LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Yield-et e bonove rriten përsëri, arrijnë në 3.41%

27 Nëntor 2023, 07:41, Ekonomi CNA
Yield-et e bonove rriten përsëri, arrijnë në 3.41%
Foto ilustruese

Yield-i bonove 12-mujore u rrit për të dytin ankand radhazi, duke vijuar zhvendosjen për lart të nxitur nga rritja e normës bazë të interesit prej Bankës së Shqipërisë.

Sipas informacionit nga banka qendrore, në ankandin e ditës së premte bonot 12-mujore u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 3.41%, nga 3.31% që kishte qenë yield-i i ankandit të mëparshëm.

Yield-et e bonove 12-mujore ndodhen tashmë në nivelet më të larta që prej muajit maj të këtij viti, por megjithatë marzhi i yield-eve mbi normën bazë të interesit ngelet ende mjaft i ulët dhe pranë niveleve minimale historike.

Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit në fillim të këtij muaji me 0.25 pikë përqindje dhe e çoi në 3.25%, niveli më i lartë në afërsisht një dekadë.

Përveç rritjes së normës bazë të interesit, një efekt në rritjen e yield-eve duket se po jep edhe një shtrëngim i likuiditetit në lekë në tregun financiar.

Në ankandin e së premtes, kërkesat totale të paraqitura kishin një vlerë prej më pak se tetë miliardë lekësh, nga 9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Në fund, MFE pranoi kërkesa në shumën e 7.77 miliardë lekëve, duke e mbajtur pak më të ulët yield-in mesatar të ankandit. Në rast se të gjitha kërkesat në ankand do të ishin pranuar, yield-i mesatar i ponderuar do të rezultonte në nivelin 3.47%.

Këtë vit, depozitat në lekë paraqiten në stanjacion, ndërsa kredia në Lekë në rritje të ndjeshme, duke përfshirë edhe efektin që ka dhënë konvertimi i kredive në valutë nga një pjesë e huamarrësve.

Suficiti i lartë buxhetor i qeverisë ka ndikuar në një lloj tharjeje të likuiditetit në lekë në sektorin financiar. Kjo ka bërë që në muajt e fundit, financimi i bankave tregtare me marrëveshje të anasjellta të riblerjes nga Banka e Shqipërisë të arrijë nivelet më të larta historike.

Ndërkohë, paralajmërimet e Bankës së Shqipërisë për një cikël të ri të shtrëngimit të politikës monetare mund të ndikojnë gjithashtu në një ulje të pjesëmarrjes në ankandet e instrumenteve të borxhit qeveritar.

Një tendencë e tillë u vërejt në pjesën e dytë të vitit të kaluar, kur mes investitorëve u shfaq një tendencë për të mbajtur pozita pritëse, me qëllim sigurimin e kthimeve më të larta në një ardhme të afërt.

Tendenca e rritjes së yield-eve në muajt e fundit ka qenë e qartë edhe instrumentet afatgjata të borxhit, me rritje për obligacionet e të gjitha maturiteteve.

Nëse sinjalet e Bankës së Shqipërisë për rritje të mëtejshme të normave të interesit do të përmbushen, është e pritshme që yield-et të vazhdojnë rritjen edhe për muajt në vazhdim. Banka e Shqipërisë ka theksuar se presionet e brendshme inflacioniste janë të larta dhe kërkojnë lëvizje të mëtejshme të politikës monetare në kahun shtrëngues./ Revista Monitor 

Lajmet e fundit nga