web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Shuhet Gjeto Vocaj/Mësuesi të cilit i ndryshoi jeta pas takimit fatal me Enver Hoxhën

11 Janar 2025, 20:14, Aktualitet CNA
Shuhet Gjeto Vocaj/Mësuesi të cilit i ndryshoi jeta pas takimit fatal
Gjeto Vocaj

Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare mësuesi Gjeto Vocaj, i cili vuajti dënimin me 7 vite burg nga Regjimi Komunist i Enver Hoxhës për akuzën "agjitacion dhe propagandë" dhe familja e tij u internua. Gjeto Vocaj njihet si mësuesi, i cili u dënua sepse zbuloi një gjeni në matematikë mes nxënësve të tij, në shkollën ku ushtronte profesionin në Dukagjin. Pas takimit me diktatorin Enver Hoxha në vitin 1962, i thirrur nga ky i fundit për ecurinë e fëmijës gjeni nisi edhe përndjekja nga sigurimi për shkak të biografisë së familjes, deri në vitin 1979 kur u arrestua dhe dënua me 7 vite burg.

Shuhet Gjeto Vocaj/Mësuesi të cilit i ndryshoi jeta pas takimit fatal

Lajmin për ndarjen nga jeta të mësuesit të njohur e ka njoftuar Shoqata e Ish-të Përndjekurve Politikë, Shkodër përmes një letre homazh të shpërndarë për mediat.

IN MEMORIAM (ME RASTIN E NDRRIMIT TË JETËS SË z.GJETO VOCAJ)

Gjeto Vocaj, biri i nji familje nacionaliste antikomuniste leu në Mirditë në vjetin
1939. Ndërsa po shetiste me gjyshin e tij dorë për dorë në livadhin para shtëpis, nji
krizëm automatiku shungulloi në veshët e tij dhe papritmas gjyshi ra përdhe i
vdekun...
Ishte ballafaqimi i parë i nji fëmije pesë vjeçar me krimin, me të keqen dhe tmerrin,
që ai, familja e tij, por i tanë populli shqiptar do të prvonte mbi kurriz për gjysë
shekulli.
U rrit në vorfni me hallet e jetës, që përjetonte shtresa e deklasueme si rezultat i
luftës së klasave nën diktaturën kriminale komuniste.
Me rastin e punësimit së babës së tij në rrethin e Shkodrës, Gjeto pati mundësine e
arsimimit në shkollën e mesme pedagogjike dhe për nevojat e arsimit të asaj kohe u
emnue mësues në zonat e thella të Dukagjinit.
(Kujtojmë se ishin vjetët mbas vdekjes së baba Stalinit, kur Krushovi po
eleminonte nji mbas nji udhëheqësat stalinistë të vendeve komuniste të Europës
lindore dhe për kët arsye birbua i Gjirokastrës zbuti luftën e klasave)
Dashunia për profesionin dhe për fëmijt e vorfën, por shumë të zgjuet dukagjinas i
dhanë mësues Gjetos nji impuls të ri për jeten. Gjatë proçesit mësimor dalloi nji fëmij që kishte talent të lindun për matematikë, përshkrimi i aftësive gjeniale të Nikës së vogël në nji shkrim në gazeten "Mësuesi"e bani mësues Gjeton shumë të njohun në mjedisin pedagogjik shqiptarë. Fjala mori dhenë, entuziazmi i zbulimit të gjeniut shqiptar të matematikës shkoi deri aq lart sa udhëheqësi suprem, Enveri, kërkoi takim më mësuesin e ri të Dukagjinit. Me urdhër prej lart, mësues Gjeto u transferue në Shkodër, përfundoi edhe Institutin dy vjeçar për matematikë, krijoi familje me Lilin, nji grue që i qëndroi afër të tanë jeten dhe u trashigue me dy djelm, por vazhdimi i ngjarjeve vertetoi se takimi me komandantin suprem paska pasë qenë takim fatal për jeten e tij; jehona e takimit përshkoi edhe Degen e Punëve të Brëndshme të Shkodrës, ku n/kryetari (mirditor) kishte zbulue biografinë
e mësuesit Gjeto Vocaj i cili na qenkërka nipi i armikut të partisë. Çdo gja, mbas këtij zbulimi shkoi mbrapsht në jeten e tij, mësuesi i dalluem GjetoVocaj u dënue me 7 vjetë burg me akuzën agjitacion e propogandë, në bazë të dëshmive fallco të elementeve të shitun te sigurimi i shteti. Vuejti burgun e Spaçit dhe ate të Ballshit, e shoqja Lili me dy fëmijët së bashku me të atin e Gjetos u internuen në nji fshat larg Shkodrës dhe mbijetuen me punën e Lilit në kooperativen bujqësore. I ati i Gjetos vdiq atje në internim nën kujdesin e së shoqes dhe se pau ma të birin. Kur Gjeto Vocaj kreu dënimin e u kthye në Shkodër nuk kishte asstrehim, sepse apartamntin e tij ia kishin dhanë nji familje tjeter. Për me e hekë qafepër kërkesën e tij në lidhje me apartamentin e internuen në zonën e Komanit, pa të
drejtë takimi me familjarët e tij që vazhdojshin internimin në nji zonë tjeter. Mbas shumë kërkesash e përpjekjesh, vetem mbas nji vjeti, mbrriti u bashkue më familjen e tij në nji fshat në zonën e Komanit. Pak para vjetit 1990 u lejue u kthye në Shkodër, por mbeti pa strehim dhe punoi si punëtor krahu.
Mbas vetëshembjes se diktaturës komuniste, familja e Gjeto Vocaj gjeti përkrahje
prej pushtetit vendor, (Bashkisë), punë përsëri në sektorin e arsimit dhe strehim për
familje. Por nuk paska qenë e thanë që hallet e kryqet e familjes së Gjeto Vocaj të
kishin fund, gjama e madhe i mbuloi në vjetin 1997, kur djali i tij, Edi në moshën 28-
vjeçare hupi jeten si rezultat i vrasjes prej njanit prej vjedhësve të makinës së tij.
Gjeto Vocaj asht shembull i qytetarit model; me kontribut për kulturën dhe
demokracinë e re shqiptare dhe pjestar aktiv pranë Shoqatës së ish të Përndjekunve
Poltik Shkodër.
Kishte kulturë të gjanë dhe vizion europian, zotnonte dy gjuhë të hueja, lexonte
shumë, kishte pasion pikturën, tregoi aftësi të veçantë në shkrimin e shumë
artikujve në gazetat kryesore shqiptare. Si shkrimtar u ba i njohun publikisht me
shkrimin e librit të jetës së tij me titull "Takim fatal me diktatorin", i cili pati shumë
sukses, u publikue tre herë, sot nuk gjindet asnji libër në librari. Libri në fjalë asht
publikue edhe në gjuhën angleze dhe po pregatitet publikimi në gjuhën italiane.
I ndjeri Gjeto Vocaj ishte njëriu me karakter të fortë, që nuk thyhet kurrë prej
fatkeqësive e vështirësive të jetës. Gjithmonë me buzë në gaz, i dashun me të tanë,
kurrë fjalë të randa për tjetrin, i sjellshëm dhe xhentil në familje e në shoqni. Shpirti i
tij nuk njifte urrejtje as për ato që ia shkatëruen jeten, për të cilët kërkonte vetem
drejtësi ligjore.
E konsiderojmë vehten me fat që u njohëm , u miqësuem dhe qëndruem së bashku
me të ndjerin Gjeto Vocaj.
Ndrrimi i jetës së z.Gjeto Vocaj nuk asht dhimbje dhe hupje vetëm për familjen e
tij, por për të tanë miqt e shokët e tij e ma gjanë për të tanë Shkodrën.
Me kët rast në emnin tim dhe të Shoqatës së ish të Përndjekunve Politik Shkodër i
paraqes familjes së të ndjerit Gjeto Vocaj, ngushllimet ma të ndijshme për hupjen
e njëriut të tynë të dashun.
GJETO, MBETESH I PAHARRUEM NË KUJTESEN TONË, PUSHOFSH NË PAQE!
Për Shoqaten e ish të përndjekunve politikë të Shqipnisë, Shkodër:
Zenel Drangu, Filip Guraziu, Angjelin Daberdaku, Gjek Beqi, Xhevdet Amuli,
Maxhid Cungu, Luigj MIia, Sabri Bushati, Ndoc Ashta, Lin Guri, Gjovalin Çuni,Lela
Zorba, Vjollca Kapeta, Lizeta Bushati, Islam Bruçaj, Bib Tanazi, Mark Zadeja,
Leopold Shkreli, Pjerin Pjalmi, Gjergj Livadhi, Skender Bushati, Renato Xhuxha," thuhet në njoftimin e miqve të Gjeto Vocajt./CNA





Lajmet e fundit nga