web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

REPORTAZH-Muzeu Gjon Mili, kushtuar fotografit me famë botërore/ Destinacioni më i ri në Korçë

8 Korrik 2021, 09:39, Kulturë CNA

“Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin; çdo fotografi e tij është një provë, një përpjekje.”

Këtë shprehje e hasim sapo futemi në ambjentet e “Muzeut të Fotografisë Gjon Mili” në pedonalen e Korçës.

Muzeu i vetëm i këtij lloji në juglindje, mjaft i veçantë për qytetin dhe një fat për Shqipërinë që qytetarët të shohin Gjon Milin.

Sepse atë mund ta shohim vetëm nëpërmjet internetit, apo në Barcelonë, në muzeun e Picassos.

Përpara se t’iu tregojmë çfarë ka brenda muzeut, ajo çka bie në sy sapo futemi në derën kryesore është godina e verdhë me fotografinë e Gjon Milit në mur.

Po ashtu në të gjithë ndërtesën e veçantë mbetet mënyra e vendosjes së fotografive dhe shkrimeve në muret e bardha të saj.

Çdo gjë e lyer me të bardhë, si për të përcjellë një lloj qetësie shpirtërore dhe që të bën të qëndrosh më gjatë në ambjentet e muzeut.

Gjatë vizitës tonë në muze, biseduam me përgjegjësin Kristi Ktona, i cili na tregoi fillimisht për artistin Gjon Mili, me një krenari që kushdo do të ishtë i lumtur të fliste.

Gjon Mili është një personazh shumë i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë (për faktin se është me origjinë korçare), por edhe për popullin amerikan.

Siç dihet ai ka mbaruar për inxhinieri elektrike në institutin e teknologjise në Massachusetts (MIT). Por në momentin që ai zbuloi dritën stroboskopike kaloi nga shkenca në art. Një nga faktorët më të rëndësishëm të fotografimit ishte ndriçimi i duhur i objektit, e këtë e bënte më së miri ky artist.  Në vitin 1939 ai nis punën në revistën e famshme Life Magazine dhe kjo punë i jep mundësinë të fotografojë më të njohurit e shekullit të kaluar” – thotë Kristi.

Të gjithë do të pyesnim veten se çfarë e bën fotografinë e tij të veçantë?

Gjatë studimeve të tij në fushën e shkencës, Mili nuk e la pas dore pasionin për fotografinë.

Ai përdori për herë të parë “flashin elektronik” dhe “dritën stroboskopike” të cilat ishin shpikur nga profesori Edgerton në vitin 1931, dhe që Gjon Mili pati një bashkëpunim të gjatë me të.

Siç e përmenda, bashkë me studimet në fushën e teknikës, Mili vazhdoi të fotografonte duke u talluar përherë e më shumë në fushën artistike. Fotografitë e Gjon Milit me teknikën e ekspozimit ultra të shkurtër kanë nxjerrë në pah një nga dukuritë më interesantë të lidhjes së shkencës me artin.” – shprehet Ktona.

Një sërë fotografish janë të vendosura në muret e muzeut, me teknika të ndryshme, personazhe, objekte që kanë ngelur në memorien e Milit dikur, e që ne i shohim tashmë në muze.

Janë 240 fotografi të artistit të famshëm korçar, që la gjurmë tek shqiptarët dhe amerikanët që patën fatin ta kishin në shtetin e tyre.

Gjatë viteve të tij në fushën e artit, ai ka pasqyruar fotoportrete mjaft interesantë të figurave të njohura të botës së artit e kulturës, duke përmendur këtu kompozitorin Stravinski, këngëtarin Frank Sinatra, piktorin Matis, pianistin Rubinstein etj.

Ndër fotografitë e tij më interesante mbeten ato të presidentëve të Amerikës por edhe të politikanëve të tjerë, si presidenti Truman, ministrin Molotov etj.

Më tej, ndërsa e pyesim për vizitorët, Kristi Ktona tregon se është vënë re një rënie e numrit të turistëve gjatë vitit të fundit, por sërish mbetet një nga muzetë që le mbresa të veçanta për të gjithë ata që e shohin nga afër.

Pyetje pak e vështirë për periudhën që sapo kemi kaluar, pasi një vit më parë vizitorët ishin sa 1/10 e viteve të kaluara. Shkak për këtë dihet që ishte pandemia, por tashmë që pjesa më e “keqe” kaloi, edhe vizitorët në këtë sezon besoj së do të jenë më të shumtë.

Vizitorët shqiptarë janë ata që preferojnë të shohin muzeun, kryesisht ata nga Tirana, Shkodra, Gjirokastra, por nuk kanë munguar edhe ata të huaj.

Ndryshe nga në shqiptarët që jemi më improvizues, të huajt e programojnë gjithmonë vizitën e kryesisht me organizimet e ambasadave. Kemi patur turistë nga Izraeli dhe disa nga Franca këtë vit, por pa harruar të përmend edhe të gjithë ambasadorët e shteteve në Shqipëri të cilët e kanë vizituar muzeun.” – shprehet Kristi.

 

Gjon Mili përcaktohet nga muzeu i artit kontemporan, në 20 fotografët më të mirë të shekullit, ishte një shkencëtar që u bë artist, një përcaktim shumë i rëndësishëm dhe ngelet nga ne shumë pak për të komentuar.

Gjon Mili është vlerësuar si një nga 20 fotografët më të mirë të shekullit, si një shkencëtar që u bë artist e si një amerikan me origjinë shqiptare që nuk ndryshoi asgjë nga jeta e tij dhe origjina, por vazhdoi ta quante veten shqiptar duke e folur edhe gjuhën shqipe mes shtetit ku jetoi deri në vdekje./CNA.al

Adresa : Rruga Konferenca e Pezës, Korçë

Kontakt : 0693787898

Ndiqni videon e mëposhtme!





Lajmet e fundit nga