web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vrasja më gjeniale e KGB-së: Eleminimi në Londër i disidentit bullgar Georgi Markov

8 Shtator 2019, 08:13, Blog CNA

Më 7 shtator 1978, Georgi Markov, një disident dhe shkrimtar i shquar bullgar që jetonte në Londër, ishte duke ecur përgjatë Urës Vaterlo, dhe po priste në stacion autobuzin për të shkuar në punën e tij në radiotelevizionin BBC.

Paprimas ndjeu një dhimbje të fortë të pulpën e këmbës së tij të djathtë. U kthye me shpejtësi pas, dhe pa një burrë që po merrte një ombrellë të rënë përtokë. Burri tha me një zë të mbytur ?Më falni!? me një anglishte me theks të huaj, kaloi me shpejtësi rrugën dhe thërriti me shpejtësi një taksi.

Katër ditë më vonë, Markov vdiq. Ai ishte vrarë nga një ombrellë helmuese. Vrasja e Markov, mund të jetë episodi më i jashtëzakonshëm, dhe më i ngjashëm me serialin e filmit ?Agjenti 007? i gjithë Luftës së Ftohtë. Fundi tragjik i Markov, ishte i njëjtë me atë të paraardhësit e tij, por mjetet e vrasësit të tij ishin krejtësisht të ndryshme.

Një muaj para vdekjes, disidenti bullgar kishte marrë një telefonatë anonime, ku informohej se ?do të vdiste nga shkaqe natyrore, i vrarë nga një lloj helmi që Perëndimi nuk mund ta zbulonte apo ta mbronte kundër efektit të tij?. Idetë e tij të rrezikshme do të shuheshin, kur ai të ndërronte jetë nga një vdekje e qetë ?natyrale?, pra nga një vdekje e palavdishme.

Po kush ishte Georgi Markov. Ai lindi më 1 Mars 1929 në kryeqytetin bullgar Sofje. Pas gjimnazit studioi dhe u diplomua në kimi industriale . Fillimisht, nisi punë si inxhinier kimik dhe mësues në një shkollë teknike. Në moshën 19-vjeçare u sëmur nga tuberkulozi, gjë që e detyroi të shtrohej disa herë në spital.

Sprovat e tij të para letrare, i përkasin pikërisht asaj kohe. Në vitin 1957, botoi romanin ?Nata e Ceziumit?, që u pasua nga disa romane të tjera dhe përmbledhje me tregime. Në vitin 1962, Markov botoi romanin ?Njerëzit?, që fitoi çmimin vjetor të Unionit të Shkrimtarëve Bullgarë, dhe u bë më pas anëtar i këtij Unionit, që në atë kohë ishte parakusht për të pasur një karrierë profesionale në letërsi.

Disa prej veprave të tij nisën të ndaloheshin, për shkak se nuk cilësoheshin në përputhje me ligjësitë e letërsisë së realizmit socialist. Në vitin 1969, Markov shkoi në Bolonja të Italisë, ku jetonte vëllai i tij. Ideja e tij fillestare, ishte të qëndrote aty derisa të përmirësoheshin raportet e tij me autoritetet komuniste bullgare.

Por gradualisht ndërroi mendje, dhe vendosi të qëndronte në Perëndim, veçanërisht pas shtatorit të vitit 1971, kur qeveria komuniste bullgare refuzoi të zgjasë afatin e pasaportës së tij. Markov u transferua në Londër në vitin 1972, ku mësoi anglishten dhe nisi të punojë për seksionin bullgar të Shërbimit Botëror të BBC.

Më vonë ai punoi edhe për radio Deutsche Welle dhe Radion Evropa e Lirë. Në vitin 1972, Markov u përjashtua nga Unioni i Shkrimtarëve Bullgarë, dhe u dënua në mungesë me 6 vjet e gjysmë burg për dezertimin e tij. Veprat e tij u tërhoqën nga bibliotekat dhe libraritë, dhe emri nuk iu përmend asnjëherë nga media zyrtare bullgare deri në vitin 1989.

Shërbimi Sekret Bullgar, hapi një dosje për të me emrin e koduar ?Ëanderer? (I kërkuari). Në 1975, Markov u martua me Anabel Dilke. Çifti pati një vajzë, Alksandrën, që lindi një vit më vonë. Midis viteve 1975-1978, Markov, raportoi vazhdimisht në lidhje me jetën e vështirë në Bullgarinë komuniste.

Reportazhet e tij, u transmetuan çdo javë në Radio Evropa e Lirë. Kritikat e forta ndaj qeverisë komuniste, dhe personalisht ndaj kreut të partisë Todor Zhivkov, e bëri Markovin armikun nr.1 të regjimit, që nuk ndenji duarkryq. Pas episodit të çuditshëm në mëngjesin e 7 shtatorit 1978 në stacionin e autobuzit, Markov mbërriti pak minuta më vonë në zyrat e Shërbimit Botëror të BBC-së.

Ai vuri re se në vendin ku ishte shpuar me majën e ombrellës së kalimtarit njeriut, ishte krijuar një puçër e vogël e kuqe. Dhimbja nuk i ishte zvogëluar apo ndaluar. Ai i tregoi mbi incidentin të paktën njërit prej kolegëve të tij në BBC. Atë mbrëmje u prek nga ethe të forta, dhe u shtrua me urgjencë në spital, ku vdiq 4 ditë më vonë, më 11 shtator 1978, në moshën 49 vjeçare.

Policia londineze urdhëroi kryerjen e një autopsie të plotë të trupit të Markovit. Dr.Bernard Rajli, një ekspert i njohur mjekoligjor, zbuloi një topth të vogël metalik në madhësinë e një koke gjilpëre të ngulitur në pulpën e këmbës së djathtë të Markovit.

Sfera e vogël kishte një diametër prej vetëm 1.7 milimetrash, dhe përbëhej nga 90 për qind platin dhe 10 për qind iridium. Ajo kishte 2 dy vrima të vogla, që formonin një zgavër në formë X. Ekzaminimet e mëtejshme nga ekspertët, treguan se topthi përmbante gjurmë të ricinit toksik. Mjerisht në atë kohë nuk kishte asnjë antidote, për të shpëtuar prej efeketeve vdekjeprurëse të këtij helmi. Pas më shumë se 4 dekadash, ka shumë të dhëna që thonë se pa vrasjes qëndronte shërbimi sekret bullgar i kohës dhe KGB-ja sovjetike.

Gazetari investigative bullgar Hristo Hristov, ka shkruar dy libra mbi vrasjen e Markovit ?Vrasja e të kërkuarit?, dhe ?Jeta e dyfishtë e Agjentit Pikadili?. Ai zbuloi në arkivat bullgare një marrëveshje bashkëpunimi midis KGB-së dhe Ministrisë së Brendshme Bullgare, të nënshkruar nga Ministri i Brendshëm Bullgar, Angel Canev dhe shefi i KGB-së sovjetike, Juri Andropov. Ky dokument, së bashku me kompleksitetin e ombrellës helmuese, tregon se bullgarët u mbështetën tek ekspertiza sovjetike për kryerjen e atentatit.

Deri më sot ka pasur disa hetime për vdekjen e Markov, por asnjëra nuk ka sjellë para drejtësisë autorin e vrasjes. Sipas investigimit të Hristov, vrasësi mbante emrin e koduar ?Agjenti Pikadili?. Ky ishte një shtetas danez, që kishte punuar për shërbimin sekret bulllgar që nga viti 1971.

Në vitet 1977-1978, ai vizitoi Londrën 3 herë; ishte në kryeqytetin anglez në kohën e vrasjes së Markovit, dhe u largua një ditë më pas. Pikadili mori medalje për shërbimin e tij, dhe jeton ende i lirë në Evropë. Emri i tij është Françesko Gulino, lindur në Itali, por zhvendosur herët në Danimarkë.

Në vitin 1993, ish gjenerali i KGB-së Oleg Kalugin deklaroi se kishte qenë i pranishëm në takimin ku ishte planifikuar vrasja e Markov. Kalugin, pretendon se urdhri për vrasjen e Markov erdhi pikërisht nga lideri i partisë komuniste bullgare, Todor Zhivkov, i cili dëshironte t?i mbyllte gojën zërit më kritik të rregjimit të tij.

Edhe dita e përzgjedhur për vrasjen e Markov, përkonte me ditëlindjen e Zhivkovit. Pavarësisht të dhënave, Pikadili, dhe asnjë ish-zyrtar i lartë komunist bullgar, nuk është vënë përpara drejtësisë për këtë krim. Dhe kjo për shkak se shumica e dokumenteve sekrete, që kanë të bëjnë me vdekjen e shkrimtarit janë shkatërruar.

Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga