LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Profesionet e lira, vërshojnë ankesat në tatime për rishikimin e këstit të tatimit

25 Prill 2024, 07:07, Ekonomi CNA
Profesionet e lira, vërshojnë ankesat në tatime për
Foto ilustruese

Pas llogaritjeve të tatimeve për parapagimin e tatimit te profesionet e lira, shumë prej këtyre bizneseve kanë nisur në tatime ankesat për rishikimin e kësteve dhe njohjen e shpenzimeve të zbritshme apriori, në masën 30%.

“Nëpërmjet një ankese që depozitova pranë Tatimeve Rajonale Fier kam kërkuar rishikimin e këstit të parapagimit, me qëllim përfshirjen e shpenzimeve të zbritshme në masën 30%. Nga 95,000 lekë në muaj kësti rezulton të shkojë 66,500.

Pra, kam kërkuar të më njihen shpenzimet apriori për 2024, pasi nuk isha në dijeni të llogaritjeve të shpenzimeve me kontabilitet për parapagimin e tatimit për 2024. Shpenzimet e deklaruara për 2023 kanë qenë të ulëta”, pohoi një nga psikologet që ka dërguar ankesën pranë drejtorisë rajonale në Fier.

Edhe nga kontabilistët pohohet se tashmë janë të shumta ankesat e dërguara nga bizneset për rishikim të kësteve të parapagimit, pasi rezultojnë më të larta nga sa ishte parashikuar në ligj.

“Janë të shumta ankesat e bizneseve për tatimet. Kryefjala e tyre mbetet rishikimi i kësteve, pasi nga të gjithë pritej tjetër këst tjetër që ishte llogaritur më parë, më e ulët se ajo e llogaritur nga tatimet”, veçon një nga kontabilistët mbajtës i bilanceve të disa bizneseve.

Më 11 prill, administrata tatimore u dërgoi bizneseve të profesioneve të lira njoftim për vlerësimet me llogaritjen e 9 kësteve të parapagimit të tatimit. Bizneset njëzëri pohuan se detyrimi i këstit të parapagimit që varionte nga 500, 1000, deri 1,200 euro ishte i papërballueshëm.

Në llogaritjet e tatimeve mbështetur në deklaratën e të ardhurave dhe shpenzimeve të vitit 2023 në asnjë rast nuk është zbatuar njohja e shpenzimeve fikse në masën 30% për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira me xhiro deri 10 milionë lekë në vit, siç përcaktohet në ligjin i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe udhëzimin shoqërues për zbatim.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo paralajmëroi se moszbatimi korrekt i ligjit do të shkaktojë ankesa ndaj tatimeve. “E kanë llogaritur tatimfitimin për të ardhurat dhe shpenzimet faktike të deklaruara për 2023. Ligji nuk është zbatuar në mënyrë korrekte. Nuk është marrë në konsideratë zbritja 30% e shpenzimeve fikse.

Shpenzimet e shumë bizneseve janë të ulëta për shkak të profesionit që bëjnë dhe pothuajse janë tatuar mbi të ardhurat e deklaruara. Kjo situatë do të krijojë lum ankesash nga bizneset ndaj administratës tatimore”, pohoi ai më herët.

Nga Tatimet është sqaruar se zbritja e tyre do të bëhet më 31 mars 2025 në bazë të aplikimeve të bizneseve të profesioneve të lira në fund të vitit 2024, pas plotësimit të formularit për zgjedhjen e regjimit të veçantë.

Nga ana tjetër nga ekspertët kontabël vlerësojnë se forma dhe përmbajtja juridike e zbatimit të ligjit nuk është aspak korrekte. Sipas tyre njoftim vlerësimet për parapagimet, jo vetëm që janë me referenca ligjore të gabuara, por në të shumtën e rasteve të llogaritura edhe gabim.

Për shkak të paqartësive ligjore, shkeljes së barazisë mes tatimpaguesve dhe konkurrencës së lirë ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është ankimuar 3 herë në Gjykatën Kushtetuese.

Së pari, u padit nga deputetët e grupit parlamentar të opozitës, më pas nga IKM dhe IEKA dhe së fundmi e dërguar në Kushtetuese me iniciativën e Av. Dr. Lulzim Alushaj, ku i janë bashkuar Shoqata e Biznesmenëve Italianë në Shqipëri (A.I.I.A.), Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve dhe 151 profesionistë të lirë në fushat e IT, Avokati, Auditues, financierë, përkthyes, konsulent mbi pasuri të paluajtshme etj./ Revista Monitor 

Lajmet e fundit nga