LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqiptarët shpenzojnë për veshje më shumë sesa mesatarja evropiane në raport me buxhetin total, por më pak se të gjithë në vlerë

27 Nëntor 2023, 07:38, Ekonomi CNA

Shqiptarët shpenzojnë për veshje më shumë sesa

Ndonëse jemi një vend nga më të varfrit në Evropë dhe mbajmë rekord për shpenzimet për ushqime në raport me totalin e buxhetit, familjet shqiptare nuk kursehen kur bëhet fjalë për t'u veshur, duke hequr ndoshta dorë edhe nga nevoja të tjera më të domosdoshme.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në vitin 2022, familjet shqiptare shpenzuan 5% të totalit për veshje e këpucë. Kjo peshë është më e lartë sesa mesatarja evropiane prej 4.3% po për të njëjtin vit, sipas të dhënave të Eurostat.

Në total, nga 38 shtete, Shqipëria renditet e 15-ta, duke lënë pas shtete si Gjermania, Suedia, Finlanda etj. Në rajon vendi është i dyti, së bashku me Malin e Zi, me 5% të dyja, pas Bosnjë Hercegovinës që mban rekordin me 5.4%. Për shtetet e tjera treguesi është më i ulët, me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë që e kishte këtë peshë 4.3% secila.

Në Evropë, rekordin e mban Turqia, me 7% të totalit të shpenzimeve që shkon për veshje, e ndjekur nga Rumania (6.3%) dhe Estonia (5.9%). Nuk kishte si të mungonte as Italia, që mbahet për kryeqendrën e modës, me 5.5% të totalit.

Qytetarët më të painteresuar për veshjet e këpucët jetojnë në një nga shtete më të pasura, Zvicër, dhe shpenzojnë vetëm 2.3% të totalit të buxhetit. Indiferentë janë dhe hungarezët, me 3% e francezët me 3.3%.

Ndonëse në peshë ndaj shpenzimeve totale, familjet shqiptare duket se nuk kursehen, në vlerë harxhojnë shumë pak për të blerë veshje, për shkak të buxhetit total të ulët që kanë në dispozicion për të plotësuar të gjitha nevojat.

Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se shpenzimet për frymë për veshje e këpucë ishin 140 euro në vit (për 2020-ën, të dhënat e fundit të disponueshme), nga 620 euro që e kishte një evropian për të njëjtin vit. Shpenzimi në vlerë është më i ulëti në Evropë dhe rreth 4 herë më i ulët sesa mesatarja evropiane. Për krahasim, një italian shpenzon për veshje në vit rreth 840-1,100 euro.

Në nivele të ngjashme është Maqedonia e Veriut, me 150 euro për frymë. Serbët, ndonëse kanë peshë më të ulët, kanë buxhet më të lartë në vlerë, në 190 euro në 2020-ën, por që ka arritur në 260 euro në 2022-ën.

Rekordin në vlerë e mbajnë danezët, irlandezët, italianët, austriakët, me më shumë se 1,100 euro për frymë në vit./ Revista Monitor 

08:45 Ekonomi

Një botë mizore

Pse po përhapet frika në tregjet financiare? Investito...

Lajmet e fundit nga