LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja si BE duhet të ndihmojë në ndjekjen penale të Vladimir Putinit për krimet e luftës

27 Maj 2022, 15:23, Blog Carl Bildt

Ja si BE duhet të ndihmojë në ndjekjen penale të Vladimir

Pushtimi i paligjshëm i Ukrainës nga Rusia, është karakterizuar nga masakrat dhe krime lufte, dhe ka nxitur dënimin e Moskës në arenën ndërkombëtare, dhe thirrjet për të dhënë llogari për këto shkelje. Dhe ndërsa shtetet, gjykatat dhe shoqëria civile, po përpiqen që të mbledhin dhe ruajnë provat, edhe me një vullnet të madh dhe burime të shumta, ekziston sërish rreziku që ukrainasit të shohin pak drejtësi për këto krime.

Megjithatë, nga të gjithë partnerët e Ukrainës, Bashkimi Evropian është më i gatshëm të sigurojë llogaridhënien më të mundshme maksimale, dhe mund ta bëjë këtë duke mbështetur krijimin e një Dhome të Posaçme për Krimet e Luftës brenda gjykatave të Ukrainës.

Edhe pse Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) po heton aktualisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi në Ukrainë - përfshirë ato të kryera që nga pushtimi fillestar i Krimesë dhe Donbasit nga Rusia në vitin 2014 - asaj i mungon juridiksioni mbi krimin themelore që i atribuohet drejtpërdrejt presidentit rus Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tij të lartë: krimin e agresionit ndaj një shteti sovran.

Dhe ndërsa GJPN-së i duhet të zgjerojë burimet e saj të kufizuara, për të ushtruar juridiksionin e saj mbi krime të tilla të rënda në mbarë botën, vërtetimi i krimeve që përfshijnë udhëheqësit e lartë përgjegjës për këto vepra, është i mundimshëm por edhe i vështirë. Prokurori i saj mund të pritet vetëm të ngrejë akuza kundër një grupi të dyshuarish për krimet e ndodhura në Ukrainë.

Përtej GJPN, të paktën 10 vende evropiane kanë nisur gjithashtu hetime penale për krimet ndërkombëtare në Ukrainë, shumica nën parimin e juridiksionit universal. Procedura të tilla kanë qenë të rëndësishme në sigurimin e një farë drejtësie për krimet e luftës në Siri, por ato nuk kanë gjasa që të përfundojnë në akuza kundër më shumë se një grupimi të tjerë të dyshuarish për krimet në Ukrainë.

Dhe ndërsa disa nga këto vende që kanë hapur hetime penale, duke përfshirë Ukrainën, kanë juridiksion mbi hetimin e krimit të agresionit, sipas ligjit zakonor ndërkombëtar, zyrtarët e lartë rusë kanë imunitet nga ndjekja penale para çdo gjykate ndërkombëtare.

Për më tepër, nisja e një hetimit është pjesa më e lehtë, por nuk është një tregues i përparimit në drejtim të dhënies së drejtësisë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka deklaruar se deri tani ka hapur hetime për rreth 10.000 krime.

Megjithatë, autoritetet kombëtare kanë punuar prej vitesh mbi rastet e krimeve të ushtrisë ruse në lindje gjatë viteve 2014-2022, duke pasur shumë pak rezultate. Dhe me krimet e tjera të shumta që nga 24 shkurti, ato tani janë të mbingarkuar me punë. Duke ndihmuar në këtë proces, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, janë ndër ata që këshillojnë dhe trajnojnë prokurorët ukrainas.

Disa nga këto përpjekje kanë vlerë reale, të tjerat janë thjesht gjeste të vullnetit të mirë, por me pak efekte reale. Dhe pavarësisht kësaj ndihme, nuk ka gjasa që prokurorët ukrainas të jenë në gjendje të ngrenë padi kundër më shumë se disa autorëve të drejtpërdrejtë të rangjeve të ulëta, apo që kjo qasje të ndërtojë një sistem të brendshëm të përgatitur për të trajtuar rastet e krimeve të luftës për vitet në vijim.

Pra boshllëqet në llogaridhënien e ushtrisë dhe zyrtarëve rusë për krimet e luftës në Ukrainën janë të trefishta: Duhet të ketë drejtësi për krimin dhe agresionin; duhet të gjendet një mënyrë për t’i nxjerrë para përgjegjësisë rusët që janë përgjegjës për shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar; dhe së fundmi komuniteti ndërkombëtar duhet të fillojë të marrë që tani masa për të forcuar sistemin gjyqësor të Ukrainës, në mënyrë që ai të jetë në gjendje të gjykojë krimet e luftës edhe shumë kohë pasi vëmendja ndërkombëtare të jetë kthyer diku tjetër, gjë që do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme.

Fatmirësisht, ka një mënyrë për t’i adresuar këto boshllëqe. Përgjigja ka të bëjë me krijimin e një gjykate për krimin e agresionit, e cila të ketë një karakter ndërkombëtar, dhe para së cilës Putin dhe zyrtarët e tjerë të lartë rusë nuk do të kishin asnjë imunitet nga ndjekja penale.

Në këtë drejtim, disa kanë sugjeruar që Ukraina të nënshkruajë një traktat me Kombet e Bashkuara, në kuadër të një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për të krijuar një gjykatë të posaçme për krimin dhe agresionin. Megjithatë, kjo zgjidhje ngre disa shqetësime të vlefshme për standardet e dyfishta: Nëse OKB-ja krijon një gjykatë për agresionin kundër Ukrainës, pse nuk e bëri këtë për pushtimin e Irakut nga SHBA?

Tek e fundit, një përgjigje e bashkërenduar dhe shumëpalëshe ndaj agresionit në Ukrainë, duhet të rrisë standardet ligjore ndërkombëtare për të gjithë. Dhe duke pasur parasysh hipokrizinë e deridjeshme në nivel global, pikënisja më e mirë për të krijuar një gjykatë të tillë, mund të jetë krijimi i një partneriteti rajonal me Ukrainën.

Bashkimi Evropian është në pozicionin më të mirë për të udhëhequr një përpjekje të tillë. Ai tashmë është partner i Dhomave të Specializuara në Kosovë - një model që mund të përshtatet edhe në këtë rast. Këtë muaj, Komisioni i BE-së propozoi forcimin e mandatit të EUROJUST për të përfshirë mbledhjen dhe ruajtjen e provave në Ukrainë, dhe kjo nismë mund të përbëjë bërthamën për krijimin e prokurorisë speciale.

Më pas Brukseli mund të ndërmarrë hapin tjetër për të rënë dakord me Ukrainën mbi krijimin e një prokurorie të ndërkombëtarizuar brenda zyrës së prokurorit të vendit, me gjyqtarë dhe staf ndërkombëtar, që do t’i bashkohen një Dhome të Posaçme për Krimet e Luftës brenda gjyqësorit ukrainas.

Ose Ukraina dhe partnerët ndërkombëtarë mund të bien dakord të krijojnë një gjykatë jashtë sistemit të brendshëm të Ukrainës me një staf hibrid, që do të funksionojë sipas kodeve të veta të procedurës penale. Në Bosnje dhe raste të tjera, kjo mënyrë e punës krah për krah me ekspertët ndërkombëtarë për rastet fillestare, është dëshmuar si më e mira për të ndërtuar kapacitete afatgjata.

Bashkim Evropian ka shfaqur tashmë një mbështetje të jashtëzakonshme për Ukrainën, dhe në përgjigje të brutalitetit të vazhdueshëm të Rusisë, ai mund të jetë partneri i përsosur i këtij vendi për të krijuar një mekanizëm efektiv për të bërë drejtësi për viktimat e pafajshme të kësaj lufte.

Shënim:Carl Bildt, ish-kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Suedisë. Aktualisht është bashkë-kryetar i think-tankut “European Council on Foreign Relations”.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga