LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Para sezonit, hotelet në kaos/ Klasifikimi ende në letër

12 Maj 2018, 06:56, Aktualitet CNA
Para sezonit, hotelet në kaos/ Klasifikimi ende në letër

Flet Kryetari i ATOA (Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike) Kliton Gërxhani

Sezoni turistik veror 2018 nuk ka asnjë ndryshim në aspektin e masave apo angazhimit institucional në raport me vitin 2017. Të paktën kështu e sheh situatën kreu i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike, Kliton Gërxhani. Në një intervistë për ?Monitor?, ai vlerëson se rritja e numrit të turistëve nuk është meritë e ndonjë ndryshimi drastik pozitiv, por lidhet me faktorë të jashtëm. Sipas tij, mungesa e klasifikimit të hoteleve e ka lënë sektorin në rrëmujën e zakonshme, ndërkohë që strukturat akomoduese konkurrohen nga apartamentet që nuk paguajnë asgjë në arkën e shtetit.

Si paraqitet situata këtë vit në raport me vitet e tjera. A është gati Shqipëria që të presë turistët në këtë sezon të ri në ardhje?

Nuk shohim ndonjë përmirësim që vlen të theksohet në turizëm në krahasim me vitin e kaluar. Turistët mund të jenë në rritje, por jo për shkak të përmirësimit të shërbimit apo cilësisë së turizmit tonë. Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë rritje, që më së shumti janë jashtë kontrollit tonë. Roli ynë kryesor ngelet të rrisim standardet e produktit turistik shqiptar që të mund të kemi sa më shumë turistë që do rikthehen dhe jo të themi që turistët po na i mbushin plot hotelet, edhe pse ne nuk po përmirësojmë asnjë nga problematikat e ngritura.

Cilat janë disa nga aspektet që mund të konsiderohen problematike dhe që i gjejmë të pakorrigjuara edhe këtë vit nisur nga infrastruktura, pastrimi i plazheve, menaxhimi i ujërave, menaxhimi i mbetjeve?

Ndotja e plazheve, por edhe e mjedisit në përgjithësi, vazhdon të ngelet një problem shumë shqetësues. Aq sa, pak ditë më parë u detyruam të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi me Kroacinë dhe Malin e Zi, të cilëve u ka dalë situata jashtë kontrolli për shkak të ndotjes, duke dëmtuar mjedisin dhe plazhet edhe këtyre fqinjëve, gjë që na bën dy herë me faj.

Megjithëse, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit e shohim në media të dalë shumë më shumë për mjedisin sesa për turizmin, do të ishim të kënaqur sikur çështjen e mjedisit ta zgjidhim përfundimisht, që ta quajmë një kapitull të mbyllur luftën kaq të zgjatur me ndotjen e gjithanshme dhe të gjithfarëllojshme.

Pastaj për sa i përket turizmit, një nga pikat kryesore që ne kemi ngritur ka të bëjë me vendosjen e një kuadri ligjor të zbatueshëm, që ndihmon zhvillimin e turizmit dhe që shkon drejt standardeve europiane. Por ndërkohë kemi kërkuar edhe të kemi një koordinim për vizionin dhe strategjinë e turizmit, përmirësimin e disa segmenteve rrugore turistike të rëndësishme, mirëmenaxhimin e atraksioneve turistike etj.

Si e shihni angazhimin e pushtetit lokal në këtë aspekt dhe koordinimin me atë qendror?

Nuk shikoj ndonjë angazhim të pushtetit lokal në këto problematika, përveç daljes në televizor në ndonjë mbledhje që thirret nga qeveria, dhe në atë rast, nëse përfaqësuesit lokalë janë nga e njëjta parti, se po të jenë nga opozita nuk i shikon të marrin pjesë as në këto mbledhje e le më të ketë bashkëpunim.

Edhe këtë vit jemi me struktura të paklasifikuara, pavarësisht se kuadri ligjor është miratuar prej kohësh, si ndikon ky faktor në tërësi?

Është i pashpjegueshëm dhe pakuptimtë bllokimi i klasifikimit të hoteleve me yje. U nis një proces për këtë gjë, u thirrën edhe ekspertë nga Zvicra për të na ndihmuar e për t?u konsultuar, por pastaj për çudi, ky proces u bllokua tërësisht, në mos u la pas dore, duke u fokusuar vetëm tek disa masa të pjesshme, për thithjen e hoteleve Brand, të cilët vazhdojnë të konfirmojnë që tërhiqen sepse ti si vend i ul taksat, por sepse duhet t?ju ofrosh një klimë biznesi.

Ndërkohë që ka një kaos total ku s?merret vesh kush po bën hotelin dhe paguan taksa, dhe kush apartamentin dhe s?paguan asgjë. Pra është krejt jashtë kontrollit dhe shteti bën sikur nuk e shikon, duke mundësuar që për fat të keq, situata të jetë e tillë edhe këtë vit. Ndërkohë që turizmi ynë ka nevojë për kapacitete akomoduese të mëdha, ne kemi lënë në kaos dhe jashtë sistemit edhe ato që kemi. /Monitor

Lajmet e fundit nga