LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Shtyhet afati për rivlerësimin e pronave/ Sa përfitojnë qytetarët për shit-blerjen e banesës

27 Korrik 2020, 14:10, Ekonomi CNA
Shtyhet afati për rivlerësimin e pronave/ Sa përfitojnë

Të gjithë ata qytetarë që kërkojnë të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme me tatim 3% do të kenë afat deri më 31 dhjetor 2020. Kjo pasi, me propozim të Këshillit të Ministrave, ka një ndryshim ligjor, i cili e zgjat periudhën e rivlerësimit nga data 30.09.2020 deri në datë 31.12.2020. Qytetarët do të përfitojnë ulje të konsiderueshme të tatimit në procesin e shitjes, por edhe lehtësi të tjera fiskale. Projekti i Ministrisë së Finabncave është i ngjashëm me procesin e rivlerësimit të kryer në vitin 2017 dhe në fazën e re parashikon që nga procesi të përfitojnë rreth 35-40 mijë familje, e përkthyer në 40 mijë banesa të rivlerësuara. CNA.al  sjell shembujt e përfitimit të dyanshëm, si për qytetarët ashtu edhe për qeverinë, e cila parashikon të arkëtojë rreth 4 miliardë lekë, ulja e taksës 3% nga 15% që është sot.

Sa përfitohet nga rivlerësimi

Nëse një person shet një apartament sot, ai duhet të paguajë tatim-fitimi në masën 15% të fitimit të realizuar. Fitimi del nga diferenca mes çmimit të blerjes së apartamentit dhe atij të shitjes. Kjo diferencë tatohet me 15%. Kështu, në rast se një person ka blerë një apartament 60 mijë euro dhe e shet atë 70 mijë euro, do të fitojë 10 mijë euro. Nga ky fitim, do të paguajë 15% ose 1500 euro tatim. Nga amnistia e re, përfituesit më të mëdhenj janë ata që kanë deklaruar çmime blerjeje minimale dhe të gjithë ata që kanë shtëpi të ndërtuara para vitit 1992. Apartamentet e viteve të komunizmit janë blerë me çmime të ulëta gjatë privatizimeve të viteve 1990. Kështu, një apartament në qendër të Tiranës, me sipërfaqe 100 metra katrorë, është privatizuar me një çmim prej 30 mijë lekësh.

Në rast se pronari i tij do të kërkojë ta shesë atë sot, atëherë çmimi minimal fiskal është të paktën 100 mijë lekë/m². Dhe i gjithë apartamenti 10 milionë lekë. Në fakt, vlera prej 30 mijë lekësh e privatizimit është indeksuar me kalimin e viteve dhe sot ai llogaritet diku te 1.5 milionë lekë. Kështu, diferenca, fitimi në rast shitjeje, do të ishte 8.5 milionë lekë. Vlera e tatimfitimit prej 15% do të ishte 1.275.000. Kjo është shuma që do të paguajë çdo qytetar që shet një apartament të vjetër në qendër të Tiranës. Me amnistinë e miratuar dje, tatimi nga 15% bëhet 2%. Në rast se bën rivlerësimin e apartamentit, sipas amnistisë, qytetari do të paguajë vetëm 170 mijë lekë dhe vlera e apartamentit të tij në Hipotekë do të shënohej 10 milionë lekë. Kjo do të bënte që në rast shitjeje të shtëpisë në një kohë më të vonë, praktikisht të shmangë tatimin mbi fitimin dhe të fitojë minimalisht 1.105.000 lekë.

Pse rikthehet amnistia

Projekti është lançuar për tu dhënë mundësi qytetarëve dhe bizneseve të rivlerësojnë pasuritë bazuar në vlerën e tregut. Po ashtu, kjo i shërben një qëllimi të rëndësishëm, siç është ajo e daljes në treg me vlerat reale të pasurive të tyre, për kolateral në marrjen e kredisë, apo për qëllime të tjera tregtare. Nga ana tjetër, ligji i vjen në ndihmë edhe shitblerjes së tregut të banesave. Në vitin 2011, kur u implementua për herë të parë një masë e tillë, pati një numër të lartë të qytetarëve që bënë rivlerësimin e pasurisë së tyre. Pasuria e regjistruar para 50, 20 apo 10 vjetësh ishte me vlera shumë të vogla, ndërkohë që vlera e tyre sipas tregut ishte 10-fishuar apo 100-fishuar. Çdokush, asokohe pati mundësi ta paraqesë pasurinë e tij me vlerën reale dhe të kërkojnë kredi, duke vendosur kolateral një godinë që ka një vlerë të caktuar apo për qëllime të tjera tregtare. Nëse do të jetë i njëjti fluks transferimi pronësie, qytetarët nuk do të paguajnë 2.4 miliardë lekë detyrime, por do të paguajnë 340 milionë lekë. Ministria e Financave synon që interesi i qytetarëve të jetë i lartë dhe të gjithë ata që dëshirojnë të shesin pasuritë e tyre të paluajtshme, të përfitojnë nëpërmjet rivlerësimit.

Dokumentacioni

Një qytetar që kërkon të bëjë rivlerësimin e pasurisë, i drejtohet një eksperti të licencuar për rivlerësimin dhe dokumentacioni depozitohet në zyrën e pasurive të paluajtshme, e cila bën veprimet përkatëse dhe llogaritjet e tatimit prej 3 për qind që do të paguash. Mënyra e dytë është që qytetari të autorizojë zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që bazuar në çmimet e tregut që ajo disponon për godinën, të bëjë llogaritjet përkatëse dhe të rrisë vlerën e godinës. Pra, procedura nuk është aspak burokratike dhe e papërballueshme nga publiku, aq më tepër që me mijëra qytetarë e kanë kryer këtë procedurë në vitin 2011 dhe 2012. CNA.al

Lajmet e fundit nga