web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Intervista-E rritur me “frymën” e PD/ Kush është Melisa Braci që iu bashkua Topallit në “Lëvizjen për ndryshim”

30 Tetor 2020, 17:31, Politikë CNA

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, prezantoi tre ditë më parë ?Lëvizjen për Ndryshim?.

Një ndër të rinjt e parë që i është bashkuar kësaj lëvizje është dhe Melisa Braci studente në Universitetin e Torinos ( në Itali) për Shkenca Ndërkombëtare.
Ajo mbajti dhe një fjalim gjatë prezantimit, ku theksoi se të rinjtë shqiptarë kanë nevojë ekstreme për një frymë ndryshimi sot.

Por kush është Melisa Braci?

Në një intervistë për CNA.al, Melisa Braci ka treguar detaje nga angazhimi i saj i hershëm në politikë.

22 vjeçarja ka rrëfyer se synimi kryesor për angazhminin në ?Lëvizjen për Ndryshim është rikthimi i shpresës së shqiptarëve .

Braci ka shprehur vlerësimet për figurën e ish kryeparlamentaren, Jozefina Topalli për të cilën thotë se ka vlerësuar gjithmonë koherencën, guximin, idealizmin e femrën në politikë.

Ajo gjithashtu ka rrëfyer se çfarë do të sjellë ndryshe nga partitë e tjera ??Lëvizja për ndryshim?.

INTERVISTA:

1-Si fillim një prezantim të shkurtër për veten tënde, sa vjeç je dhe çfarë ke studiuar?

-Unë jam 22 vjeçe. Kam studiuar për Drejtësi në Universitetin e Shkodrës ?Luigj Gurakuqi?. Jam çertifikuar në disa kurse në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga universitetet më prestigjioze të botës. Momentalisht, ndjek studimet magjistrale në Torino për Shkenca Ndërkombëtare.

2-Me çfarë je marrë më herët, cilat kanë qenë angazhimet e tua në politikë?

-Që kur fillova të kuptoj realitetin dhe aktualitetin shqiptar, jam angazhuar politikisht në Shqipëri e jo vetëm. Kam qenë simpatizante e Partisë Demokratike që fëmijë, jam përfshirë aktivisht në disa kauza që sipas bindjeve të mia qëndronin e duheshin mbështetur, sidomos në kohën e Çadrës. Pastaj, jam anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare të djathta si Heritage Foundation në SHBA dhe jam mbështetëse e Partisë Republikane atje. Së shpejti, do jem dhe anëtare e partisë ?Forza Italia? në Itali. Përtej politikës,jam angazhuar shumë gjatë protestës studentore të 2018-ës duke qenë një nga inisiatorët e parë në Shkodër. Jam marrë, gjithashtu, me publikime shkencore ndërkombëtare dhe fushata sensibilizuese,kryesisht këto,në fushën juridike. Kështu që, angazhimet e mia sillen si në mënyrë direkte, si në mënyrë indirekte rreth politikës.

3-Si dhe përse zgjodhe të bëhesh pjesë e ?Lëvizjes për ndryshim??

-Që vendi e kishte të nevojshme krijimin e një lëvizjeje me qëllim nxitjen e ndryshimit të gjendjes së përgjithshme, e kam shprehur me kohë. Lëvizje që proklamonin ndryshimin ka pasur dhe herë të tjera. Por, të zgjedhësh të jesh pjesë e tyre, nuk mjafton vetëm të ndash të njëjtin qëllim. Unë besoj shumë se lëvizjet dhe çdo qasje tjetër politike ndikohen nga parimet, individët dhe mjetet e duhura. Këto tre elementë nuk i gjeja në asnjë lëvizje tjetër më parë, veçse tek ? Lëvizja për Ndryshim?. Kjo lëvizje bazohet në parime të drejta, të qarta dhe të djathta; themelohet e mbështetet nga individë parimorë, koherentë, të besueshëm e me eksperiencë apo dije, kështu që për mua s? ka arsye për të mos iu bashkuar. Bashkimi erdhi spontanisht, me konsensus të gjerë, si diçka që duhej të ndodhte në mos sot nesër.

4-Tani që i je bashkuar ?Lëvizjes për ndryshim? çfarë synime ke ti personalisht, çfarë shpreson?

-Për momentin, Lëvizjes për Ndryshim nuk iu bashkova se kisha një synim personal. Synimi kryesor është t?i rikthejmë shpresën shqiptarëve se gjërat me pak guxim dhe shumë idealizëm mund të përmirësohen. Tani për tani, dëshira ime është të bëhem këshilltare politike në fushën ku po studioj dhe jo politikbërëse. Me konsolidimin e kësaj fryme, me plotësimin profesional e politik timin, mund të vijë një moment i dytë pas disa kohësh që të kem objektiva personalë. Gjithsesi, deri atëherë ka kohë.

 

5-Pse zgjodhe t?i bashkohesh zonjës Topalli?

-Kjo është pyetje shumë interesante. Kur kam qenë fëmijë, kam pasur simpatizim për çdo figurë të Partisë Demokratike. Isha e vogël, e ?indoktrinuar? deri diku nga ambjenti familjar, dhe më mjaftonte të merrja vesh se dikush është me PD- në që ta simpatizoja.
Duke u rritur, fillova të krijoja një identitet politik origjinal e të ndiqja ata që ishin më afër bindjeve dhe mendimeve të mia personale.
Unë jam e djathtë, vij nga një familje antikomunistësh dhe jam demokrate. Kam vlerësuar gjithmonë koherencën, guximin, idealizmin e femrën në politikë. Jozefina Topalli është e tillë. Gjithashtu, çfarë kam vlerësuar shumë tek Topalli është dhe antikonformizmi, shprehur në disa qëndrime e votëbesime të rëndësishme në opozitë e pushtet. Për sa kohë të jetë e tillë, politika aktive do ketë nevojë për Topallin, së bashku me eksperiencën e kulturën e saj si Kryetare e organit më të rëndësishëm në vend. S? ka më mirë për mua se kur të rinjtë bashkohen me figura të konsoliduara e të pjekura politikisht.
Në partitë e djathta në Perëndim kështu ndodh. Ka gërshetim brezash politikë, pa asnjë kompleks. Në Shqipëri, kam parë që ka kompleksitete të mëdha në këtë aspekt. Më duket diçka anormale dhe në dëm të vendit.

6-Nga vetë emri ?Lëvizja për ndryshim?, çfarë mendon se do të sjellë ndryshe kjo parti e sapokrijuar?

-Siç kuptohet nga emërtimi, pikësynimi i lëvizjes është ndryshimi. Së pari, që Shqipëria të ndryshojë, duhet ndryshuar mendësia e të të bërit politikë dhe të angazhuarit në politikë. Vetëm një lëvizje e pastër si kjo që prezantuam dje, e bazuar në parime dhe në individë të besueshëm mund të përçojë frymën e nevojshme për shpresë. Shpresa është forca lëvizëse për çdo ndryshim. Si për ndryshime të brendshme, ashtu dhe për ato të mëdha, të përgjithshme. Po u ndryshua fryma, do ndryshohet dhe produktiviteti i çdo institucioni, organizimi shoqëror e në fund dhe i Shqipërisë.
Pra, pikësynimi është ndryshimi për mirë i shtetit tonë./CNA.al





Lajmet e fundit nga