web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A janë të përgatitura zonat më sizmike në botë për një katastrofë tjetër si ajo në Turqi dhe Siri?

1 Mars 2023, 08:35, Kosova & Bota CNA

A janë të përgatitura zonat më sizmike në botë

Në Kaliforni, sizmologët po paralajmërojnë se si në Los Anxhelos ashtu edhe në San Françisko priten të goditen nga tërmete shumë të fuqishme. Në Indi ka pikëpyetje të mëdha se çfarë do të ndodhte me dhjetëra miliona njerëz nëse ndodh e paimagjinueshmja.

Në Filipine, banorët po diskutojnë mbi skenarët e “Fundit të botës”, në të cilët një tërmet do të godiste kryeqytetin Manila, tejet të populluar.

Në Ballkan, Lindjen e Mesme, në vendet ishullore të prirura nga tërmetet në Azinë Lindore, dhe në të gjithë bregun shumë të populluar të Paqësorit në Amerikë, që shtrihen përgjatë disa prej çarjeve më të rrezikshme tektonike në botë, e njëjta pyetje kumbon që pas katastrofës së 6 shkurtit që goditi Turqinë Jugore dhe Sirinë Veriore: A jemi gati për një tërmet të madh?

“Estamos preparados?” (A jemi të përgatitur?), pyeste titulli i një editoriali të datës 19 shkurt në gazetën “El Diario” në Kolumbi, ku një tërmet në vitin 1999 vrau më shumë se 1000 njerëz. Përfundimi i ekspertëve të ndryshëm, është se shumë zona me sizmicitet të lartë janë mjerisht të papërgatitura, dhe mund të pësojnë një fatkeqësi tjetër si ajo që ka vrarë të paktën 50.000 njerëz në Turqi dhe Siri.

Dhe kjo e fundit mund të shërbejë së paku si një zile zgjimi, si për Turqinë ashtu edhe për zona të tjera sizmikisht shumë aktive.

A janë të përgatitura zonat më sizmike në botë

“Është e rëndësishme që ne të përfitojmë nga kjo rrethanë, e cila pati një ndikim aq të madh në opinionin publik, saqë duhet t’i përgjigjemi pyetjes që del nga të gjitha rastet e mëparshme: A jemi të përgatitur?”- shkroi për gazetën "AbrilAbril", Duarte Kaldeira, kryetar i bordit të drejtorëve në Qendrën Portugeze për Studime dhe Ndërhyrje në Mbrojtjen Civile.

Ndërsa pasgoditjet dhe lëkundjet vazhdojnë ta tronditin Turqinë Jugore më shumë se 2 javë pas tërmeteve fillestare, udhëheqësit qytetarë, politikanët dhe qytetarët e thjeshtë që jetojnë në zonat e rrezikut sizmik, po pyesin veten nëse godinat e tyre janë të sigurta, nëse procedurat e evakuimit janë të duhurat, dhe nëse dinë realisht se çfarë të bëjnë në rastin e një tërmeti sërish të fuqishëm.

“Normalisht pas një ngjarjeje të tillë, ka një dritare të artë mundësish që të ketë një lloj ndryshimi cilësor të gjërave”- thotë Zigi Lubkovski, inxhinier civil i specializuar për tërmetet në Arup, një kompani arkitekturore dhe dizajni me qendër në Londër.

Tërmetet nuk mund të parandalohen. Ato janë një realitet i një planeti gjeologjikisht aktiv, me një bërthamë të zjarrtë dhe me një topografi që ndryshon vazhdimisht. Por qëndrueshmëria inxhinierike dhe masat e mbrojtjes civile, mund të zbusin ndikimin e fatkeqësive natyrore.

Në vitin 1985, një tërmet i madh bëri kërdinë në provincën Miçoakan të Meksikës, duke vrarë më shumë se 10.000 njerëz. Godinat e ndërtuara me nxitim u shembën, dhe qeveria e kohës, e famshme për korrupsionin e saj, dështoi në operacionet e shpëtimit, duke refuzuar në fillim ofertat për ndihmë nga vendet e tjera.

Por vitin e kaluar, kur një tërmet tjetër i madh goditi thuajse në të njëjtin vend, u vranë vetëm 2 njerëz. Një ndryshim që disa ekspertë ua atribuojnë standardeve më të forta të ndërtimit dhe përgatitjeve më të mira për menaxhimin e fatkeqësive, por kryesisht për shkak të një kuptimi të përmirësuar se si ndikojnë tërmetet te terreni.

A janë të përgatitura zonat më sizmike në botë

Kodet e ndërtimit pas vitit 1985, morën parasysh përbërjen e tokës, e cila mund të përforcojë ose dobësojë ndikimin e një tërmeti. Tani bota po i kupton rreziqet e ndërtimit në tokë të butë në një zonë me sizmicitet të lartë, por gjithsesi vazhdon të shkelë standardet.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Turqi, u thelluan nga respektimi i dobët i rregulloreve të ndërtimit. Ndërtuesit i ulën kostot duke përdorur materiale nën standardet e lejuara dhe hartuan projekte të papërshtatshme. Më pas paguan qeverinë e Rexhep Tajip Erdogan për përjashtimet si pjesë e programeve të njëpasnjëshme të amnistisë.

Më shumë se 6000 ndërtesa u shembën. Midis tyre ishin godinat e larta luksoze të ndërtuara vitet e fundit. “Kjo është diçka tërësisht e papranueshme. Ky është një dështim i politikës”- thotë Eduardo Kausel, profesor i inxhinierisë civile dhe mjedisore në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, SHBA.

Ekspertët thonë se Turqia duhet të kishte mësuar nga fatkeqësitë e kaluara. Pas tërmetit famëkeq të vitit 1960 që goditi Kilin - me magnitudë 9.5 dhe që mbetet ende si ngjarja më e fuqishme sizmike e regjistruar ndonjëherë - vendi i përmirësoi kodet e tij të ndërtimit dhe më pas i zbatoi ato.

Kur një tjetër tërmet i fuqishëm goditi në vitin 2010, ai shkaktoi shumë më pak viktima dhe më pak dëme. “Kili nuk ka amnisti për ndërtimet. Atje ka kode shumë të rrepta ndërtimi dhe ato zbatohen një për një”- shton eksperti. Pas tërmetit në Turqi dhe Siri, ekspertët në mbarë botën po u bëjnë thirrje qeverive që të mos përsërisin të njëjtat gabime.

A janë të përgatitura zonat më sizmike në botë

Sepse shumë rajone të tjera të botës po vënë re mangësi dhe dështime të ngjashme me ato në Turqi. Në Lisbonë, planifikuesit janë të vetëdijshëm se rreth 2/3 tretat e 450.000 ndërtesave të qytetit janë ndërtuar para vitit 1990. Në Izrael, media raporton se vetëm 2 milionë dollarë nga fondi prej 1.5 miliardë dollarësh janë dhënë në vitin 2019 për të përforcuar godinat më të vjetra.

Në Kaliforni, ekspertët kanë paralajmëruar se i njëjti beton i brishtë që solli tragjedinë në Turqinë Jugore, po përdoret në shumë godina në Los Anxhelos. “Qytetet e shtetit të Kalifornisë në SHBA mbeten shumë të rrezikuara nga shembja e godinave të vjetra, nga krizat e mëdha ekonomike dhe sociale, që do të kërkonin kohë të gjata rikuperimi.

Tërmete të mëdha do të ndodhin në të ardhmen në Kaliforni. Mënyra se si përgatitemi tani, do të ndikojë mbi mënyrën se si do të reagojmë dhe do ta marrim veten më vonë”- u shpreh në një deklaratë më 23 shkurt Instituti i Kërkimeve të Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Shoqata e Inxhinierëve Strukturorë të Kalifornisë.

Inxhinierët thonë se ndërtimi i një strukture të re me karakteristika të avancuara antisizmike është relativisht i thjeshtë. Por përmirësimi i sigurisë së një godine më të vjetër, është më i kushtueshëm dhe më i ndërlikuar, dhe në dallim nga rindërtimi i një fasade apo mbjellja e një kopshti, ky proces mund të mos rrisë vlerën e saj në treg.

“Tërmetet janë shumë të pafalshme. Nëse bëni 90 për qind të punës si duhet, dhe gaboni në vetëm 10 për qind të saj, kjo e fundit do t’ju vrasë”- thotë Kit Mijamoto, kreu i “Miyamoto International”, një kompani inxhinierike strukturore, e specializuar në reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.

Tërmetet shkatërruese si ato që goditën Turqinë dhe Sirinë, kanë një efekt më të gjerë në mbarë botën, pasi po pakësojnë burimet dhe fondet humanitare për zonat të tjera që po vuanin tashmë. Ekspertët e tërmeteve paralajmërojnë se një numër qytetesh të mëdha që gjenden përgjatë linjave të çarjeve tektonike midis pllakave, janë të prirur të goditen nga tërmete të forta.

Këtu përfshihet Stambolli, Teherani, Manila, Xhakarta dhe Uellingtoni në Zelandën e Re, si dhe qytetet kryesore përgjatë brigjeve amerikane në Paqësor. Edhe një tërmet nën një qytet në Japoni, vendi sizmikisht më aktiv në botë dhe që krenohet me gatishmërinë e tij ndaj fatkeqësive si dhe për aftësitë inxhinierike, do të shembte godinat e vjetra dhe do të shkaktonte shumë viktima.

“Vatra të nxehta ka kudo. Rreziku sizmik nuk ka ndryshuar. Situata është njëlloj. Por nëse e krahasojmë me 50 vjet më parë, qytetet janë sot shumë më të mëdha, më të larta dhe më të dendura, por pa inxhinierinë apo planifikimin e duhur”- thotë Mijamoto nga Ukraina, ku ndodhet për të vlerësuar sigurinë e godinave pas dëmeve që kanë pësuar nga raketat ruse.

Ekspertët thonë se presioni i publikut mund të ndihmojë tani në reduktimin e ndikimit të një fatkeqësie që mund të ndodhë më vonë. Në mbarë botën po bëhet thirrje për veprime konkrete. Është urgjente që qeveritë të veprojnë tani, përpara se të fillojë inercia e gjendjes apatike.

“Ligjvënësit duhet të fillojnë menjëherë me përditësimin e kodeve të ndërtimit. Qeveria duhet të sigurojë që rregullat dhe rregulloret e saj të zbatohen rreptësisht, përndryshe përpjekjet për të zbutur fatkeqësinë do të ishin të padobishme”- shkroi në një editorial të sajin gazeta “Philippine Daily Inquirer”, një nga mediat kryesore në këtë vend.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga