web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

SHBA: Plani europian, thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

1 Mars 2023, 08:51, Kosova & Bota CNA
SHBA: Plani europian, thelbësor për normalizimin e
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit europian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po ashtu edhe përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës. Kështu thuhet në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, një ditë pasi Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel me Planin Europian që parasheh normalizimin e marrëdhënieve.

Escobar: Asociacioni, obligim që duhet të zbatohet

"Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi planin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, shumetnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në Bruksel gjatë kohës së takimit të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, qëndroi edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili takoi ndarasi Vuçiqin dhe Kurtin. Escobar, sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ishte i prerë, "është obligim që duhet të zbatohet”.

"Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, tha Escobar në një konferecë për mediet. I pyetur nëse Kosova ka afate kohore për formim të Asociacionit, ai u përgjigj se "pyetja është se sa shpejt do të formohet”. "Besoj që me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”, tha Gabriel Escobar.

Rruga pas ujdisë më 27 shkurt, jo e lehtë

SHBA: Plani europian, thelbësor për normalizimin e
Takim i të dërguarit të BE, Miroslav Lajçak, të dërguarit amerikan Gabriel Escobar me Albin Kurtin, dhjetor 2022

Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti takimi i së hënës në Bruksel "konfirmoi që kemi të bëjmë me një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive”. "Do të ketë bisedime jo të kollajshme, por qëllimi i Brukselit është që brenda muajit mars të ketë rezultate të prekshme”, tha Kurti, duke përsëritur se ai ishte i gatshëm të nënshkruante Planin Europian, por kjo nuk ndodhi, meqë pala serbe nuk ishte e gatshme që ta nënshkruante.

E nga ana tjetër, Presidenti serb Vuçiq tha pas takimit të Brukselit se "një nga pikat e planit europian nënkupton që Serbia do ta lejonte Kosovën të anëtarësohej në Kombet e Bashkuara, prandaj nuk kam nënshkruar”. "Do të ketë më shumë bisedime”, tha Vuçiq duke ritheksuar se "diplomatët perëndimorë u kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit europian do të nënkuptonte sanksione”.

SHBA: Plani europian, thelbësor për normalizimin e
Vuçiq flet në parlamentin e Beogradit për negociatat me Kosovën, 2 shkurt 2023

Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit në Bruksel nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë europiane Josep Borrel, u pajtuan se nuk kanë nevojë të diskutojnë më për propozimin europian për normalizimin e raporteve dhe ata u pajtuan që të punojnë për zbatimin e propozimit europian. Bashkimi Europian, tha se zbatimi i propozimit do të bëhet përmes diplomacisë ecejake, ku i ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajcak, do të bëjë udhëtime të shpeshta në Prishtinë dhe Beograd.

Takimi i radhës Kurti-Vuçiq, pritet të ndodhë me 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut, gjatë një vizite që do ta bëjë aty Josep Borrel. Bashkimi Europian pret që udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes (planit europian), të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Europian, që do të mbahet më 23-24 mars. Plani europian nuk përfshin njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që Kosova dhe Serbia të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të njëra-tjetrës./DW





Lajmet e fundit nga