web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Reportazh/Agronomi dhe kaldaisti fierak që punojnë riciklues: Çdo kosh nëpër rrugët e lagjes duket si një sofër

11 Dhjetor 2017, 12:17, Aktualitet CNA

?E nis ditën  në orën 5 00. Njoh çdo rrugicë të qytetit dhe më duket sikur  koshat e mbetjeve urbane më kuptojnë më shumë dhe më mirë se askush?.

Kështu e nis rrëfimin e tij 69 vjeçari Thoma Kola banor i lagjes Sheq i madh Fier, një nga 300 shtetasit e vetpunësuar në biznesin e grumbullimit dhe shitjes së mbetjeve ricikluese në Fier.

Ai ka tre vjet, që ka përfituar pensionin e pleqërisë. Ndërsa ka punuar përgjegjës i Kaldajës në ish TEC Fier.  Në  TEC nisi punën një ditë pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, më 12 Prill 1985, dhe  u shkëput nga ky prodhues energjie, në prill të vitit 2017, atëherë kur TEC-i sipas tij u mbyll, dha shpirt.

?Nuk rrija dot pa punë. Isha mësuar të punoja dhe të sillja të ardhura për familjen time.

Riciklimi është një vend i fuqishëm pune për çdo njeri. Ndaj zgjodha këtë profesion të ri për moshën që më ka mbetur nga zoti?, tregon Thomai.

?Kam ndeshur me kundërshtimin e gruas time. Nuk donte të punoja nëpër koshat e mbetjeve urbane. I vinte rëndë nga opinioni.

?Por unë zgjodha të punoja dhe të bindja fillimisht veten, pastaj gruan se kjo është një punë e ndershme që më sillte fitime?.

Çdo kosh nëpër rrugët e lagjes ai e shikon si një sofër..Po po, si një sofër ku ekspozohen ato që konsumojnë banorët e çdo blloku. Dhe që ofron ushqim edhe për 300 familje të tjera që mbledhin material të riciklueshme.

?Ne kemi një kod  si mbledhës riciklues. Kur shikojmë tjetrin duke punuar në një kosh, largohemi që aty duke i uruar punë të mbarë. Nuk mërzitemi apo grindemi. Është sofër, hambar për të gjithë. Nuk kemi të ndarë me njëri tjetrin?, tregon ricikluesi i palodhur.

Në sytë e të moshuarit koshat janë  jo vetëm një vend pune. Kanë një imazh të respektuar,dhe mënyra se si janë vendosur anës rrugës i kujtojnë rreshtimin dhe rregullin ushtarak.

?Është një lloj disipline ushtarake.Unë e pëlqej rregullin. Kështu i shikoj koshat. Kur shkoj pranë tyre nuk dua ti përmbys. Më duket sikur përmbys kupën e bukës time.  Këtë që them askush nuk e kupton. Unë po. Unë, Pilua, Kaçi, Tani, Sokoli, ne pra që punojmë përditë në riciklim i shikojmë vendgrumbullimet e mbetjeve si pjesë tonën?, pohon Thomai.

Edhe Adriatik Çomo, është një tjetër i vetpunësuar në sektorin e riciklimit. Ai ka mbaruar për agronomi. E ka ushtruar profesionin siç edhe thotë për shumë vite. Ndërsa është futur në këtë punë, sepse koha dhe problemet familjare nuk po zgjidheshin me profesionin e agronomit dhe fermerit.

?Puna nuk ka turp. Nuk më takonte mua kjo lloj pune sipas njerëzve që më gjykojnë. Por, çfarë duhet të bëjmë sipas tyre? Të dorëzohemi? Jo. Ndaj punoj dhe ndihem i vlerësuar për atë që bëj?, pohon Adriatiku.

?Kam punuar në profesionin tim si agronom.  Kam mbjellë perimore, në terren dhe në sera Por edhe këtu nuk ndihem keq. Sepse ndershmëria ka një ngjyrë. Atë të punës dhe djersës?,përfundon ai.

Edhe për xha Thomain, vendi i punës  nuk ka ngjyrë.

?Ngjyra e vetme është drita në mëngjes dhe errësira në mbrëmje. Unë kryej dy rrugë në ditë. Mbledh hekur,qelqe, alumin,kauçuk, kanaçe. Ndërsa gruaja ime. I ndan mbetjet në shtëpi. Madje edhe ato ushqimore. Ushqejmë gica dhe derra. Janë më shumë leverdi.?

Por si e ka përballuar ndotjen?

?Ndotjen?..Unë kam punuar në kaldajë për dhjetra vjet Atje të mbyste era e squfurit dhe gazit. Këtu? Se ndiej aspak. Punojmë me gruan dhe ndajmë sipas ngjyrës mbetjes dhe materialit, ngjyra e bardhë, plastmasi, kushtojnë 300 lekë. Ngjyra e zezë, shishet e birrës, kushtojnë 150 lekë.

E nisa këtë profesion nga halli, por tani ushqehem. Rreth 40 mijë lekë fitoj dhe nuk kam pse gënjej. Jam i zënë me punë nga mëngjesi në darkë. Ushqej familjen time dhe ndihmoj edhe  fëmijët e mi studentë. Jam krenar për këtë gjë.?

Një merak e kanë si Adriatiku, ashtu edhe xha Thomai.Vendosja e koshave të rinj nëpër rrugët e Fierit, kjo teknologji e re që po zbatohet për herë të parë në vendin tonë, mund ti lërë pa punë.

Bashkia Fier për të ulur ndotjen dhe  menaxhuar më së miri mbetjet urbane,ka futur këtë tekonologji,e cila po ?falimenton?, po i nxjerrë dalëngadalë  të papunë.

?Se si më duken ata koshat e rinj. Kanë një pamje të ftohtë.Fshehin gjithçka brenda vetes nën tokë. Siu afrohesh dot.Kanë një shkëlqim që të vret sytë?, picërron sytë xha Thomai.

?Për mua janë si frigorifer. Mbysin brenda punën tonë?, buzëqesh Tiku..

Projekti i ri i Bashkisë Fier ka nisur me paraqitjen  e projektit të rivitalizimit të qendrave urbane të qeverisë shqiptare. Për herë të parë, janë vendosur nën tokë   kosha të tillë. Ata  janë hermetikë dhe depozita e tyre mban brenda një sasi prej 8 metër kub mbetje. Qytetari derdh mbetjet në kutinë e sipërme nëpërmjet lëvizjes së një marshi me këmbë. Kur qytetari largohet, kapaku mbyllet dhe gjithçka ndodhet nën tokë.

Zëdhënësja e Bashkisë Fier Irma Hoxha dhe Drejtori i ndërrmarrjes së Pastrimit Azem Shatëri thonë se i gjithë qyteti, brenda një periudhe kohe të shkurtër do të ketë këto lloj teknologjie për grumbullim mbetjesh.

Rrugët që kanë përfunduar projektet e rivitalizimit, i kanë tashmë këto kosha, një teknologji që investohet  për herë të parë në shqipëri.

?Pasi mbushet koshi, ai nëpërmjet mjetit vetshkarkues nxirret nga gropa dhe mbetjet derdhen në kontinierin e madh. Eleminohen ndotjet ne natyrë dhe higjena është e lartë?, pohon drejtori Azem Shatëri

Edhe rruga kryesore bulevardi i Fierit  do të ketë të tillë koshash, deklarojnë në Bashki.

?E di. Një ditë do të falimentojmë ne dhe shokët. Por, vazhdojmë  të punojmë?, pohojnë Thomai dhe Adriatiku

I veshur me xhaketë kadife ngjyrë kafe, ngjyrën e tokës,ku poshtë saj dallohet një këmishë me kuadrate, me këpucë sportive  të lidhura fort me lidhësa, një palë pantallona të zeza. Ai nis punën në dy prej koshave që ndodhen në sheshin qëndror të Fierit.

Përkulet brenda tyre, merr mbetje të ndryshme dhe  i depoziton në thasë të zinj. Pastaj përpiqet të fshij djersët nën kapelën me strehë me ngjyrë të zeza.

Tiku ka zënë një tjetër lagje,”Konferenca e Pezës? i veshur me rroba pune, i pakrehur dhe me merakun e nxjerrjes së ditës së punës, ai përqëndrohet te koshat e mbetjeve dhe asgjëkund tjetër.

? Kjo është puna..! Sa më shumë njërëz të punojnë, më shumë rritet ekonomia familjare?, thotë Thoma Kola.

?Koha e solli të provojmë të mbajmë ekonominë jo me agronomi, por me riciklimin,? thotë Adriatik Çomo.

Të dy ngarkojnë karrocat me thasë me mbetje të ndryshme. Secili nis pastaj të ecë nëpër rrugët e Fierit, drejt qendrave grumbulluese. Do të shesin mbetjet e grumbulluara këtë ditë. Për të nisur ritualin ditën tjetër. /Arben Velo

 





Lajmet e fundit nga