web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dy prindërit u dogjën në banesë/ MSH, masa për mbështetjen e katër fëmijëve

10 Prill 2019, 10:55, Aktualitet CNA

Një ngjarje e rëndë ndodhi disa ditë më parë në një fshat të Pukës, ku një çift humbi jetën pas një zjarri në banesë, duke lënë jetim katër fëmijë, më i madhi prej tyre vetëm 15 vjeç.

Ndërkohë, lidhur me rastin në fjalë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përmes strukturave të saj të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Shërbimin Social Shtetëror ka marrë menjëherë masat duke mbledhur grupin teknik multidisiplinar për menaxhimin e rastit.

Pasi u bë vlerësimi i nevojave, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në koordinim me organizatat partnere dhuruan veshmbathje, pako ushqimore dhe karrocë për gjyshen e paralizuar që shpëtoi nga zjarri, duke u angazhuar për mbështetjen e familjes në vazhdimësi.

Ndërkohë ka nisur procedura për pajisjen me status jetimi të 4 fëmijëve dhe ka nisur menjëherë identifikimi i një familjeje të përshtatshme që do të marrë në kujdestari 4 fëmijët e mitur si zgjidhja më e mirë e mundshme.

Në bashkëpunim me Bashkinë Pukë 4 fëmijëve u është caktuar një pension social dhe bashkia ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë. Aktualisht fëmijët janë të strehuar tek gjyshja e tyre deri në përcaktimin e kujdestarisë. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës do të vijojë të ndjekë nga afër fëmijët për çdo nevojë që do të paraqitet në vijim.





Lajmet e fundit nga