e lidh me solidaritetin e të gjithëve", tha Scholz. Scholz përmendi edhe një nga pikat kryesore të politikës së re të planifikuar të BE për azilin. "Kush ka shumë pak shanse të njihet si refugjat, ai në të ardhmen do të kalojë nëpër një procedurë të shpejtë azili dhe kthimi."

Ushtria gjermane të bëhet "garante" për sigurinë
Friedrich Merz

Kritika nga opozita

Kritika të ashpra qeverisë gjermane i erdhën nga opozita e CDU-së. Kreu i partisë konservatore, CDU, Friedrich Merz akuzoi qeverinë gjermane për dështim në politikën e jashtme. Sipas Merz, koalicioni qeveritar gjunjëzohet para Kinës, neglizhon marrëdhënien me Francën dhe jep imazhin e një qeverie në grindje në nivel europian. "Ne mund të kishim ecur më përpara në Europë nëse do të kishte një qëndrim të vendosur të Republikës Federale gjermane, qeverisë suaj", iu drejtuar Merz kancelarit Scholz. Me ashpërsi ai iu drejtua edhe ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, duke theksuar se Unioni CDU/CSU është për një politikë të orientuar nga vlerat dhe interesat, por "nuk kemi nevojë për politikë të jashtme didaktike dhe moralizuese. Për këtë nuk pret kush në botë."/ DW





Lajmet e fundit nga