LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Në sprovën e forcës me Perëndimin/ Gënjeshtrat e dobësojnë Rusinë

28 Maj 2022, 13:58, Blog CNA

Në sprovën e forcës me Perëndimin/ Gënjeshtrat e

Vladimir Putin ka një emërtim të tijin për Perëndimin. Ai e quan atë “perandoria e gënjeshtrës”. Njoftimi i udhëheqësit rus për “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë u shoqërua me referenca mbi dyfytyrësinë perëndimore në Kosovë, Irak, Libi dhe më gjerë.

Zemërimi i Putinit është i pangushëllueshëm. Siç vëren analisti Ivan Krastev: “Hipokrizia e Perëndimit është bërë një obsesion për Putinin”. Por hipokrizia dhe gënjeshtra nuk janë e njëjta gjë. Dallimi mund të duket semantik, madje joserioz, por ka rëndësinë e vet.

Qeveria ruse është e specializuar në thurjen e gënjeshtrave, duke këmbëngulur në mënyra të ndryshme se nuk e ka pushtuar Ukrainën, se nuk e ka helmuar ajo liderin e opozitës ruse Aleksei Navalni, se nuk ka asnjë lidhje me rrëzimin e avionit të linjës MH17 apo se ushtria e saj nuk ka kryer krime lufte.

Ndërkohë, SHBA-ja dhe aleatët e saj janë të “specializuar” në sjelljet hipokritike. Sipas Putinit, vesi tipik perëndimor është të shpallësh një ideal ose një politikë, dhe më pas ta zbatojë atë në mënyrë jo të qëndrueshme. Pra, nga njëra anë vendet perëndimore e shpallin veten si mbrojtëse të të drejtave të njeriut, por nga ana tjetër janë në garë se kush t’i shesë më shumë armë Arabisë Saudite.

Ata janë në favor të sovranitetit shtetëror, por SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca mbështetën një ndërhyrje humanitare në Libi që çoi drejtpërdrejt, dhe ndoshta qëllimisht, në ndryshimin e regjimit dhe vdekjen e dhunshme të udhëheqësit libian, Muamar Gadafi. Vendet perëndimore e shpallin veten se janë të vendosura në qasjen e tyre kundër përhapjes së armëve bërthamore, por nga ana tjetër bëjnë një përjashtim për rastet e Izraelit dhe Indisë, megjithëse jo të Iranit.

Pra, Perëndimi është një “perandori e hipokrizisë”. Por Rusia është “perandoria e vërtetë e gënjeshtrës”. Dhe kur bëhet fjalë për një test të fuqisë midis sistemeve, hipokrizia funksionon më mirë sesa gënjeshtra e hapur. Në një perandori të hipokrizisë, debati dhe kritika e hapur janë ende të mundshme.

Bëhen gabime dhe krime. Por këto krime mund të vihen në dukje, ose nga hetimet zyrtare ose nga një media e lirë. Gazeta “New York Times” sapo ka fituar një çmim Pulitzer për një investigim në lidhje me luftërat me dron të Amerikës dhe për numrin e tmerrshëm të viktimave civile.

Reagimi i Pentagonit ishte një falënderim për gazetën, shoqëruar me premtimin e ndryshimit të qasjes. Akoma më shumë hipokrizi? Ndoshta, por pa investigim dhe ekspozim në media, nuk do të kishte asnjë perspektivë për reforma.

Askush në Rusi nuk do të fitojë ndonjë çmim për një investigim mbi krimet e luftës të kryera në Buça apo për shkatërrimin e Mariupolit. Çdo gazetar i guximshëm që do të tentonte ta bënte këtë do të përfundonte në burg ose i vrarë.

Përkundrazi, qeveria ruse prodhon gënjeshtra, siç ishte pretendimi se kufomat e gjetura në rrugët e Buças ishin vendosur atje enkas nga ukrainasit. Një shoqëri, e cila ka guxim të përballet me të vërteta të dhimbshme, nuk është e preferueshme vetëm në aspektin moral. Ajo është gjithashtu më efikase.

Një perandori e gënjeshtrave ekziston në një gjendje disonance konjitive të vazhdueshme. Nën një sistem represiv, ekzistojnë disa aspekte të jetës sociale, ku mbetet e nevojshme të thuhet e vërteta: Në çfarë ore niset treni im? A jam i sëmurë me kancer? Por ka edhe fusha të tjera ku është thelbësore të fshihet e vërteta: A u manipuluan zgjedhjet e fundit? Sa ushtarë rusë kanë vdekur në Ukrainë?

Problemet lindin kur politika kërkon një gënjeshtër, ndërsa një shoqëri funksionale kërkon të vërtetën. Efektet gërryese sociale të gënjeshtrës, u përshkruan më së miri në thënien e famshme sovjetike: “Ne bëjmë sikur punojmë, dhe ata bëjnë sikur na paguajnë”!

Rreziku i bazës së një politike të gënjeshtrave, është treguar gjerësisht në Ukrainë. Deri në momentin e fundit, Kremlini e mohoi faktin se ishte planifikuar një pushtim i vendit fqinj. Edhe zyrtarët e lartë rusë e mësuan të vërtetën vetëm disa orë para se tanket të kalonin përtej kufirit.

Edhe tani, një luftë në shkallë të plotë duhet të quhet “operacion ushtarak special”. Por tani Putini dhe Rusia po paguajnë një kosto të madhe për gënjeshtrat që Kremlini i tha botës dhe vetes. Doli që qeveria e Ukrainës nuk udhëhiqet nga neo-nazistët e droguar, që populli në Ukrainën Lindore nuk është se mezi priste që të “çlirohej” nga ushtria ruse.

Dhe ëndrrat e Putinit për një fitore të shpejtë u bënë pluhur e hi kur u ndeshën me realitetin.

Megjithatë, perëndimi nuk mund të jetë i vetëkënaqur me aftësinë e tij për t’i rezistuar politikës së gënjeshtrave të mëdha. Pushtimi i Irakut u justifikua me pretendimin e rremë se regjimi i Sadam Huseinit po zhvillonte armë të shkatërrimit në masë.

SHBA-ja duket se e ka bindur veten se kjo ishte e vërtetë. Drejtori i CIA-s i tha presidentit Xhorxh W.Bush se provat mbi këto armë “ishin të sigurta”. Presioni politik për të justifikuar një pushtim, ndihmoi në krijimin e një narrative të rreme që pati pasoja katastrofike.

Donald Trump e ka futur politikën e “gënjeshtrave të mëdha” në zemër të politikës së brendshme amerikane. Ai vazhdon të këmbëngulë se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020

iu “vodhën”. Pjesa më e madhe e Partisë Republikane e mbështet këtë gënjeshtër. Dhe Trump duket se do të kandidojë përsëri për presidencën në vitin 2024, dhe ka një shans të mirë për të fituar.

Dallimet më të qarta midis perandorisë ruse të gënjeshtrës dhe perandorisë së hipokrizisë në SHBA, gjenden shpesh jo aq shumë në sjelljen përtej kufijve të tyre, por në sistemet e brendshme që mbrojnë. Sistemi i Putinit mbështetet gjithnjë e më qartë mbi gënjeshtrat dhe shtypjen.

SHBA-ja është ende një vend i lirë. Liria e fjalës është aq e rrënjosur në Amerikë, sa edhe një Donald Trump i rizgjedhur në detyrë nuk do të jetë në gjendje të këmbëngulë - siç bën Putini aktualisht - që çdo qytetar i vendit të tij duhet të mbështesë gënjeshtrën e tij, në të kundërt do të përballet me burgun.

Por, nëse politika e gënjeshtrës së madhe do të nisë të përhapet sërish nga Shtëpia e Bardhë, kjo do ta degradonte Amerikën dhe do të vinte në rrezik mbarë botën.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga