LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një reklamë për Shqipërinë

26 Nëntor 2022, 10:59, Aktualitet CNA
Një reklamë për Shqipërinë
Drejtoresha e Përgjithshme të Vodafone Albania, Katia Stathaki

Përgjatë më shumë se një viti, që po drejton Vodafone Albania si Drejtoreshë e Përgjithshme, e po jeton në Tiranë, Katia Stathaki po zbulon e njeh një Shqipëri që po e mahnit në çdo cep të saj, me çdo zakon e traditë, me të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë, me njerëzit ambiciozë që janë gjithmonë në kërkim të së resë. Në një intervistë dhënë për gazetaren Mira Kazhani, CEO e Vodafone ka folur jo vetëm për përjetimet e saj personale të lidhura me këtë vend, por dhe për vizionin e misionin që kompania që ajo drejton ka, për të promovuar #kudomeVodafone Shqipërinë e për të ecur gjithmonë një hap para përmes fuqisë së teknologjisë, për t’u dhënë gjithnjë e më shumë mundësi të reja shqiptarëve, për informim, edukim, argëtim e padiskutim dhe për më shumë lehtësira në bizneset e tyre. Stathaki i uron të gjithë për festën e bukur të pavarsisë, të cilën do ta festojë këtu. Më poshtë intervista e plotë:

Mira Kazhani: Mirë se erdhe Katherine Stathaki apo siç të gjithë të thërrasin, Katia. Ftesa ime për ju ka qenë që kur morët në dorë drejtimin e Vodafone në Shqipëri (korrik 2021). Ishte interesante për mua të bëj një bisedë me ju, edhe si një grua në krye të kompanisë teknologjike më të madhe këtu në Shqipëri. A je fanse e podcasteve në përgjithësi? Të pëlqejnë? E di që Vodafone është kudo! (slogani) sidomos tek e ardhmja.

Katia Stathaki: Së pari, faleminderit për ftesën! Na mori një kohë të gjatë për t'u takuar, por mendoj se tani është momenti i duhur, sepse kemi shumë për të folur. Unë kam pasur disa eksperienca në Shqipëri. Kështu që po, më pëlqejnë podcastet. Kjo në fakt është intervista e parë për një podcast me fytyrë. Faleminderit për mundësinë! Edhe unë në fakt kam bërë kërkimet e mia dhe e di që ti je me shumë mundësi një nga më të mirat në Shqipëri, në këtë fushë, ndaj jam e lumtur që jam këtu.

Sa për “Vodafone është kudo”, po, ne jemi kudo. Jemi kudo në botë dhe kudo në Shqipëri. Jemi kudo ku njerëzit janë të lidhur dhe kudo ku njerëzit duan një komunikim të sigurt dhe kudo ku njerëzit kanë nevojë për ne. Kështu që, “Kudo me Vodafone”!

Mira Kazhani: Reklamë e mirë! (qesh)

Katia Stathaki: Duhet! Është pjesë e rolit që kam. (qesh)

Mira Kazhani: Nëse s'e bëni ju, kush tjetër…?! (qesh)

Ne jetojmë në botën e komunikimit. Je ti një person që qëndron shumë në telefon, në chat grupi, në telefonata, "WhatsApp", "Instagram", "Twitter"?

Katia Stathaki: Po. Gjithë ditën e ditës. Komunikimi është një nga gjërat më të rëndësishme ku jemi përfshirë. Sot është e mahnitshme se si mund të flasësh, si mund të shikosh fotot e të afërmve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Mund të flasësh me miqtë kudo në botë. Mund të ndash eksperiencat. Mund të punosh në distancë. Të gjitha këto mundësohen vetëm nga teknologjia dhe komunikimi teknologjik. Unë jam çdo ditë në telefon, në ekran dhe sot mendoj se është për të gjithë njësoj, sidomos për brezin e ri.

Mira Kazhani: Po djali yt?

Katia Stathaki: Oh, djali im! Unë duhet të bëj një “operacion” çdo natë që t'i heq iPad-in nga dora. Është një djalë i lumtur. Si të gjithë djemtë apo vajzat sot të tërhequr pas teknologjisë. Ai ka telefonin e tij, kompjuterin për shkollën, kështu që kudo është teknologjia.

Mira Kazhani: Dua të kthehem pak në momentet e para kur ju propozuan të ishit CEO. E di që të jesh CEO është diçka e madhe. Askush s'do t'i thoshte ‘Jo’. Por kur mësuat destinacionin, që do të ishte Shqipëria, a ju erdhi mirë? Do punonit më afër shtëpisë, se Shqipëria është shumë afër. Besoj ju ka qëlluar të njihni shqiptarë gjatë jetës tuaj. 1 milion nga ne jetojnë atje prej 30 vitesh.

Katia Stathaki: Për pjesën e parë të pyetjes do thoja që kam filluar me hapa të vegjël në Vodafone. Me idenë që kam filluar me role shumë të vogla. Kam qenë eksperte në fushën e vlerësimit të shërbimit. U rrita brenda Vodafone derisa m'u ofrua detyra e CEO-s. Natyrisht kur merr rolin e CEO-s së Vodafone – që është një kompani shumë e strukturuar, në çdo vend ka të njëjtin standard, të njëjtat pozicione pune, gjithçka njësoj – isha sigurisht shumë e lumtur që m'u dha ky rol. Dua të jem shumë e sinqertë me ty dhe jam gjithmonë e sinqertë me këto gjëra. Përpara se të vija këtu, edhe pse kisha miq shqiptarë në Greqi, nuk dija shumë për shqiptarët.

Mira Kazhani: Si kështu?

Katia Stathaki: Po e keni parasysh median në çdo vend. Unë e dua median, meqë ra fjala. Po ndonjëherë gjërat e këqija i ekzagjerojnë më shumë krahasuar me të mirat. Nuk e dija çfarë ndodhte këtu. Sa i zhvilluar ishte ky vend. Sa progres ishte bërë me kalimin e viteve, që prej regjimit që keni pasur. Nuk isha e informuar. Njerëzit që njihja në Greqi nuk më kishin folur shumë për Shqipërinë. Ama kur më flisnin, e bënin gjithmonë me krenari. Kur erdha këtu, më duhet ta them që ishte një surprizë e bukur për mua. Tani mund ta them që s`kam pak, por kam shumë miq shqiptarë. Jam shumë e lumtur të jem këtu, të drejtoj kompaninë dhe të jetoj këtu në Tiranë.

Mira Kazhani: Unë di diçka për kopshtarin tënd. Ai është shqiptar.

Katia Stathaki: Po. Zoti Kirjakos (Qirjako). Ai është nga një fshat i Sarandës. Nuk e mbaj mend mirë prej cilit fshat. Ai është kopshtari im në Greqi. Unë e thërras gjithmonë “pëshpëritës bimësh”. Ai i dashuron bimët. Flet me to. Është mbase kopshtari më i mirë, më i mirë në botë. Po as ai nuk më ka folur shumë…  Kur u ktheva për herë të parë, ai m'u afrua në ankth dhe më tha: Si t`u duk Shqipëria? Unë i thashë: Kirjakos, fantastike! Vendi juaj është i mrekullueshëm. Ka aq shumë zhvillim atje. Ka kaq shumë vibes, mundësi, energji. Po pse s`flisni ju për Shqipërinë? I thashë, ju duhet të jeni ambasadorët më të mëdhenj të vendit tuaj, sepse ka shumë prej jush që jetojnë në Greqi.

Mira Kazhani: Ne jemi në nëntor. Nëntori është muaji ynë i Pavarësisë. Jemi afër 110-vjetorit dhe vendi ynë ka kaluar jo pak gjatë historisë. Ne ia dolëm të mbijetonim dhe të ruanim rrënjët tona dhe gjuhën tonë. Sot, jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota duket që po kalon shumë stres. Po edhe prej luftës në Ukrainë, apo faktit që njerëzit pas pandemisë ndryshuan disi. Dhe tani prapë në Shqipëri duket se brezi i ri është i etur për të ikur, për të gjetur një jetë më të mirë jashtë. Ashtu si 30 vjet më parë me Kirjakos që në fakt në Shqipëri e quajmë Qirjako.

Katia Stathaki: Qirjako? Ok, do t'i thërras Qirjako kur të kthehem. (qesh)

Mira Kazhani: Ç`mendon për këtë dëshirën për të emigruar?

Katia Stathaki: Së pari dua të them Gëzuar 110-vjetorin e Pavarësisë, Ditën e Flamurit! Siç thashë, nuk dija shumë për historinë e Shqipërisë përpara se të vija këtu. Në 16 muajt e fundit kam mësuar shumë gjëra dhe mund ta kuptoj më mirë rrugëtimin e Shqipërisë dhe gjithçka që ka kaluar. S`mund të them që e di, por mund t`i kuptoj betejat nëpër të cilat kanë kaluar dhe mund të them vetëm që i admiroj për ku kanë arritur sot, se ka qenë e vështirë dhe e gjatë rruga për të jetuar në demokraci. Kështu që unë do të jem këtu për ta festuar këtë ditë me ju në 28 dhe 29.  

Përsa i përket situatës sot në botë, do thoja që jemi duke jetuar në “stuhinë perfekte”. Sapo dolëm nga pandemia. Po bëhet luftë në Ukrainë. Nisi sapo dolëm nga pandemia. Befas të gjithë u shokuan. Më pas erdhi kriza energjetike si pasojë e luftës dhe rrjedhave të tjera, si inflacioni dhe kostot e jetesës. Janë 4 ngjarje që të gjitha bashkë kanë prekur Europën dhe gjithë botën. Dhe sigurisht kjo nuk mund të mos prekte Shqipërinë. Nuk do kursente asnjë shtet. As ato më të fuqishmet dhe të pasurat. Në këtë kontekst mendoj se shumë njerëz sot janë në kërkim të një niveli më të mirë jetese.

Një aspekt tjetër ku pandemia ka ndikuar është se rriti përdorimin e teknologjisë. Dha mundësinë të punosh në distancë duke jetuar në vendin tënd. Kështu që do i thoja ‘Po’ emigrimit, sepse unë vij nga një vend që ka pasur valë të shumta emigrimi në të shkuarën.

Para 7-9 viteve ne patën një largim të rreth 450 mijë të njerëzve tanë më produktivë, në Greqi. U larguan nga Greqia për shkak të krizës ekonomike. Falë Zotit, disa prej tyre po rikthehen. Mendoj se është e natyrshme që njerëzit largohen nga një vend kur kufijtë janë të hapur. Njerëzit kërkojnë një jetë më të mirë dhe kjo është kaq e natyrshme. Kështu e shoh unë, se jam optimiste…

Mira Kazhani: Është e dukshme! (qesh)

Katia Stathaki: Mund ta shohim këtë në një mënyrë pozitive. Nëse njerëzit largohen, brendësojnë  dimensione të ndryshme të jetës. Ata i mësojnë gjërat në një mënyrë ndryshe. Mund të ndihen keq në Greqi apo kudo nga ku largohen. E nëse një ditë kthehen, sjellin me vete gjëra që mund të aplikohen këtu dhe mund të ndihmojnë vendin të ketë sukses. Do të rikthehesha tek çdokush që e merr mundimin. Ne kemi një kompani teknologjike dhe përpiqemi t’i mbajmë të rinjtë këtu.

Të rinjtë duhet ta dinë rëndësinë e aftësive dixhitale, faktin që kërkohen shumë qëmund të punojnë nga Shqipëria, nga ky vend i mrekullueshëm dhe i bukur për kompani që janë në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Gjermani. Nuk u duhet të lënë shtëpitë për të gjetur një jetë më të mirë. Madje mendoj që këtu duhet të jetë fokusi. Po shoh që qeveria u ka dhënë prioritet tashmë aftësive dixhitale.

E kuptuan rëndësinë. Edhe ne të sektorit privat duhet të punojmë për këtë gjë, veçanërisht kompanitë teknologjike si e jona. Ne kemi nevojë për njerëz me aftësi teknologjike për të mbijetuar. Mendoj se investimi në aftësitë dixhitale, investimi në teknologji e çon vendin përpara.

Mira Kazhani: Po kjo është shumë e rëndësishme. Kur unë isha studente dhe doja të bëhesha e suksesshme, punoja në panaire dhe më pëlqente edhe ideja të isha një agjente e Vodafone në ato kohëra. Po s'e pata atë shans (qesh). Dhe ja ku jam sot duke intervistuar CEO-n dora vetë. Dhe meqë jemi te të rinjtë, si është të punosh në Vodafone? Mesa duket ende jam kurioze.

Katia Stathaki: Do ta shprehja me një fjalë dhe jo sepse jam CEO e Vodafone, por sepse më vjen nga kraharori. Emocionuese! Kam punuar për Vodafone për 21 vite, kam bërë 10 punë të ndryshme. E dua këtë rrugëtim, kam mësuar shumë, jam rritur si person, dhe nuk jam vetëm unë. Vodafone është një mjedis dijesh. Është një mjedis që ecën me ritme të shpejta, me teknologji të reja, trendet e reja edhe mënyrat hibride të të punuarit, që i kemi shfaqur në këtë vend.

Sot njerëzit tanë punojnë 60% në zyra dhe 40% nga të duan. Mund të jenë në një zyrë tjetër, në park, në shtëpinë e tyre. Nënat mund të shkojnë edhe të marrin fëmijët e tyre nga shkollat dhe të vazhdojnë të punojnë. Kjo është e rëndësishme, sepse puna në një mjedis që të respekton, të ndihmon të rritesh. Dhe e mira tjetër e të punuarit me një kompani si Vodafone është se ke mundësi të shumta për të bërë punë të ndryshme brenda vendit, por gjithashtu të udhëtosh në kompanitë e tjera Vodafone kudo në botë, të marrësh eksperiencë dhe ta risjellësh në vend. Ne po e bëjmë këtë. Kemi shumë shqiptarë aktualisht që po punojnë në Gjermani, Luksemburg, Mbretërinë e Bashkuar. Ndonjëherë ata kthehen, sjellin njohuritë e reja dhe rriten në këtë mjedis.

Mira Kazhani: Disa tipare që karakterizojnë një punonjës shqiptar?

Katia Stathaki: Së pari mendoj që përbëjnë një skuadër të shkëlqyer. Jam shumë me fat që kam gjetur këtë ekip këtu. Janë të uritur për të mësuar gjëra të reja, të përparojnë. Mund ta shohësh në çdo gjë që ata bëjnë. Janë shumë besnikë. Duan të provojnë gjëra të reja. Është shumë e rëndësishme për mua t’u tregoj atyre që mund të provojnë gjëra të reja, mund të dështojnë, mund të mësojnë prej tyre dhe të ecin përpara. Nëse nuk dështoni, nuk ecni përpara! E them me bindje nga sa kam parë vërdallë, nëpër dyqane të ndryshme Vodafone, në supermarket, shqiptarët janë njerëz të uritur për të bërë më shumë. Mendoj se kjo është A-ja e progresit, njerëz që duan të bëjnë më shumë, që shohin rreth e rrotull për mundësi dhe sesi një kompani e madhe duhet t’i ndihmojmë në këtë proces.

Mira Kazhani: A kemi diçka për të korrigjuar?

Katia Stathaki: Nuk kam diçka për t`i korrigjuar.

Mira Kazhani: Diçka për të ndryshuar?

Katia Stathaki: Diçka që shoh edhe te miqtë e mi grekë, është që ankohen shumë ‘ky nuk është i mirë’ ‘ai nuk është i mirë’. Ok nuk është i mirë. Kjo është jeta. Jo çdo gjë mund të jetë perfekte. Qëndrimi im në jetë është: Po unë do ta shoh. Mbase do të ankohem për një periudhë të shkurtër kohore, por do eci përpara. Shiko çfarë mund të ndryshosh.

Shiko ndryshimet që mund të sjellësh në sistem. Sistemi nuk mund të rregullohet vetvetiu, ne jemi sistemi, ne jemi pjesë e tij, kështu që ne të gjithë kemi në dorë të bëjmë diçka. Si psh, mos e hidh atë letrën në tokë, nëse nuk do t ‘i shohësh rrugët pis. Pastroje vetë diçka, mbille një pemë nëse do hije, e nuk duron të përzhitesh në diell. Ka plot gjëra, që mund të bëjmë e ndryshojmë të gjithë.

Sigurisht që shteti duhet të ecë përkrah nesh me politikat e tij, por unë ndihem mirë brenda vetes, kur shoh se kam fuqi për të dhënë kontributin tim. Nuk mund të presim që njerëzit e tjerë rreth nesh do bëjnë punën tonë, që do t’i ndryshojnë ata gjërat. “Unë dua ta ndryshoj botën, pak nga pak, s'ka pse të jetë doemos një revolucion”. Është në gjërat e vogla që bëjmë çdo ditë ndryshimi, dhe përmirësimi i jetës sonë dhe ekuilibrit tonë mendor.

Mira Kazhani: Më fal Katia; Unë e dua Greqinë, i dua grekët, është një vend i bukur me njerëz të bukur, por teksa të dëgjoj ty sot po më dukesh më shumë si gjermane (qesh), kur flet me këtë lloj disipline dhe me këtë shpirtin optimist. Këtë të fundit në fakt e ke nga Greqia.

Katia Stathaki: Kur kam qenë 7 vjeç e gjysmë, familja ime u shpërngul për në Gjermani. Prindërit e mi ishin të dy mësues të klasave fillore. Iu dha si detyrë për 5 vjet t`u mësonin greqisht fëmijëve në Gjermani. Ka një komunitet të madh grekësh në Gjermani.

Mira Kazhani: Kudo!

Katia Stathaki: Ka më shumë grekë jashtë Greqisë, ashtu si shqiptarë jashtë Shqipërisë. Jetuam atje dhe që në moshë të vogël u prezantova me këtë mënyrë të strukturuar të menduari të gjermanëve dhe të mendësisë së gjithë shoqërisë të të punuarit, nëse është apo jo qeveria në mes. Shoqëria udhëhiqet nga ligji. Kështu që mendoj se e kam kombinuar këtë me temperamentin tim grek, apo temperamentin ballkanas më mirë të them. Se janë shumë të ngjashëm në këtë pikë. Gjithashtu një kombinim të organizimit, pasionit, fleksibiltetit që kemi në Ballkan. Mendoj që këto nxjerrin një rezultat të mirë në fund.

Mira Kazhani: Tani që të kam këtu, më erdhi në mend një pyetje. Pse grekët kudo ku kanë emigruar kanë ndërtuar lagjet e tyre?

Katia Stathaki: Unë mendoj që kjo i përket viteve '50, '60, '70. Kur e lanë Greqinë ishin shumë të izoluar. Nuk kishte aeroplanë, ose kishte shumë pak. Ishin luks avionët. Kështu që ata shkuan në Kanada, Neë York apo Gjermani, sepse një nga të afërmit e tyre kishte shkuar atje. Ndaj zgjidhnin të jetonin bashkë, sepse kishin ardhur nga një vend i vogël. Gjendeshin pastaj në Neë York, Chicago. Ishte diçka e madhe mendoj duke e parë me sytë e asaj kohe. Krahasuar me sot… Ne udhëtojmë. Ne kemi internet. Ne e shikojmë gjithçka më përpara. Halla ime emigroi gjithashtu në Shtetet e Bashkuara në 1964-ën. Natyrisht një vajzë që largohej vetëm, duhej të jetonte atje me grekë të tjerë, të martohej me grek dhe pastaj është si “My big fat greek wedding”. (qesh)

Mira Kazhani: E dua atë film!

Katia Stathaki: Po nuk është më e njëjta gjë. Ata janë bërë tashmë qytetarë të botës.

Mira Kazhani: Mua s'më pëlqen kjo.

Katia Stathaki: S'e di.

Mira Kazhani: Mbase është më mirë të jenë… (tregon me duar ‘për të qenë kompakt’).

Le të flasim për Shqipërinë. E thashë edhe në fillim, kam parë që je shndërruar në një influencuese në promovimin e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Çfarë të duket speciale dhe unike këtu?

Katia Stathaki: Erdha këtu dhe nuk isha e përgatitur për bukurinë e këtij vendi. Mbase ju shqiptarët jeni mësuar me të, por dikush që s`di asgjë për Shqipërinë, vetëm magjepset. Nga veriu në jug, ka vende të mrekullueshme për të shkuar. Nuk do ta harroj kurrë 14-15 prillin e këtij viti. Shkuam me makinë drejt digës që të çon në Valbonë. Kur shkova në traget thashë: O Zot! Kështu duhet të duket parajsa. Ishte thjesht e mahnitëse.

Në Valbonë ishte kaq qetësi, kaq magjepsëse. Dhe mendova me vete, pse dreqin nuk është ky vend një lloj Gstaad? Pse nuk ka më shumë turistë këtu? Meqë ra fjala, mos e bëni si Gstaad! (qesh). Po dua të them që kishte kaq pak njerëz atje. Ne qëndruam në një hotel të këndshëm prej druri. Hëngrëm vezë rose. Ku e gjen këtë në ndonjë vend tjetër të botës? Pastaj pamë Syrin e Kaltër. Këtë bukuri natyre, rreth e rrotull. Unë për pak u zhyta, por më tërhoqën, më thanë është ujë i ftohtë. Falë Zotit, s`e bëra. Kemi shkuar në Korçë, në Voskopojë, në Dhërmi, në Sarandë, në Gjirokastër. Madje edhe në Shën Gjergj, pas malit. Kaq bukur! Ushqimi që ha është fantastik kudo. Edhe aty ku është i shtrenjtë, apo edhe aty ku është i lirë. Restorantet e vogla ku shkuam, jashtë Beratit, dikush na çoi atje, se vetë s`do t`i gjenim dot…

Mira Kazhani: Mund t`i përmendësh emrat nëse do. S'ka problem për mua.

Katia Stathaki: Shkuam te Kantina Çobo. Pronari na dërgoi atje. Hëngrëm një pulë fantastike për një çmim qesharak.

Mira Kazhani: Sa kushtoi?

Katia Stathaki: Ne ishim diku tek 10 veta dhe paguam më pak se 50 euro. Po nuk është çështja te çmimi, është te mikpritja, cilësia, te djathi i prodhuar vetë. Nuk e gjen në botë. Do shkosh në supermarket dhe do hash djath fantastik.

Mira Kazhani: Siç ju me djathin Feta.

Katia Stathaki: Po Feta Cheese. Po s'kam për ta harruar kurrë herën e parë që hëngra djath të bardhë në Shën Gjergj. Më kujtoi kohën kur kam qenë 7 vjeçe, në fshatin ku ka lindur babai im dhe bariu na e sillte dhe e hanim me bukë të ngrohtë. Këtë panoramë dhe këtë shije nuk ke ku e gjen. Mendoj që Shqipëria është një xhevahir i fshehur që ka nevojë të dalë në dritë.

Mira Kazhani: Si?

Katia Stathaki: Po ju lutem mos bëni gabimin e ndërtimit më shumë seç duhet të mbishfrytëzimit të vendit. Ruajini disa nga këto tradita, të ngrohtësisë dhe mikpritjes. Se këtu ka vërtet eksperienca unike.

Mira Kazhani: Disa gabime janë bërë tashmë, por le të shpresojmë për më të mirën.

Katia Stathaki: Gabimet janë pjesë e jetës. Mund të korrigjohen në të ardhmen.

Mira Kazhani: Cili është ushqimi më i mirë që ke provuar në Shqipëri?

Katia Stathaki: Krudo. Nuk ka në botë krudo si në Shqipëri. As në mënyrën e servirjes, as të cilësisë dhe definitivisht as në çmim. Ti e di, unë vij nga një vend i rrethuar nga Deti Jon dhe Deti Egje. Ka shumë peshq dhe gjithçka. Kam ngrënë krudo kudo, por jo. Krudot në Shqipëri top-notch (cilësia më e lartë).

Mira Kazhani: Shumë faleminderit! Edhe mua më pëlqejnë sufllaqet.

Katia Stathaki: Oo janë fantastike. Kur ndihesh e lodhur pas një dite të lodhshme, një sufllaqe apo gjiro… vetëm se s`duhet ta hash në darkë.

Mira Kazhani: Do them diçka tani. E di që nuk doni të flisni përreth kësaj teme, por unë...

Katia Stathaki: Do e mbyllim tani… (qesh)

Mira Kazhani: Mund ta lëmë pastaj nëse nuk do. Varet nga ty. Nëse nuk do të përgjigjesh dhe të flasësh për këtë temë, s`ka gjë. Unë di që ju keni adoptuar një familje këtu në Shqipëri. Një lloj adoptimi, le te themi. Kujdesesh për ushqimin e tyre çdo muaj. Bëni shopping për ta. Arsyeja përse dua ta them këtë, është sepse më duket një gjest fisnik dhe që mund të frymëzojë të tjerët gjithashtu.

Katia Stathaki: (qesh) Ja pse më thanë që je shumë e zonja në atë që bën. Do t'i bie shkurt. Unë ndihem shumë e bekuar me gjithçka që kam në jetë. Kam një familje të shëndetshme dhe të lumtur. Kam një punë të mirë. Kam rreth e rrotull njerëz që më duan. Kam prindërit që më dhanë gjithë ndihmën që kisha nevojë për të shkëlqyer në jetë dhe për t`i bërë ëndrrat realitet. E kam vënë re shumë herë që ky nuk është rasti i çdo njeriu. Ndaj ky është vetëm një gjest i vogël për të kthyer diçka në këmbim. Mendoj që është detyrimi i të gjithëve ne të ndihmojmë njerëzit në nevojë. Jo të gjithë janë me fat.

Dhe kjo s'ka lidhje me paratë. Kjo ka lidhje me mënyrën sesi e mendojmë jetën. Për mua është shumë e rëndësishme që edhe djali im ta kuptojë këtë dhe të mos i marrë për të mirëqena gjithçka që ka tani. Njerëzit mund të varfërohen çdo ditë. E pamë se ç'po ndodh në Ukrainë. Një ditë njerëzit ishin në shtëpinë e tyre dhe tani po shkojnë në shtete të tjera me një valixhe në dorë. Kështu që mendoj se është detyrimi ynë të ndihmojmë njerëzit pranë nesh që janë në nevojë. Si e gjeta këtë familje? Përmes një kolegu dhe mikut tim që ka një organizatë që mbështet shumë familje në nevojë. Dhe po. E futa në axhendën time për ta bërë çdo muaj. Kjo është.

Mira Kazhani: Po a janë ata të gatshëm të punojnë?

Katia Stathaki: Po janë. Po duhet kuptuar që një problem i madh i varfërisë është se varfëria pjell varfëri. Pra nëse nuk je i arsimuar, është e vështirë të gjesh punë. Punon një ditë dhe nuk punon një ditë tjetër. Ndaj jam një fanse e madhe e edukimit, arsimimit. Pra mos t`u japësh ushqim njerëzve, por t`u japësh atyre mjetet për të ushqyer veten. Për mua është më e rëndësishme si mund t`i ndihmoj fëmijët e tyre për t`i stimuluar, për të vizatuar, për të lexuar një libër.

Edhe kur ata nuk dinë të lexojnë, ta shfletojnë në duar. I duhet dhënë fund ciklit të varfërisë. Kjo mendoj se është gjëja më e mirë që mund të bëjmë dhe Vodafone ka ndërmarrë nisma të tilla, pikërisht për këtë arsye. Me teknologjinë, mund t`i japësh fund varfërisë, ose të paktën mund ta minimizosh atë. Teknologjia e bën arsimimin më demokratik e bën të disponueshëm dhe të aksesueshëm te njerëzit. Kështu që ne po punojmë dhe kemi shumë programe, po i ndërtojmë.

Ne futëm STEM në shkollat publike vitin e kaluar së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Fondacionin Vodafone (Vodafone Foundation). Dhe këtë vit po e fusim në shumë shkolla të tjera. STEM do të thotë shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Shërben për fëmijët e moshës 12 deri në 18 vjeç, që të mësojnë rreth teknologjisë, kodimit, për t’i dhënë stimulimin që duhet. Nuk është se do t`i shpëtojmë jetën, por t`i japim të paktën stimujt. U preka në fillim kur mësuesit u shprehën se para se ky program të hynte në shkolla, nxënësit thoshin unë dua të bëhen një mësues, dua të bëhem një fermer, dua të bëhem pronar dyqani, të gjitha janë punë të ndershme, mos më keqkuptoni.

Po pas kësaj (futjes së STEM) në shkolla ata, vajzat dhe djemtë pa përjashtim, shpreheshin që donin të merreshin me teknologjinë, të mësonin të kodonin. Dhe kjo është e ardhmja. Nëse munden, atëherë mund ta bëjnë nga këtu, nga Elbasani. Edhe nga fshati mund të kodojnë, për sa kohë që kanë linjë të mirë interneti dhe një laptop. Nuk duhet shumë…

Mira Kazhani: Kudo, kudo.

Katia Stathaki: Po, kudo.

Mira Kazhani: Më trego për Steljos? Bashkëshorti yt që jeton midis Athinës dhe Tiranës?

Katia Stathaki: Steljos shkon dhe vjen, sepse ai ka një punë të mirë në Greqi dhe ne jemi një familje shumë tradicionale, kështu që burri është burri. Jo që gruaja është CEO dhe burri...

Mira Kazhani: Tani po flasim...

Katia Stathaki: Ne nuk jemi finlandezë apo norvegjezë. Ne jemi grekë. Ne vijmë nga kjo anë e botës. Ai udhëton shpesh, shkon e vjen. Madje edhe përpara pandemisë ka udhëtuar shumë dhe kjo i bën gjërat më të lehta, sepse edhe në Greqi para se të shpënguleshim ai udhëtonte shpesh 2 ose 3 ditë çdo javë. Tani ai po udhëton mes Tiranës, Brukselit. Shkon në vende të ndryshme. Vjen këtu, se është shtëpia e tij. Është shtëpia jonë. Kështu që jemi shumë fleksibël, flasim shumë në "FaceTime". Funksionon, sepse Tirana dhe Athina janë 55 minuta larg. S`është asgjë.

Mira Kazhani: Nuk është asgjë.

Katia Stathaki: Është njësoj si të marrësh autobusin urban për të shkuar në punë. Ama më duhet të them edhe që Steljos është një pjesë e rëndësishme e asaj që unë jam sot. Është një pjesë e rëndësishme e suksesit tim. Nëse do ta konsideroja karrierën time të suksesshme, atëherë ai është pjesë e këtij suksesi, sepse ka qenë gjithmonë aty për të më mbështetur, edhe kur unë thoja ‘kjo është shumë e vështirë’. Kam marrë shumë ‘jo’, por kapesha fort tek ai. ‘Ti mund ta bësh’, thoshte.

Ai ishte fansi im më i madh përgjatë gjithë 17 viteve dhe gjithmonë do t’i jem mirënjohëse për këtë. Nuk e harroj momentin kur shkova në shtëpi dhe i thashë: “Steljos, u emërova në rolin e CEO-s dhe duhet të zhvendosemi. Po si do të zhvendosemi, djali ynë është 10 vjeç? Do të jetë një shok për të”. Ai më tha: “Do ta menaxhojmë. Do ta bëjmë, do të shkojmë. Ti mund ta bësh, Ti e ke merituar këtë”. Ai ka qenë me mua në çdo hap të rrugëtimit dhe kështu duhet të jetë në fakt një bashkëshort.

Mira Kazhani: Po, çdo gruaje i duhet dhe e meriton një Steljos.

Katia Stathaki: Mendoj se çdo grua duhet të zgjedhë dikë që e mbështet të përmbushë ëndrrat e saj, sepse në këtë jetë ne gratë kemi shumë role. Ne jemi gra. Ne duam të bëhemi nëna, më të shumtat prej nesh, disa nuk duan, por është në rregull gjithsesi. Disa prej nesh duan të fokusohen te karriera, disa prej nesh jo dhe është në rregull edhe kjo pjesë. Ama mendoj se fati më i madh është kesh dikë në krah që të mbështet për të qenë ajo që do të jesh.

Mira Kazhani: Ah kjo është arsyeja që thonë: Bashkëshorte e lumtur, CEO më e mirë.

Katia Stathaki: (qesh) Nuk e di nëse ka lidhje vetëm me të qenurit një bashkëshorte e lumtur, mendoj se ka lidhje më shumë me të qenurit një njeri i balancuar apo të paktën të përpiqesh të jesh i balancuar, sepse të gjitha këto axhenda, orare, mund të prishin balancat. Kështu që duhet të kesh rregullat e tua, duhet të jesh me të dyja këmbët në tokë.

Duhet të vlerësosh çdo gjë të vogël në jetë, sepse këto gjërat e vogla të bëjnë më të përgjegjshëm, të shndërrojnë në njeriun që mund të drejtosh një ekip, sepse të qenurit një CEO nuk do të thotë vetëm të shpërfaqësh rezultatet e kompanisë dhe të dukesh bukur në media. Të qenurit CEO do të thotë gjithashtu të ndihmosh njerëzit e tu të rriten, të arrijnë ta mbajnë dhe të shkëlqejnë në një punë.

Është një përgjegjësi e madhe dhe për të përmbushur këtë përgjegjësi, duhet të jesh me këmbë në tokë dhe i qendrueshëm. Kjo është arsyeja pse mendoj se mbështetja e bashkëshortit tim ka qenë kaq e rëndësishme. Sepse ai ishte gjithmonë aty për të më balancuar mua, për të më ndihmuar mua të qëndroja me këmbë në tokë, për të më dëgjuar, mbështetur dhe gjithashtu për të më nxitur për të bërë përpara.

Mira Kazhani: Bukur Katia! Teksa jemi në fund të kësaj bisede të këndshme, plot me energji dhe optimizëm, dua të kujtoj diçka që ma the “off record”.

Ish-shefi juaj të tha diçka përpara se të vije në Shqipëri dhe ishte...?

Katia Stathaki: Është një fjali që e kam dëgjuar shumë herë qëkur kam ardhur këtu: “Do të shkosh në Shqipëri duke qarë dhe do të largohesh duke qarë”. Nuk mund të them për veten që erdha në Shqipëri duke qarë, sepse erdha e emëruar si CEO e kompanisë më të madhe teknologjike në vend, domethënë, s`kishte asgjë për të qarë.

Për më tepër isha shumë afër asaj që unë e konsideroj shtëpi, vetëm një frymëmarrje larg nga të afërmit dhe miqtë. Kur të vijë koha që dhe unë të largohem e të shkoj në detyrën e radhës, që uroj të mos jetë shumë e afërt ajo ditë, unë definitivisht do të largohem duke qarë. Ky vend më ka rritur shumë. Ndihem si në shtëpi. E gjithë familja ime ndihet si në shtëpi.

Ne kemi miq që vijnë mysafirë nga Greqia çdo muaj, që qëndrojnë me ne dhe eksplorojnë këtë vend me ne. Ata gjithashtu ndihen sikur janë në shtëpi prej mikpritjes, prej ambientit që na rrethon, që është shumë i ngjashëm me Greqinë. Kam qenë shumë me fat që kam njohur njerëz të rinj këtu që më kanë mikpritur me dashuri dhe respekt. Kështu që normalisht që do qaj kur të largohem nga këtu.

Por... ka gjithmonë një por, do të kthehem sërish sepse kam bërë miq dhe siç e thashë më herët është thjesht një autobus larg nga Greqia. Ka shumë gjëra për të bërë që këtu dhe tani që jam në dijeni, edhe nëse vij në fundjavë si një arratisje, e di që do ia vlejë. Kështu që do të kthehem edhe nëse largohem, uroj që të mos jetë së afërmi, sepse mezi pres të shikoj se si ky vend do të zhvillohet në vazhdim.

Mendoj se ka mundësi të shkëlqyera përpara nesh dhe mendoj se shqiptarët meritojnë të marrin më të mirën e këtyre mundësive. Meritojnë ta shohin vendin e tyre, familjet e tyre, fëmijët të jenë të suksesshëm edhe nëse do të qëndrojnë këtu apo do zgjedhin të largohen përkohësisht e të kthehen sërish.

Mira Kazhani: Je një agjente vërtet e mirë (qesh). Nuk është aspak habitshme që je sot një CEO.

Katia Stathaki: (qesh) Ok./ CNA.al

Lajmet e fundit nga