LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

REPORTAZH-Ekspozita e Pjetër Rraboshtës/ Dalin për herë të parë imazhet e fotografit të lëna në hije për 70 vite

24 Korrik 2021, 14:17, Kulturë CNA

Për herë të parë pas 70 vitesh Pjetër Rraboshta fotografi i harruar i Shkodrës do të vijë në një ekspozitë me fotografitë e tij pas një pune 6 mujore të muzeut kombëtar të fotografisë Marubi.

Drejtori i muzeut Marubi Luçian Bedeni thotë se për shkak të COVID-19 kjo është ekspozita e parë në këtë muze dhe që vjen me fotot interesante të Pjetër Rraboshtës.

?Çelim kalendarin artistik të këtij viti megjithëse jemi në muajin korrik. Kjo vjen edhe si rezultat i një ekspozite tjetër të mëpërparshme, e fotografit Dedë Jakova e cila u çel gjatë periudhës së pandemisë dhe kjo ekspozitë u la e hapur gjatë si pasojë e një kohe të vënë në dispozicion nga muzeu Marubi edhe për qytetarët në mënyrë që ata të kishin gjithë mundësinë për ta shikuar koleksionin e këtij fotografi që publikohej për herë të parë.

Që në krye të herës muzeu Marubi ka patur në politikën e tij që fotografët të cilët kemi në arkivën e muzeut Marubi koleksionet e tyre t?i digjitalizojmë sa më parë.

Kështu kishim para disa vitesh një ekspozitë të fotografit Shan Pici, Angjelin Nënshatit më pas të Dedë Jakovës dhe më në fund mbërritëm tek fotografi Pjetër Rraboshta.

Në ndryshim prej të gjithë fotografëve të tjerë koleksioni i tij ka qenë tërësisht i padigjitalizuar. Është digjitalizuar arkivi i plotë prej rreth 16 mijë imazhesh të Pjetër Rraboshtës?.

Kuratori i ekspozitës Zef Paci thotë se Pjetër Rraboshta është një prej thesareve të arkivit të muzeut Marubi.

?Vjen moment i Pjetër Rraboshtës i cili përbën një prej thesareve të arkivit të këtij muzeu për qasjen e tij, për qëndrimin e tij si fotograf dhe të bën që ta mendojmë arkivin e këtij muzeu të përbërë prej njërëzish të cilët shprehim botëkuptime, qëndrime dhe ide nepërmjet imazhit për mënyrën se si ato i qasen.

Kjo ekspozitë nuk kërkon ta shterojë prurjen interesante që sjell një fotograf si Pjetër Rraboshta por kërkon të japë një fragrancë se çfarë përmbajnë në këto mbi 80 imazhe të printuara dhe disa të projektuara të japë një shije të qëndrimit të tij, botëkuptimit të tij dhe për pasojë edhe të Shkodrës të periudhës ku ai operoi si fotograf?.

Kuratori Paci shprehet se Pjetër Rraboshta i cili fotografoi pasi ishte instaluar komunizmi më përpara kishte përjetuar artin e Idromenos, Marubit dhe sjell në fotot e tij pikërisht këtë gjendje duke realizuar foto me shumë vlera të jetës sociale, kulturore dhe historike të njerëzve të thjeshtë të qytetit, ushtarëve apo edhe fëmijëve. Në imazhet e Pjetër Rraboshtës është një pjesë e konsiderueshme e Shkodrës së vjetër dhe të bukur që në këto 30 vitet e fundit shumëçka ka humbur dhe i vetmi ngushëllim janë këto imazhe.

Pjetër Rraboshta u lind në Shkodër në vitin 1917, në familjen e një artizani që punonte petka tradicionale. U shkollua në Kolegjin Saverian të jezuitëve. Rininë e hershme e kalon si nxënës pranë Dritëshkrojës së Kel Marubit. Shërbimin ushtarak e kryen në Gjirokastër, ku vijon të ushtrojë profesionin e fotografit. Kthehet në Shkodër, e deri në vitet 1940, punon te Marubi bashkë me të birin e Kelit, Gegën. Në fillim të viteve ’40, hap në rrugën kryesore të qytetit studion e tij ?Foto Rraboshta?.

Qyteti që fotografoi nuk ishte kaotik, por gjithesi i larmishëm, me mpleksje shtresash e prurjesh të ndryshme shoqërore-edhe pse një shtresë e lartë duket se mungon. Imazhet përçojnë aromën e një qytetit intim mesdhetar që ndjell vegime e përjetime nostalgjike.

Dhuntia e Rraboshtës është ofrimi i një realiteti që shërbehet shqeto. Subjektet shfaqin shijen e një jetese të njëmendtë dhe ndaj problematikave. Prej atyre fotografive nuk përçohet aspak ndjesia e optimizmit të përuruar prej regjimit. Lumturia që ai përcjell nuk i përket atij lloji, është ajo e përhershmja e qenies njerëzore, që ka përbri trishtimin, brengën e shfrimin.

Te fotografia e Rraboshtës haste ajo thjeshtësi, në dukje anonime që nuk sajoi asgjë, por ndali çaste solemne të dhimbshme e hokatare prej jetës që i rridhte para syve. Ai thjeshtë gjendej aty e priste, jo vetëm atë çka pritej të ndodhte, herë vetvetiu e herë me nxitjen që shkaktonte drejtimi i aparatit fotografik. Në tipologjitë e zakonshme të mediumit, jeta që është ndalur shfaqet e patrukuar e, ndonjëherë kapet fluturimthi në shtjellën e saj.

Asokohe, ishte ai fotografi që e bënte albumin e familjeve, i takonte atij të shkonte aty ku ishin, në oborret dhe shtëpitë e tyre, gjatë punës, festave apo pushimeve. Njerëzit shfaqen me qëndrimet e petkat përkatëse në të njëjta kënde, bri një dere, para një muri, në shtëpi a në oborr, në kishë a para kazermës, në një shesh, në rrugë, në lulishte, në borë a në plazh. Pikërisht në këtë përsëritje, ndodhte e papërsëritshmja që sillte koha dhe subjektet. Historitë që na ofron janë histori të vogla, që vijnë nga poshtë. Ai nuk është jashtë tyre, përkundrazi, ndjehet se ai bën pjesë në to.

Një shërbim fotografik i këtij lloji, e ruajti disi prej molepsjes nga ideologjitë. Pa platformë paraprake politike e social-kulturore (që qenë të mirëpërcaktuara nga regjimi), imazhi më shumë shpall e akuzon sesa shpjegon.

Rraboshta punon në një situatë ku ndërgjegjësimi mendor e pamor është vënë në diskutim, por pikërisht ashtu, në zgrip, duke fotografuar, ai duket se ruan disa vlera që bartin jeta e ritet në atë kontekst, dhe posaçërisht, të atyre që regjimi monist kishte filluar t?i flakte tej.

Dëshmia e tij, e mbështetur në zhanret tradicionale të fotografisë, bën të ndjehet përgjegjësia morale dhe dinjiteti i një bashkësie që, përkundrejt ateizmit shtetëror, gjithnjë më kërcënues dhe shtypës, ngulmon të vijojë kremtimin publik të riteve fetare. Imazhet e tij përbëjnë feksjet e mbrame të këtyre riteve që do të ndalohen prerazi në vitin 1967.

Bashkëqytetarët e quanin, Rraboshta i fëmijëve. Kjo temë, me akorde herë fetare e herë profane, përshkon korpusin fotografik të Rraboshtës. Ajo përcjell çaste lumturie e parehatie sa prej të përditshmes aq edhe prej riteve të kalimit, ku spikasin krezmimet plot përshpirtni. Sidoqoftë, arkivi i tij ngërthen gjerësisht edhe moshat e tjera në një spektër temash mbi shoqërinë, mbi jetën, me ritmet e ritet e saj.

Ndër këto të fundit, të shumta janë imazhet e martesave që shtjellohen në të njëjtat itinerare: shtëpi-veturë-kishë-e anasjelltas. Këto skema martesash e krezmimesh, shfaqin një mlepkse të njerëzve me rroba ceremoniale bashkë me ato të përditshme, si pjesëmarrës e si spektatorë. Aty, ndonjëherë ndodh që spektatorët e ceremonive të kthehen në protagonist.

E pranishme në një numër të konsiderueshëm fotografish është edhe tema e ushtrisë. Edhe pse foto mund të jenë shkrepur në kohën e lirë, para garnizionit ushtarak, subjektet në uniform pohojnë nepërmjet pozës disiplinën.

Punoi shumë në viset malore të veriut të Shqipërisë, posaçërisht për të realizuar fotografi letërnjoftimesh. Ata portrete subjektesh ngërthejnë urgjencën e një lloj vetëdeklarimi të brendshëm në cakun e një imazhi të vetëm.

Subjektet vijnë të binur (me urdhër, meqë pushteti po kryente një census) në vendin ku do të bëhej fotografimi, të gjithë pozojnë para ndonjë dere a pëlhure. Që prej asaj kohe, ata persona na shohin sot, bash në dritë të syrit.

Ai vështrim i ndërsjelltë mes fotografit e subjekteve na vjen sot pa praninë e tyre, por bart përfshirjen emocionale dhe empatinë e tij. Edhe fotografia e portretit të tij, e shkrepur me atë rast, u gjet midis tyre.

Rreth vitit 1963, me mbylljen e aktiviteteve private, hyn në repartin e fotografëve pranë Kooperativës Shtetërore të Artizanatit. Rraboshta, që kishte shëtitur pa reshetur nepër qytete e malësi, në vitet e fundit të punës në këtë repart nuk doli më në terren. Për shkak të problemeve shëndetësore që ia pengonin ecjen e gjatë, ai punoi në laborator ku lau filmat dhe fotografitë e kolegëve deri ditën e daljes në pension. Kishte nam si mjeshtër i dhomës së errët.

Në vitin 1970 i dorëzon shtetit arkivin e vet fotografik prej 16169 pozash të shkrepura në film 9të formateve 24×36 mm dhe 24×24 mm). Ky arkiv, i pashoqëruar nga diçiturat përkatëse mbështetet veç në fuqinë e pashoqe që ka si imazh. Pjetër Rraboshta vdiq në Shkodër në vitin 1987 në moshën 70-vjeçare por duke lënë pas një pasuri të madhe sa i përket fotografisë./ CNA.al

Lajmet e fundit nga