web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse tani është koha që Rusia dhe Ukraina të ulen në tryezën e negociatave

5 Nëntor 2022, 08:28, Kosova & Bota CNA

Pse tani është koha që Rusia dhe Ukraina të ulen në

Mungesa e çfarëdolloj përpjekjeje serioze për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës përmes negociatave bën jo pak përshtypje. Tërheqja e forcave ruse, neutraliteti i Ukrainës, fundi i sanksioneve ekonomike, dhe më e rëndësishmja arritja e një armëpushimi dhe mbajtja e referendumeve të ligjshme të monitoruara nga OKB-ja në zonat e kontestuara, janë që të gjitha të negociueshme.

Por kjo është e vështirë të thuhet nëse bazohemi te retorika aktuale e Rusisë apo Perëndimit. Por përpara se të refuzohen përpjekje të tilla, është e rëndësishme të pyesim veten: “Sa gjëra dimë vërtet për Ukrainën? Për shumicën e amerikanëve, përgjigjja është “jo dhe aq”. Një vit më parë, pak nga ne mund ta gjenin vendndodhjen e Krimesë në një hartë.

Historia e Ukrainës është komplekse dhe situata aktuale shumë dinamike. Përcaktimi i kufijve të Rusisë është vetëm një pjesë e problemit. A jemi duke folur për Perandorinë Cariste që përfshinte gjysmën e Polonisë, Bashkimin Sovjetik të Stalinit që mbulonte pjesën më të madhe të Azisë Qendrore, apo Federatën Ruse të sotme shumë më të reduktuar dhe tejet të pakënaqur?

Në asnjë nga këto konfigurime Rusia nuk ka kufij të qartë. Përgjatë historisë, ajo është pushtuar nga mongolët, suedezët, francezët dhe 2 herë nga gjermanët. Çlirimi nga nazistët i kushtoi Rusisë 22 milionë jetë njerëzish. Sa për krahasim, humbjet e SHBA-së gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore ishin vetëm 400.000 nga një popullsi me një madhësi afërsisht të ngjashme.

Për shkak se kufijtë e sigurt janë një shqetësim kaq jetik për Rusinë, zgjerimi i NATO-s drejt lindjes do të ishte gjithmonë problematik. Xhorxh Kenan ishte eksperti më i shquar i Amerikës mbi Bashkimin Sovjetik, dhe autori i politikës sonë të kontrollit gjatë Luftës së Ftohtë.

Pse tani është koha që Rusia dhe Ukraina të ulen në

Në vitin 1997 ai shkroi: “Zgjerimi i NATO-s do të ishte gabimi më fatal i politikës amerikane në të gjithë epokën e pas Luftës së Ftohtë... Një vendim i tillë mund të nxisë tendencat nacionaliste, anti-perëndimore dhe militariste në opinionin rus, të cilat do të kishin një efekt negativ në zhvillimin e demokracisë ruse. Ai do të rikthente atmosferën e Luftës së Ftohtë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim, dhe do ta orientojë politikën e jashtme ruse në drejtime që nuk do të na pëlqejnë”.

Parashikimet e tij ishin plotësisht të sakta, por këshilla e tij u shpërfill. NATO u zgjerua, duke u shtuar me 14 anëtarë të rinj, që ose kishin qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik ose qenë të dominuar prej tij. Ukraina nuk ishte në mesin e atyre anëtarëve të rinj, pjesërisht sepse Rusia e bëri shumë të qartë kundërshtimin e saj.

Dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse Ukraina do të ishte “më e spikatura nga të gjitha vijat e kuqe” të Moskës. Çelësi është Gadishulli i Krimesë dhe qasja tokësore në të. Pavarësisht se është një vend me 11 zona kohore, Sevastopoli ka qenë baza e vetme detare e Rusisë me ujë të ngrohtë për gati 250 vjet.

Ai u bë pjesë e Rusisë në vitin 1783. Në vitin 1853, Cari zhvilloi një luftë kundër Francës dhe Britanisë për ta mbajtur gadishullin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhjetëra mijëra trupa sovjetike vdiqën duke mbrojtur dhe çliruar përfundimisht Sevastopolin nga Vehrmahti gjerman.

Kushdo që kontrollon Krimenë dominon Detin e Zi, dhe mund të kërcënojë krahun jugor të Rusisë. Ideja se Sevastopoli mund të bëhet një bazë detare e NATO-s, ka qenë gjithmonë po aq e papranueshme në Moskë sa ishte për Uashingtonin vendosja e raketave bërthamore sovjetike në Kubë.

Disa analistë thonë që ne po luftojmë për demokraci dhe duhet ta mposhtim Putinin, pavarësisht sesa kohë do të duhet. Por ata anashkalojnë qartazi jo vetëm se sa të papëlqyeshme janë bërë luftërat e kushtueshme për publikun amerikan, por edhe përvojën tonë negative me ndryshimin e regjimeve.

Madje ekspertë të tjerë po bëjnë thirrje për dëmshpërblime apo për gjyqe për krimet e luftës, sikur të ishim në Versajë apo Nuremberg. Por ata harrojnë se si Traktati i Versajës, ashtu si gjyqet e Nurembergut për krimet e luftës, ishin tërësisht të bazuara në disfata të tmerrshme të Gjermanisë.

Dhe me përjashtimin e një lufte bërthamore, kjo gjë nuk ka për t’i ndodhur Rusisë. Ukraina ka pasur kufij historikisht të ndryshueshëm. Deri në vitin 1918 qyteti i Lviv (asokohe Limburg) ishte austriak. Midis dy luftërave botërore, Ukraina Perëndimore ishte polake. Krimea u transferua nga Republika Socialiste Sovjetike Ruse në atë ukrainase vetëm në vitin 1954, kryesisht për të rritur numrin e rusishtfolësve në Ukrainë. Pa llogaritur Krimenë, Ukraina post-sovjetike tani ka humbur gati 20 për qind të territorit të saj të paraluftës dhe është bërë gati tërësisht e varur nga armët e huaja dhe ndihma financiare, 3/4 e së cilës është amerikane.

Miliona njerëz kanë mbetur të pastrehë ose janë larguar nga vendi. Inflacioni është rritur dhe infrastruktura është shkatërruar sistematikisht. Pavarësisht arritjeve të fundit, nuk është aspak e qartë nëse Ukraina po e fiton luftën. Nga ana tjetër, ky vend është i vështirë për t’u ndihmuar. Pasi ka qenë shumë e korruptuar, dhe nuk mund t’i jepen para pafund një njeriu xhepshpuar.

Ndërkohë Rusia është kryesisht e vetë-mjaftueshme në ushqim, energji dhe armatime. Rubla është sot më e fortë se sa ishte një vit më parë. Sanksionet perëndimore kanë shkaktuar më shumë dëme ekonomike në Evropë sesa në Rusi. Ndoshta ia vlen të kujtohet se prindërit e Putinit jetuan gjatë Rrethimit të Leningradit, ku 600.000 rusë zgjodhën të vdisnin nga uria në vend se të dorëzoheshin.

Duket e pamundur që ai të kapitullojë sot, sepse nuk mund të blejë më një Big Mac.

Ne jetojmë në fakt në një rend botëror të bazuar në rregulla, dhe një nga rregullat kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare është se fuqitë e mëdha presin të kontrollojnë një sferë ndikimi, për të cilën ata do të luftojnë për ta mbrojtur, siç jemi të përgatitur të bëjmë ne në Tajvan.

Një nga funksionet kryesore të diplomacisë është shmangia ose përfundimi i kasaphanës që shkaktojnë konfliktet ushtarake. Dhe më shpesh, kjo përfshin negociatat me njerëz me pikëpamje të kundërta, të cilët as ju pëlqejnë dhe as u besoni. Po si do të ishte një zgjidhje e negociuar?

Ajo duhet të fillojë me një vlerësim të sinqertë të asaj që dëshiron popullsia lokale. Mbështetja për vetëvendosjen ka qenë një element qendror i politikës së jashtme amerikane që kur presidenti Udrou Uillson shkoi në Versajë. Ne mbetemi të bindur se pëlqimi i të qeverisurve është forma më themelore e legjitimitetit.

Çekët dhe sllovakët zgjidhën në mënyrë paqësore të ecin përpara të ndarë. Qytetarët e Kebekut u lejuan të votonin për të mbetur kanadezë. Popullit në Skoci iu dha shansi për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Britanikët për qëndrimin ose jo në Bashkimin Evropian.

A nuk e meritojnë këtë shans njerëzit e Krimesë dhe Donbasit? Nëse i kemi besuar OKB-së monitorimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit, sigurisht që mund t’i besojmë edhe organizimin dhe monitorimin e zgjedhjeve të drejta. Vuajtjet e popullatës ukrainase po shtohen dita-ditës, ndërsa dimri është në prag. Ndaj është koha që mendimi krijues dhe diplomacia efektive t’i japin fund kësaj lufte, përpara se ajo të dalë më tej jashtë kontrollit.

Shënim:David H.Rundell, ish-shef i misionit diplomatik në Ambasadën Amerikane në Arabinë Saudite. Michael Gfoeller, ish-këshilltar politik i Komandës Qendrore të SHBA. Ka shërbyer për 15 vite në Evropën Lindore dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga