web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një talent si Ilir Meta

27 Janar 2017, 10:21, Aktualitet CNA

Mbrëmjen e djeshme, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, zbuloi mes politikanëve shqiptarë talentin që duhet të jetë kryeministër i Shqipërisë, pra atë që duhet të qeverisë vendin.

Sigurisht, sipas Manjanit, talenti kaq shumë i munguar, i cili do ti japë fund keqqeverisjes është kreu i LSI, Ilir Meta.

Sipas Manjanit, kreu i Kuvendit është njeriu super i talentuar që duhet të marrë drejtimin e vendit dhe se ai e ka treguar këtë edhe më parë.

Por, le ta marrim të mirëqenë deklaratën e Ministrit Manjani dhe të mos e diskutojmë talentin që ka Meta ka për të drejtuar vendin.

Mjafton të ti hedhësh një sy profilit të kreut të LSI-së në politikë dhe kuptohet se Meta është njeriu i duhur për të drejtuar vendin, por kjo vlen për Shqipërinë, ku figurat me më shumë probleme, më shumë të akuzuar, janë ata që ngjisin shkallët e karrierës së tyre.

Kthehemi në vitin 1992, kur për herë të parë në Shqipërinë Demokratike, një deputeti të Kuvendit iu hoq imunitetit. Bëhet fjalë për talentin Ilir Meta, të cilit iu hoq imuniteti pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë.

Vitet kaluan dhe Meta e zhvilloi talentin e tij, dhe më në fund arriti ta përdorte. Në vitin 1999, ai u zgjodh kryeministër i vendit. Gjatë kësaj kohe, u regjistrua një nga ngjarjet më të rënda, vjedhja e thesarit të Krrabës. Opozita e asaj kohe akuzoi direkt Ilir Metën.

Nga kjo ngjarje, Metës i mbeti nofka ?Ilir Floriri?. Vjedhja e thesarit pasoi disa arrestime fshatarësh dhe kaq. Përgjegjësit mbetën të lirë.

Zgjedhjet e vitit 2001 të zhvilluara me talentin Ilir Meta si kryeministër.  Ky ishte rasti më i mirë që Meta të tregonte talentin e tij. Në fakt, këto zgjedhje ishin më të kontestuarat dhe më të korruptuarat. Këtë qëndrim e kanë shprehur edhe ndërkombëtarët, SHBA dhe BE në raportet e tyre.

Në vitin 2005, me krijimin e LSI, Meta ndikoi dukshëm në çarjen e votave të së majtës, duke favorizuar në këtë mënyrë Partinë Demokratike.

Nga viti 2009 LSI ishte krimbi që po kalbte qeverisjen e PD dhe video skandali i publikuar në dhjetor 2010, ku Ilir Meta shfaqej me një bllok të zi në dorë në zyrën e Dritan Priftit, ishte një nga provat më reale, e konfirmuar edhe nga ekspertiza ndërkombëtare, por e rrëzuar nga Gjykata e Lartë në Shqipëri, mbi atë se çfarë po ndodhte realisht në zyrat e shtetit shqiptar.

Pas publikimit të videos, Ilir Meta dha dorëheqjen nga postet qeveritare, por protesta e 21 janarit, e organizuar pikërisht për këtë rast u mbyll me vrasjen e 4 protestuesve në bulevard.

Në vitin 2013, Meta ndryshoi koalicion dhe u bashkua me Partinë Socialiste. Por, shumë shpejt do të ishte sërish në qendër të akuzave. Deputeti socialist Tom Doshi deklaroi se Meta kishte urdhëruar vrasjen e dy deputetëve, për të dhe për Mhill Fufin.

Gjithashtu, emri i Ilir Metës, rezultoi i implikuar edhe në aferën CEZ, një nga çështjet që edhe sot është nën hetim. Ai u akuzua si personi që qëndronte pas kësaj afere, sidomos pas arrestimit të Kastriot Ismailajt, për të cilin Meta tha se nuk e njihte, por që më pas rezultoi se ishte pjesëmarrës në dreka dhe darka me të.

Komisioni Hetimor sot po heton persona të ndryshëm, por Meta nuk është thërritur në asnjë seancë dëgjimore. Edhe akuzat e Partisë Demokratike për këtë çështje ndaj Metës janë shuar. Dikur ai ishte shënjestra e opozitës për aferën e CEZ/

Ndoshta për këto ?bëma? të Metës, Ministri i Drejtësisë nuk është në dijeni dhe e quan Metën talentin që duhet të qeverisë vendin. Por, që të qeverisësh një vend, së pari duhet të fitosh zgjedhjet, të kesh konsensus të gjerë, si dhe të jesh një figurë e pastër politike, gjithmonë nëse kërkojmë që vendi ynë të integriohet në Europë.

Prandaj, deklaratat e Manjanit mbrëmjen e djeshme, më shumë se ngritja në qiell e figurës së Metës si talenti që do shpëtojë vendin, shihen si vijimësi e strategjisë së LSI-së për të ushtruar presion ndaj Partisë Socialiste. Për çfarë po ushtrohet ky presion, zhvillimet politike do ta zbulojnë shumë shpejt./Citynews





Lajmet e fundit nga