web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rama: Korridori VIII pjesë e rrjetit europian, rrit rëndësinë strategjike të Shqipërisë

7 Mars 2026, 14:40, Aktualitet CNA

Rama: Korridori VIII pjesë e rrjetit europian, rrit

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Korridori VIII ka qenë prej kohësh i konsideruar strategjik për Shqipërinë, por për një periudhë të gjatë nuk ishte pranuar nga Bashkimi Europian si pjesë e korridoreve europiane.

Sipas tij, arsyeja ishte se jo të gjitha vendet e BE-së e mbështesnin përfshirjen e këtij korridori në rrjetin europian, pasi një status i tillë e bën atë të financueshëm nga fondet e Bashkimit Europian dhe institucionet financiare europiane.

Rama theksoi se pas këmbënguljes së Shqipërisë, në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, Korridori VIII u përfshi në rrjetin europian të korridoreve, duke i dhënë atij një rëndësi të re strategjike.

Kryeministri shtoi se projekti kërkon bashkëpunim edhe me vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, ndërsa është krijuar edhe një program bashkëpunimi katërpalësh ku përfshihet edhe Italia për rëndësinë strategjike të këtij korridori.

Sipas Ramës, Korridori VIII është përfshirë gjithashtu në rrjetin e korridoreve për lëvizjen e forcave ushtarake të NATO-s, çka rrit më tej rëndësinë e tij si aset strategjik për rajonin.

Ai theksoi se ndërtimi i një krahu ushtarak në port do ta bëjë korridorin edhe më të rëndësishëm, duke rritur vlerën ekonomike, zhvillimin e zonave përreth dhe impaktin social për vendin.

“Korridori VIII ka qenë një korridor prej kohësh i kuptuar dhe i deklaruar strategjik për vendin tonë, por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor europian. Arsyeja është se jo të gjitha vendet e BE-së e donin këtë korridor dhe ka pasur refuzim nga BE-ja për ta përfshirë në korridoret europiane sepse i jep një korridori vlerën si një aset i BE-së. Duke qenë i tillë korridori bëhet i financueshëm nga fondet europiane dhe që mund të merren nga organizata financiare europiane, ka qenë këmbëngulja jonë që në samitin BE-Ballkani Perëndimor ky korridor u fut në rrjetin europian të korridoreve. Duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike e tij, por dhe u vulos rëndësia strategjike e tij, që bashkë me portin e ri të Durrësit garanton një lëvizje të mallrave dhe njerëzve nga lindja drejt perëndimit.

Paralelisht korridori duhet të ndërtohet dhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas praktikisht në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari. Nuk e di a e keni ndjekur, por është ndërtuar një program bashkëpunim katërpalësh e përfshirë dhe Italia për rëndësinë strategjike të Korridorit VIII.

Korridori VIII është përfshirë në korridoret e lëvizjes së forcave ushtarake të NATO-s që i rrit më shumë vlerat dhe e bën më të rëndësishëm si aset. Përpjekja jonë për ndërtimin e një krahu ushtarak të portit do ta bëjë korridorin më të rëndësishëm dhe do të rrisë vlerën e  tij dhe vlerën e pronës përreth tij e patjetër dhe impaktin ekonomik e social. Kjo është një vepër e madhe për t'u zhytur në baltën e makinerisë që nuk bën tjetër veçse prodhon baltë. S’ka lidhje me impaktin e punimit apo siç thoshin gjithologët e tenxhereve me marrjen e zhavorrit nga lumi. Duhet të jesh injorant dhe maskara shumë i madh t’u frysh veshët njerëzve me të tilla broçkulla. Maskarallëku i atyre që bëjnë këtë punë përditë disa paguhen nga taksat e popullit, janë përfaqësues të një të ikuri fare nga mendja e kokës, disa paguhen në të zezë për ta bërë këtë punë natën në klubet mediatike”, tha Rama./ CNA





Lajmet e fundit nga