web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dita Botërore e HIV-AIDS/ Sa janë viktimat, rastet e reja, dhe pse nuk ka ende një vaksinë

1 Dhjetor 2020, 15:01, Blog CNA

Lufta globale kundër HIV-AIDS, po jep rezultate të rëndësishme. Por deri tani kjo sëmundje ka marrë 33 milion jetë njerëzish, ndërsa 38 milion njerëz ishin pozitivë me HIV deri në fund të 2019.

Nëse 30 vjet më parë, në SHBA, AIDS ishte shkaku kryesor i vdekjes tek të rinjtë, sot, falë fushatave parandaluese, diagnozës së hershme, terapive antiretrovirale dhe trajtimit të infeksioneve të lidhura me të, njerëzit me këtë sëmundje kanë mundësi ta menaxhojnë gjendjen e tyre si një sëmundje kronike dhe nëse diagnoza dhe më pas terapia nis në kohë, jetëgjatësia e të sëmurit është gati e krahasueshme me atë të individëve që nuk e kanë këtë sëmundje.

Në vitin 2019, 68 për qind e të rriturve dhe 53 për qind e fëmijëve me HIV-AIDS, kishin qasje në terapi antiretrovirale (RTSH), një kombinim i barnave të afta që ta pengojnë virusin të shumohet në trup, dhe të zvogëlojnë rrezikun e transmetimit, si midis dy partnerëve seksualë, por edhe nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji.

Gjithsesi, në disa pjesë të botës, stigma shoqërore që e rrethon këtë sëmundje, si dhe varfëria e shtojnë ekspozimin ndaj situatave të rrezikshme, dhe e bëjnë të vështirë qasjen në testime dhe kurime të vazhdueshme, efektive dhe të përballueshme. Kjo nënkupton që shumë njerëz nuk mund të përfitojnë nga përparimet mjekësore.

Vitin e shkuar 690.000 njerëz vdiqën nga shkaqe të lidhura me HIV-in, dhe 1.7 milionë ishin të infektuarit e rinj. Dy të tretat e njerëzve me këtë sëmundje (25.7 milion) jetojnë në Afrikë. Në rajonin nën-Saharian, 4.500 vajza dhe gra të reja midis moshës 15-24 vjeçe, preken çdo javë nga ky infeksion.

Mungesa e qasjes në shërbimet shëndetësore për shkak të Covid-19, mund të ketë efekte shkatërruese për pacientët me HIV pozitiv. Ndërsa në Afrikën Jugore dhe Lindore infeksionet e reja kanë rënë me 38 për qind që nga viti 2010, në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore ka pasur një rritje prej 72 për qind të rasteve gjatë së njëjtës periudhë.

Një rritje prej 22 për qind u vërejt gjithashtu në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, dhe një rritje prej 21 për qind ka në Amerikën Latine. Në të gjithë botën, çdo 100 sekonda  një fëmijë ose i ri nën moshën 20-vjeçare, preket nga HIV-AIDS.

Sipas OBSH, popullatat më të prekshme janë burra që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra të tjerë, njerëz që përdorin drogën me shiringa, të burgosurit, prostitutat dhe klientët e tyre, gra të reja nga disa zona afrikane, dhe disa komunitete autoktone.

Për të mposhtur plotësisht HIV-in, do të duhej një vaksinë, e cila për fat të keq, pavarësisht dekadave të hulumtimit, nuk është gjetur ende. Kjo kryesisht për shkak të aftësisë së virusit HIV për ta kamufluar shumë mirë antigjenin, proteinën që duhet të shkaktojnë mbrojtjen imunitare. Megjithatë, aktualisht ka disa teste klinike dhe terapi të reja që po studiohen./Përshtati në shqip CNA.al





Lajmet e fundit nga