web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ja si Kina po ndryshon gjeografinë globale të diplomacisë

5 Dhjetor 2019, 08:41, Blog CNA

Nga Bonnie Bley ?Foreign Affairs?

* Ndërsa rritja e Kinës është shndërruar në një temë qendrore në politikën globale, analistët dhe politikëbërësit, e kanë ndjekur rrugëtimin e saj në një numër frontesh:madhësinë e ekonomisë, shkallën dhe shtrirjen e investimeve dhe marrëdhënieve tregtare, buxhetin dhe aftësitë e ushtrisë së saj.

Por që nga ky vit, Kina e ka tejkaluar SHBA-në, edhe në një aspekt zakonisht të nënçmuar, por thelbësor për ndikimin global:madhësinë e rrjetit të saj diplomatik. Për dekada të tëra, Uashingtoni zotëronte rrjetin më të madh diplomatik në botë.

Tani stafetën e ka marrë Pekini, që mburret me 276 seli diplomatike, përfshirë ambasadat, konsullatat dhe misionet e përhershme në organizatat ndërkombëtare. Ndërkohë SHBA-ja renditet e dyta me 273 seli diplomatike. Ky ndyshim, mund të shënojë një pikë kthese në konkurrencën mes fuqive të mëdha.

Aty ku dikur Shtetet e Bashkuara gëzonin një epërsi diplomatike globale, fusha e lojës tani po nivelizohet. Ngjitja e Kinës, në vendin e parë ka qenë e shpejtë. Në vitin 2011, Pekini kishte 23 seli diplomatike më pak se Uashingtoni. Deri në vitin 2016, kishte 8 seli diplomatike më pak, në vendin e tretë pas SHBA-së dhe Francës.

Në vitin 2017, u ngjit në vendin e dytë, duke e kapërcyer Francën, përpara se të ngjitej në vendin e parë këtë vit. Pekini ka hapur 5 ambasada të reja në 2 vitet e fundit:në Burkina Faso, Republikën Dominikane, El Salvador, Gambia, dhe Sao Tome.

Kjo listë vendesh nuk është e rastësishme. Pas një fushate të vazhdueshme, në kuadër të asaj që zakonisht quhet si ?diplomacia e kontrollit?, Pekini ka arritur të afrojë një pjesë të partnerëve të fundit diplomatikë që i kanë mbetur Tajvanit. Ndërkohë Kina është e pakrahasueshme edhe sa i përket numrit të konsullatave që ka nëpër botë.

Kohët e fundit, dy vende në rajonin e Ishujve të Paqësoriut – Kiribati dhe Ishujt Solomon – i prishën lidhjet diplomatike me Tajvanin, duke u afruar më shumë më Kinën. Ky akt, e zvogëloi në vetëm 15 nga 22 në vitin 2016 numrin e vendeve që e njohin Tajvanin si shtet të pavarur.

Kjo strategji, e ka rritur izolimin politik të Tajvanit, dhe ka forcuar aftësinë e Kinës për të avancuar interesat e veta ekonomike dhe strategjike. Ndërsa Pekini dhe Uashingtoni, kanë të njëjtin numër ambasadash nëpër botë, Kina është e pakonkurueshme në numrin e konsullatave, 96 krahasuar me 88 që ka SHBA-ja.

Ndërsa ambasadat pasqyrojnë fuqinë politike të një vendi, konsullatat pasqyrojnë fuqinë e tij ekonomike. Nga 96 konsullatat e Kinës, 41 ndodhen në Azi dhe 28 në Evropë. Kjo shkon paralelisht me Nismën e Brezit dhe Rrugës, një mega-projekt infrastrukturor me vlerë triliona dollarë, që kërkon të lidhë më mirë Kinën me këto rajone.

Prania diplomatike e Shteteve të Bashkuara, ka qenë në rënie që nga viti 2017. Pas mbylljes konsullatës së saj në Shën Petersburg të Rusisë në vitin 2018, Uashingtoni i ka reduktuar në 273 numrin total të selive diplomatike. Ndërkohë, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit mbetet i bllokuar.

Teksa presidenti Donald Trump po i afrohet fundit të mandatit 4-vjeçar, vetëm 73 për qind e pozicioneve kryesore diplomatike janë plotësuar. Shtojini kësaj dëshirën e administratës Trump, për të ulur buxhetet e Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) deri në 23 për qind, dhe nuk është për t?u habitur pse diplomacia amerikane duket gjithnjë e më e dobët ndaj qeverive të tjera.

11 mijë mesazhet në Tuiter të Trumpit, ku në mbi gjysmën e tyre ai sulmon dikë ose diçka, nuk janë zëvendësuesi i duhur i një rrjeti diplomatik që funksionon siç duhet. Krahas ndryshimit të nivelit diplomatik mes SHBA-së dhe Kinës, edhe ngjarjet globale kanë nxitur ndryshime në aktivitetet diplomatike të qeverive të tjera.

Në veçanti Brexit, ka nxitur një numër qeverish evropiane të ndëmarrin ndryshime. Kështu Irlanda e ka zgjeruar rrjetin e saj me 8 seli diplomatike të reja. Ajo përballet me një divorc nga partneri i saj më i madh në importe, dhe partneri i dytë më i madh për eksporte.

Edhe Holanda e ka lidhur me Brexit, çeljen e 7 përfaqësive të reja diplomatike në 2 vitet e fundit, me disa të tjera që priten të hapen deri në vitin 2021. Ndërkohë që nga viti 2016, Britania e Madhe ka mbyllur ose reduktuar personalin në 11 konsullata dhe zyra diplomatike.

Dhe kjo lëvizje është në kundërshtim me angazhimet për një ?Britani globale?. Zgjedhja e një vendi se ku mund të zgjerojë rrjetin e tij diplomatik, nuk është asnjëherë e pallogaritur. Japonia u zhvendos këtë vit në vendin e katërt, duke e kapërcyer për herë të parë Rusinë.

Përballë një ekuilibri fuqie në rajon, përfshirë një Kinë gjithnjë e më të agresive, Tokio ka investuar prej një dekade në heshtje në zgjerimin e pranisë së saj diplomatike në botë. Me shtimin e 7 selive të reja diplomatike në vendet me rëndësi strategjike si Kamboxhia, Filipinet, Sejshell dhe Vanuatu, Tokio ka në total 247 seli diplomatike nëpër botë.

Edhe Turqia e ka zgjeruar rrjetin e saj, duke mbajtur ritmin me politikën e saj të jashtme gjithnjë e më ambicioze. Që nga viti 2017, Ankaraja ka hapur 6 përfaqësi të reja diplomatike, duke u renditur e gjashta në botë, pavarësisht se ka më pak se gjysmën e PBB-së ssë Rusisë, që renditet e pesta.

Zgjerimi i ndikimit diplomatik nga Kina, ka një rëndësi të veçantë. Nën presidentin Xi Jinping, Pekini vazhdon që të dobësojë lidershipin global të SHBA-së. Rrjeti i ri diplomatik, është më

së paku një fitore simbolike për Kinën. Dhe ndërsa rrjetet diplomatike, nuk mund të tregojnë historinë e plotë për ndikimin e një vendi në botë, ato shërbejnë si një barometër tregues i ambicieve kombëtare./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga