web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse Gjermania është vendi më i rëndësishëm i Perëndimit

7 Tetor 2021, 08:13, Blog CNA

Nga Gideon Rachman ?Financial Times?

Faleminderit Zotit që kemi Gjermaninë! Kjo nuk është një ndjenjë që ju mund ta keni dëgjuar shumë gjatë shekullit XX-të. Kur Lufta e Dytë Botërore ishte drejt fundit, Hans Morgentau, Sekretari amerikan i Thesarit, tha se e vetmja përgjigje ndaj çështjes gjermane ishte shkatërrimi i kapacitetit industrial të vendit.

Shkrimtari francez Fransua Moriak, e përshëndeti ndarjen e vendit, duke thënë me ironi:?Unë e dua aq shumë Gjermaninë, sa jam i kënaqur që janë dy Gjermani!?.Kur ndodhi ribashkimi i vendit në vitin 1990, në një takim me intelektualët kryesisht britanikë, i thirrur nga kryeministrja britanike Margaret Theçër, u diskutua mbi karakterin kombëtar gjerman. Këshilltari i saj kryesor për politikën e jashtme, tha se këto ishin ?sipas rendit alfabetik, zemërimi, agresiviteti, ngacmimi, egoizmi, kompleksi i inferioritetit, sentimentalizmi?.

Tridhjetë vjet më vonë këto stereotipe mbi karakterin kombëtar gjerman janë përmbysur plotësisht. Sot janë SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, vendet ku politika duket gjithnjë e më e prirur ndaj ?zemërimit, agresivitetit? dhe të gjitha atyre cilësive të tjera jo tërheqëse, gjoja teutonike.

Këto ditë, është jeta publike gjermane ajo që karakterizohet nga virtytet, të cilat britanikët ia atribuojnë shpesh vetes:qetësia,përmbajtja, racionaliteti dhe kompromisi. Zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe pasojat e tyre janë një tjetër shembull në këtë aspekt.

Ishte një garë shumë e ngushtë, por humbësit e pranuan me qytetari rezultatin. Askush nuk u përpoq të pretendonte se procesi ishte i manipuluar apo se kundërshtarët e tyre ishin ?llum?, apo se përfaqësonin një rrezik vdekjeprurës për vendin. Tani duket se Socialdemokratët do të udhëheqin një qeveri gjermane për herë të parë që nga viti 2005.

Por ky tranzicion i pushtetit nuk do të sjellë ndonjë prishje të papritur të politikave, ose një përpjekje të opozitës politike për të paralizuar qeverinë, siç po ndodh aktualisht në SHBA. Olaf Scholz i SPD, që mund të bëhet kancelari i ri i vendit, garoi në këto zgjedhje si një kandidat i vazhdimësisë së qeverisjes së spikatur të Merkel.

Siç raportuan kolegët e mi të FT, votuesit e panë Scholz ?me sjelljen e tij të qetë, përvojën e gjatë në qeveri dhe politikën pragmatike, si pasardhësin natyror të Merkelit?. Sa shumë ndryshe nga profilet e lidershipit që kanë ofruar Donald Trump në SHBA apo Boris Xhonson në Britani.

Kjo përmbysje e roleve nuk është thjesht një nga ironitë e historisë. Është një produkt i historisë. Ndryshe nga çdo vend tjetër që unë njoh, Gjermania ka ngritur në zemër të kryeqytetit të saj një memorial në lidhje me turpin e saj më të madh kombëtar.

Memoriali i Holokaustit në Berlin ndodhet pranë Portës së Brandenburgut, qendra tradicionale e qytetit. Ai është një simbol i vendosmërisë së Gjermanisë moderne për të pranuar tmerret e nazizmit, dhe për të nxënë leksionet e duhura.

Për shkak se e dinë shumë mirë se ku mund ta çojë një vend demagogjia, politikanët kryesorë gjermanë janë alergjikë ndaj kultit të udhëheqësit. Asnjë kandidat për kancelar nuk do të mburrej kurrë, siç bëri Trump, se ?vetëm unë mund t?i zgjidh problemet?, apo të inkurajojë thirrjet për?burgosje? të kundërshtarit të tij.

Në debatet e fundit gjatë fushatës zgjedhore, drejtuesit e partive në Gjermani e trajtuan njëri-tjetrin me respekt dhe vetëpërmbajtje. Ata e dinë se politika është një punë serioze. Presidenti gjerman Frank-Valter Shtainmajer, thuhet se e ka veçanërisht antipati Boris Xhonson, pasi ai mendon se kryeministri britanik e trajton politikën si të ishte një lojë.

Gjermania moderne nuk është imune ndaj rreziqeve të ekstremizmit politik. Në vitin 2020, një turmë kundërshtarësh të vaksinave dhe ekstremistë të ndryshëm u përpoqën, edhe pse pa sukses, që të sulmonin parlamentin gjerman.

Pas krizës së refugjatëve të vitit 2015, kur Merkel lejoi hyrjen në vend të mbi 1 milionë emigrantëve dhe refugjatëve, shumë vëzhgues, përfshirë edhe mua, parashikuan një rritje të ekstremizmit politik në Gjermani. Atmosfera në zgjedhjet e vitit 2017 ishte në shumë raste e  shëmtuar.

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD)mori shumë vende në parlament. Por në zgjedhjet e 26 shtatorit, ekstremitetet politike të së djathtës dhe të së majtës humbën shumë vota. Qendra politike në Gjermani jo vetëm ka rezistuar, por ajo është forcuar.

AfD është ende e fortë në Gjermaninë Lindore, por ajo është më larg se kurrë shndërrimit në një forcë kombëtare. Një ndryshim midis Gjermanisë dhe vendeve të tjera të mëdha perëndimore është se nivelet e larta të imigrimit nuk e kanë radikalizuar të djathtën tradicionale.

Trump erdhi në pushtet pas premtimit për ndërtimin e një muri me Meksikën. Xhonson e fitoi referendumin pro Brexit me premtimin për të ?rimarrë kontrollin? e kufijve dhe ligjeve të Britanisë. Në Francë, Mishel Barnie, që po synon të jetë kandidati i qendrës së djathtë për presidencën franceze, ka bërë thirrje për një moratorium për të gjithë emigrantët që vijnë nga vendet jashtë BE-së.

Ndërkohë Erik Zemur, ylli në rritje i së djathtës ekstreme franceze, kërcënon të dëbojë nga vendi mbi 2 milionë njerëz. Përkundrazi qeveria gjermane, vazhdon të mbështesë emigracionin. Në gusht të këtij vitit, kreu i agjencisë federale të punës në Gjermani, tha se plakja e fuqisë punëtore të vendit nënkupton se Gjermania duhet të lejojë hyrjen çdo vit të 400.000 emigrantë të rinj, duke argumentuar se pa këtë nivel migrimi ?do të ketë kudo një mungesë të punëtorëve të kualifikuar?.

Vetëm Alternativa për Gjermaninë (AfD) e së djathtës ekstreme e kritikoi ashpër këtë ide. Forca e madhe e qendrës politike në Gjermani, nuk do të thotë aspak zhdukje e debatit. Mund të duhen muaj për të formuar një koalicion qeverisës.

Dhe do të jetë e vështirë që të ngushtohen dallimet politike midis të Gjelbërve, Demokratëve të Lirë dhe SPD. Por vetë nevoja për të ndërtuar një koalicion shkon kundër polarizimit politik – dhe demonizimit të opozitës -dukuri që është shndërruar në një standart në botën  anglo-saksone. Në shekullin XXI, politika gjermane është edhe një herë e jashtëzakonshme. Por këtë herë për një arsye të mirë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





08:51 Blog

Ku po shkon Evropa?

Nga Michael Laitman“News max”Kohët e fundit kam dëgjuar gjit...

Lajmet e fundit nga