web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Tryeza për Reformën Zgjedhore/ PD publikon qëndrimin e mbajtur në Këshillin Politik

16 Janar 2020, 18:05, Politikë CNA

Partia Demokratike ka publikuar qëndrimin që opozita e bashkuar ka mbajtur gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Politik, i cili diskutoi mbi Reformën Zgjedhore.

PD kërkon që diskutimet mbi Reformën Zgjedhore të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike. Ata thonë se produkti i dakordësuar, duhet të miratohet pa ndryshime në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në Seancë Plenare.

?Diskutimi për Reformën Zgjedhore duhet të kryhet sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese dh,e më pas, me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik?, thuhet më tej në reagimin e demokratëve.

Sipas tyre, rekomandimet prioritare të raporteve të OSBE-ODIHR, që mbulojnë çështje themelore për standardet e zgjedhjeve janë shitblerja e votës, mosndëshkimi i krimeve zgjedhore, presioni mbi zgjedhësit, presioni mbi administratën, abuzimi me burimet shtetërore, liria e votës dhe sekreti i votës.

PD deklaron se përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje, sjellja politike e Policisë së Shtetit në zgjedhje, ngadalësimi i veprimit të Dekriminalizimit, cilësia e përfaqësimit dhe kandidatëve, mosekzistenca e gjykatave me rol në zgjedhje, rinovimi i kartave të identitetit dhe listat e zgjedhësve si pasojë e dështimit të zbatimit të sistemit të adresave? dhe mirëmbajtjes së sistemit të gjendjes civile, cënojnë procesin zgjedhor.

Në të gjitha këto problematika, sipas demokratëve, e përbashkëta qëndron në mosveprimin nga ana e autoriteteve për të përmbushur detyrime ligjore pozitive ?ose veprime në shkelje të ligjit që dëmtojnë zgjedhjet.

Problematikat, thonë demokratët nuk kanë nevojë për reformim ligjor, por për vullnet politik dhe zgjidhje me karakter politik.

Opozita e Bashkuar është angazhuar për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.

?Opozita e Bashkuar mbështet qëndrimin e Misionit të OSBE-ODIHR se ?Kuadri ligjor aktual mund të ofronte një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, nëse do të zbatohej në mënyrë të paanshme dhe me një vullnet të sinqertë politik?. Për pasojë, organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë në mënyrë të plotë, të menjëhershme dhe transparente çdo akuzë për shkelje zgjedhore: shitblerja e votës; presioni mbi zgjedhësit në administratë publike; abuzimi me burimet njerëzore dhe financiare shtetërore, pra mos ndarja e shtetit nga partia në pushtet; cënimi i sekretit dhe lirisë së votës; manipulimi dhe falsifikimi i rezultatit. Ky është tashmë edhe një nga kushtet e Bundestagut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, nevojiten garanci shtesë shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për t?u zgjedhur?, thuhet në qëndrimin e PD.

Partia më e madhe opozitare, thekson se duhet vullnet politik dhe një mekanizëm konkret të zbatueshëm për të realizuar ndarjen e plotë të politikës nga krimi. Kjo pasi:?kapja e shtetit nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale apo me lidhje me krimin e organizuar, në Kuvend, në Qeveri, në pushtetin vendor, në funksione të larta apo funksione kyçe të administratës publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe për vetë Sigurinë Kombëtare?, thekson PD./ CNA.al





Lajmet e fundit nga