LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse Prigozhin ka mosmarrëveshje me zyrtarët rusë lidhur me varrimin e luftëtarëve të Wagner-it?

27 Mars 2023, 07:42, Kosova & Bota CNA
Pse Prigozhin ka mosmarrëveshje me zyrtarët rusë lidhur me
Foto ilustruese

Sikurse shumica e ceremonive mortore ruse, një që u mbajt në veri të qytetit Goriaçi Kliuç kishte kurora shumëngjyrëshe, portrete të të vrarëve, karafila të kuq dhe arkivole të mbuluara me flamuj.

Por, kjo ceremoni që u mbajt më 19 mars, në rajonin që njihet më shumë për banja termale dhe minerale, ishte mbresëlënëse në një mënyrë tjetër: një luftë publike midis administratës lokale dhe themeluesit të kompanisë mercenare të Grupit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin.

Kryetari i këtij qyteti tha se ka pasur shumë ushtarë të Wagner-it që u varrosën në këtë vend dhe më mirë do të ishte që ata të varroseshin diku tjetër. I zemëruar, Prigozhin dhe aleatët e tij kundërshtuan kryetarin dhe mbajtën ceremoninë, në të cilën u nderuan të vdekurit dhe u kritikua administrata lokale.

Grindjet rreth varrimeve vijnë mes dyshimeve në rritje për të ardhmen politike të Prigozhinit, i cili është bërë një nga figurat publike më famëkeqe të Rusisë në mes të pushtimit 13-mujor të Ukrainës fqinje. Ish-i burgosuri, që ka krijuar pasurinë e tij përmes hapjes së restoranteve në Shën Petersburg, Prigozhin, më vonë lidhi kontrata fitimprurëse për furnizim me ushqim me Kremlinin, para se të themelonte Grupin Wagner.

Grupi i mercenarëve, që kanë luftuar në Siri, Afrikë dhe gjetkë, është shndërruar në një forcë të fuqishme luftarake në Ukrainë. Edhe pse Wagner ka pësuar humbje të mëdha, Prigozhin publikisht është përplasur me komandantët e lartë në Ministrinë ruse të Mbrojtjes, duke kritikuar kryerjen e operacioneve në fushëbetejë.

Dhe kjo ka nxitur spekulime se ngritja e Prigozhinit është miratuar në heshtje në Kremlin, dhe nëse ngritja e tij mund të jetë drejt fundit.

“Sapo u bë e qartë se ndikimi [i Prigozhinit] po binte, kryetari i qytetit, pas konsultimit me lidershipin, mori miratimin që të refuzonte lejimin e organizimit të ceremonive të tjera të varrimit”, tha Ivan Preobrazhensky, një politolog rus, por që tani vepron jashtë vendit.

“Ka pak të ngjarë që ky është mesazh direkt nga administrata presidenciale. Në vend të kësaj, ka shumë gjasa që është dikush brenda sistemit burokratik rus që e ka kuptuar se Prigozhin thjesht nuk është më aq i frikshëm”, tha ai për Radion "Evropa e Lirë".

Shumë varre?

Varrezat, që ishin në qendër të përplasjeve të fundit politike për herë të parë u shfaqën në opinion në fundin e vitit të kaluar, kur aktivistët publikuan papritur shfaqjen e dhjetëra varreve. Që nga shkurti, më shumë se 300 varre të reja janë në varrezat Bakinskaja, ndërkaq aktivistët kanë thënë se ata kanë dokumentuar 570 varre të reja të hapura deri këtë muaj.

Pothuajse të gjitha këto varre besohet se janë të ushtarëve që kanë luftuar për Wagner-in në Ukrainë.

Zyrtarët perëndimorë kanë vlerësuar se Wagner ka pësuar numër të madh të humbjeve, veçmas përreth qytetit Bahmut në Donbas, qytet ky që ka qenë në fokus të një sulmi të përgjakshëm, që ka nisur në gushtin e kaluar. Trupat e Wagner-it, përfshirë edhe mijëra të burgosur që u rekrutuan për të luftuar, kanë qenë krye të këtij sulmi. Shtëpia e Bardhë ka thënë se deri në 30.000 luftëtarë të Wagner-it janë vrarë ose plagosur deri më tani.

Përderisa fama e Prigozhinit është rritur, mbështetësit e tij, shumica prej të cilëve janë nacionalistë të linjës së ashpër, kanë tentuar të madhërojnë përpjekjet e luftëtarëve të vrarë të Wagner-it.

Dy javë më parë, kur zyrtarët e Wagner-it tentuan të mbanin një funeral tjetër publik për tetë luftëtarët e tyre në varrezat Bakinskaja, zyrtarët komunalë në Goriaçi Kliuç i ndaluan, duke u thirrur në atë se opinioni publik është shprehur kundër vazhdimit të varrimeve.

Në llogarinë e tij në "Telegram", Prigozhin publikoi më 18 mars atë që pretendoi se ishte një incizim i një telefonate midis përfaqësuesve të Wagnerit dhe kryetarit, Sergei Belopolsky, bisedë në të cilën Belopolsky shpjegoi arsyen se pse nuk ka dhënë leje për varrimet e reja.

Pak pas kësaj, Belopolsky publikoi deklaratën e tij për këtë mosmarrëveshje, dhe tha se përderisa “respekton luftëtarët”, ai nuk mendon se ky qytet, që është resort i banjave termale, është vend i duhur për varrime të mëtejme. Ai tha se ka lokacione më të mira në këtë rajon për këtë gjë.

Megjithatë, funerali u mbajt gjithsesi, sipas videove të postuara në llogari të ndryshme në "Telegram". Ceremonia përfshiu edhe lëshimin e një audio-mesazhi nga Prigozhin, i cili i quajti zyrtarët lokalë “fundërrina që fshihen në zyra”.

Disa ligjvënës lokalë morën pjesë në këtë funeral, edhe pse asnjë përfaqësues i partisë të mbështetur nga Kremlini, Rusia e Bashkuar, nuk ishin të pranishëm në këtë ceremoni.

Një ditë më pas, Prigozhin publikoi një deklaratë të re, duke thënë se guvernatori i Krasnodarit, ku gjendet Goriaçi Kliuç, kishte premtuar se nuk do të kishte më pengesa sa u përket varrimeve të luftëtarëve të vrarë të Wagner-it.

Andrei Panyushkin, aktivist lokal, i tha Radios "Evropa e Lirë" se ai ka dyshime se opinioni publik kundërshton varrimet. Ai tha se ka një numër të panjohur të banorëve lokalë që kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë, prandaj banorët mund të mos i kundërshtojnë ceremonitë mortore. Dy burra nga dy familjet që i ka komshi, iu bashkuan Wagner-it. Ata sipas tij janë vrarë në luftime.

Vitaly Votanovsky, një tjetër aktivist lokal ishte i pranishëm në ceremoninë mortore. Ai tha se në këtë ceremoni kishin ardhur persona me regjistrime të makinave nga shumë vende në jug të Rusisë.

Votanovsky po ashtu ka avokuar në emër të familjeve të ushtarëve të vrarë të Wagner-it, dhe ai është ankuar se familjet nuk po marrin kompensim nga Qeveria ruse.

Publiciteti

Mosmarrëveshjet publike të Prigozhinit, si dhe përgjigjet publike të Kremlinit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë parë me kujdes pasi lufta në Ukrainë ka marr hov dhe forcat e Wagner-it po vazhdojnë të pësojnë humbje të mëdha në njerëz.

Më herët gjatë këtij viti, aftësia e Wagner-it për të vazhduar rekrutimin e të dënuarve nga burgjet ruse për të luftuar në Ukrainë, duket se u zvogëlua. Vetë Prigozhin tha se do të ndalte rekrutimin e të dënuarve.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërkaq raportohet se ka nisur rekrutimin e vetë në burgjet ruse, duke marrë këtë proces nga duart e Wagner-it.

Prigozhin po ashtu është ankuar se forcave të tij nuk po u jepet municioni i duhur, gjë që ai ka thënë se ka penguar përpjekjet për të kapur Bahmutin. Ministria e Mbrojtjes e ka mohuar këtë akuzë.

Javën e kaluar, agjencia e lajmeve "Blooomberg", duke cituar “persona të afërt të Kremlinit dhe shërbime të inteligjencës”, raportoi se Prigozhin ka synuar të reduktojë operacionet e Wagner-it në Ukrainë dhe të fokusohet në Afrikë, ku mercenarët e tij raportohet se gjenden në katër shtete të ndryshme. Prigozhin ka hedhur poshtë këto pretendime, përmes një deklarate sarkastike të publikuar në "Telegram" më 24 mars.

“Vetë Prigozhin e kupton se publiciteti është burimi i tij i vetëm”, tha një politolog që foli për REL-in në kushte anonimiteti, për shkak të ligjeve kufizuese që ekzistojnë në Rusi. “Veçanërisht nëse një populist luan me mospëlqimin e burokratëve lokalë”.

“Prigozhin... po mëson mësimin më të rëndë në politikën Kremlinit”, tha Mark Galeotti, ekspert për shërbimet e sigurisë ruse. Ai këto komente i bëri përmes një shkrimi autorial të publikuar gjatë marsit, para se të nisnin mosmarrëveshjet sa i përket varrimeve. “Nuk ka rëndësi se sa i nevojshëm ishe dje, e rëndësishme është se sa i nevojshëm mund të jesh nesër”./ Rel

Lajmet e fundit nga