web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Reja bën ndryshime drastike në formacion për ndeshjen me Lituaninë

13 Tetor 2020, 14:23, Sport CNA

Mbrëmjen e nesërme (18:00) kombëtarja jonë është e detyruar të fitojë ndaj Lituanisë në transfertë për të mos rrezikuar të hyjë në një krizë rezultatesh, që do e dëmtonte shumë ekipin dhe do ngjallte në një reagim aspak të mirë të tifozëve. Barazimi ndaj Kazakistanit me siguri i ka dhënë disa mësime edhe trajnerit Reja, i cili me shumë mundësi do të bëjë disa ndryshime për ndeshjen e nesërme.

Ndryshime priten në të tre repartet, teksa në mbrojtje pritet të ulet mosha mesatare sepse në fushë pritet të jetë Enea Mihaj, mbrojtësi i PAOK, në vend të Kastriot Dermakut, i cili zhvilloi një paraqitje të mirë ndaj Kazakistanit, por Reja dëshiron të shohë edhe Mihajn në këto ndeshje.

Veseli vërtetoi edhe një herë se nuk mund ta bëjë mbrojtësin e krahut dhe nga minuta e parë me shumë mundësi do e nisë Albi Doka. Ndërkohë në krahun tjetër të mbrojtjes me shumë mundësi do startojë Lenjani, duke lënë në stol Trashin, i konsumuar nga ndeshja me Kazakistanin.

Në mesfushë mungon Amir Abrashi. Mesfushori i Frejburg në Gjermani ka pësuar një dëmtim në kavilje ndaj Kazakistanit dhe me siguri nuk do jetë i disponueshëm për nesër. Qazim Laçi ose Endri Çekiçi pritet të zëvendësojnë Abrashin nesër, ndërsa më shumë mundësi për të luajtur ka mesfushori i Azhakso, falë karakteristikave mbrojtëse të tij.

Edhe në sulm do të ketë ndryshime. Rei Manaj, jashtë formës për shkak të mungesës së minutave te Barcelona B, nuk pritet të luajë nesër nga minuta e parë dhe në vend të tij pritet të jetë një mes Seferit dhe Vrionit. Titullar sërish pritet Broja, i cili në ndeshjen ndaj Kazakistanit tregoi se di të shfrytëzojë momentet negative të kundërshtarit dhe të dalë përballë me portierin.





Lajmet e fundit nga