web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Monopoli shtetëror i plehërave

14 Gusht 2016, 17:20, Aktualitet CNA

Në datën 5 janar, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, firmosi një marrëveshje me homologun e tij të Veronës, Flavio Tozi. Në thelb qëndronte marrja e modelit dhe përvojës nga autoritetet vendore të Veronës për të pastruar edhe Tiranën. Bashkia e Tiranës ka filluar punën për të krijuar një ndërmarrje publike, e cila do të pastrojë qytetin dhe do të menaxhojë mbetjet.

Pastrimi i Tiranës sot

Jo vetëm qendra e Shqipërisë, por edhe qyteti më i madh për sa i takon numrit të popullatës, Tirana, me 1 milion banorë, e kishte zgjidhur menaxhimin e pastrimit përmes kontraktimit të 6 firmave të mëdha, të cilat për territorin që kishin në mbikëqyrje, kontraktonin edhe firma të tjera. Këto ndërmarrje veprojnë sipas ndarjes së hartës së qytetit në 6 zona. Fondi që buxheti i bashkisë miraton çdo vit për të menaxhuar mbetjet shkon në 10 milionë euro. Por sa eficent ka qenë pastrimi i qytetit nga privatët? Me sa duket, Bashkia nuk është e kënaqur me këtë mënyrë, për sa kohë që po kërkon alternativa të tjera dhe për më tepër, rikthim te menaxhimi publik. ?Tirana, pas një viti, është shumë më e pastër dhe e gjelbër sesa ishte një vit më parë. Vendosëm tualete portative publike. Kemi nevojë për investime në infrastrukturë e kulturë. Sot kërkohet që atdheun të mos e bëjmë pis. Ne po e bëjmë Tiranën si gjithë Europa. Tiranën nuk mund ta vandalizosh, ta bësh pis apo ta shkatërrosh. Anuluam kontratat për dy kompani që u vlerësuan shumë keq nga qytetarët?, ? deklaroi kryebashkiaku një muaj më parë. Ai nuk e fshehu pakënaqësinë në lidhje me menaxhimin që deri më sot kishin bërë privatët. ?Krijuam kompani publike me Bashkinë e Veronës për kalimin e ndërmarrjes së pastrimit në publike e jo private. Hoqëm 22,000 tonë mbetje urbane, por unë u bëj apel qytetarëve: Pak më shumë kujdes në drejtim të mbajtjes pastër të ambientit. Një kompani e re, qoftë edhe publike, nuk do të heshtë për pastrimin e qytetit. Në shtator puna e saj do të fillojë me ndërrimin e koshave të plehrave. ?Tirana do të ketë kosha të rinj dhe kompani të re publike, do të ndalohet futja në çdo kosh dhe nxjerrja e plehrave jashtë për të kapur një kanoçe ose shishe plastike. Personat që zbrazin koshat, bashkia do t?i punësojë në impiantin e riciklimit që ne kemi në Sharrë. Tirana do të ketë landfill të ri dhe modern. Për këtë, kemi realizuar edhe takime me ministrin e Mjedisit dhe kryeministrin, në mënyrë që kjo nismë të realizohet shpejt?, ? tha para disa javësh Veliaj.

Në një relacion të siguruar nga ?Monitor?, thuhet se shërbimi i pastrimit të qytetit sot lë shumë për të dëshiruar në një kohë që numri i qytetarëve është në rritje. Raporti thotë se pastrimi me kontejnerë, i cili nisi në vitin 2008, sot është tërësisht i amortizuar. ?Mjafton këtu të kujtojmë dy nga elementet bazë të këtij shërbimi, të cilët janë kontejnerët publikë, sot pronë e Bashkisë, si dhe mjetet që aktivizohen për realizimin e këtij shërbimi. Të dy këto elemente janë aktivizuar në vitin 2008, që do të thotë për 8 vite aktivitet intensiv, kur koeficienti i amortizimit është 20% në vit, ndërsa mjetet teknologjike datojnë nga viti 1998?, thuhet në raport. ?Janë pikërisht këto elemente që na bëjnë të kërkojmë krijimin e një ndërmarrje të re në partneritet me ndërmarrje të së drejtës së huaj, që shquhen si ofrues elitarë të shërbimit të pastrimit, mbledhjes dhe largimit të mbeturinave, selektimit të mbetjeve urbane, riciklimit të tyre, si dhe për edukimin qytetar për bashkëpunimin në ndarjen, seleksionimin dhe mbrojtjen e mjedisit?, konkludohet në raport.

Cila është kompania e re publike?

Në datën 22 qershor 2016, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), u regjistrua kompania publike ?Eco Tirana?, e cila përbëhet nga një kapital aksioner i përbashkët mes Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës. 49% të këtyre aksioneve janë në pronësi të Holding AGSM Albania, 51% e ka në pronësi bashkia e kryeqytetit. Në bordin e kompanisë po ashtu ka anëtarë të cilët janë marrë nga kompania publike që pastron qytetin e Veronës. Emra si Giampaolo Tessari, Andrea Miglioranzi, Diego Testi, Fabio Venturi, Maurizio Alfeo figurojnë në dokumentet e regjistrimit të firmës si administratorë apo anëtarë të bordit mbikëqyrës, të cilët pasohen nga emra të njohur në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës, duke nisur me Taulant Tushën, Dorjan Shehun, Jonida Halilin dhe Arbjan Maznikun. Afati për të mbajtur këto poste në kompaninë joint-venture është 3 vjet për secilin dhe qëllimi i krijimit të saj është i shprehur qartë në dokumentet që dy bashkitë kanë depozituar në QKB. ?Menaxhimi i shërbimeve mjedisore, duke përfshirë por pa u kufizuar në: mbledhjen, transportin, ndërmjetësimin dhe tregtimin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike, ndërtimin dhe manaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorrist?, thuhet në përshkrimin e objektit të aktivitetit të ?Eco Tirana?.

Por, megjithatë, edhe pse në thelb të saj kompania është publike, 49% e aksioneve janë në pronësi të ?Holding AGSM Albania? (kjo e fundit është në pronësi 75% nga AGSM Verona dhe 25% nga Amia Verona), fakt që nuk përjashton marrjen sërish të operatorëve privatë në menaxhimin e saj. Frika më e madhe në këtë mes është nëse Bashkia e Tiranës, thjesht po ndërron klientët e saj në kontratat që ka me privatët, apo po synon përmirësimin e mënyrës se si pastrohet qyteti. Deri më sot, ajo nuk ka paraqitur asnjë projekt konkret se mbi çfarë bazash do të veprojë kompania që sapo ka krijuar për të parë mënyrën se si do të trajtohen. Edhe pse ?Monitor? iu drejtua zyrtarisht për të kërkuar informacion mbi mënyrën se si do të pastrohet qyteti e se nga do të fillojë puna e kësaj ndërmarrjeje, Bashkia nuk u përgjigj. Megjithatë pas disa përpjekjeve, ?Monitor? siguroi mënyrën e veprimtarisë së saj nga burime të tjera.

Biznes-plani i ?Eco Tirana?

Në 18 muajt e parë të saj, ose në harkun kohor të një viti e gjysmë, ndërmarrja ?Eco Tirana? do të menaxhojë një fond prej 2.5 milionë eurosh, ku 10% e këtij fondi do të shtohet për të mundësuar mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Zona ku do të punohet fillimisht nga kjo kompani njihet si zona e kuqe, që është pjesa e qendrës dhe Tiranës së Re. ?Monitor? ka siguruar planin e biznesit të saj. ?Në përfundim të kësaj periudhe, menaxhimi i shërbimeve dhe mbledhja e diferencuar do të zgjerohen automatikisht deri në përfshirjen e të gjithë territorit të Bashkisë së Tiranës, ku përfshihet territori i bashkisë përpara reformës territoriale. Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet në 50% të territorit që mbetet dhe nga 1 qershori 2018 do të mbulojë të gjithë territorin si më sipër?, ? thuhet në planin e biznesit të ?Eco Tirana?.

Kostot financiare të saj do të rriten me 10% më shumë se buxheti që sot jep bashkia për të pastruar qytetin, kjo shpjegon se biznesplani nevojitet për të bërë diferencimin e mbetjeve, ndarjen e tyre fillimisht në dy lloje, të lëngshme dhe të thata, e më pas ndarjen në disa nënfaza të tjera. ?Mbledhja e diferencuar do të jetë edhe burim të ardhurash për shoqërinë. Me mbështetjen e bashkisë për zbatimin e ligjit kundër grumbullimit të paligjshëm të plastikës, fondet e ngritura do të jenë dukshëm më të larta dhe do të ndihmojnë për mbulimin e kostos shumë të lartë të trajtimit të mbetjeve organike?, thuhet në raportin e Bashkisë. Megjithatë, kjo pjesë do të hapë shumë debate për shtresën vulnerabël të shoqërisë që mbledh mbetjet për t?i shitur te ricikluesit, pasi nuk do të kenë mënyrë tjetër për të mbledhur të ardhura. E njëjta gjë mund të vërë në pikëpyetje edhe çmimet që bashkia do t?ua shesë mbetjet kompanive që i përpunojnë ato, duke qenë se është një ndërmarrje monopol, e cila nuk lejon mbledhjen e tyre nga të tretët, por ligji po ashtu ndalon importin e tyre.

Si do të operohet pastrimi nga ndërmarrja sipas viteve.

?Në ?zonën e kuqe? parashikohet t?iu shërbehet rreth 200 mijë rezidentëve. Sasia e mbetjeve në këtë zonë është parashikuar 20% e totalit të Tiranës, afro 200,000 tonë. Pra supozohet se në zonën e kuqe janë 40,000 tonë?, thuhet në planin e ndërmarrjes publike të sapo krijuar. Vitin e parë, kompania do të përpunojnë vetëm 20,000 tonë, duke qenë se do të operojë vetëm për 6 muaj, më pas ajo do të zgjerojë aktivitetin vitin e dytë me 80,000 tonë dhe të tretin me 120,000. Në fund të planit të saj, 2019-a do të fillojë menaxhimin e 200,000 tonë mbetjeve.

Po ashtu parashikohet që të bëhet zëvendësimi i 650 kontejnerëve ekzistues, apo kazanëve të plehrave, duke nisur që prej shtatorit të këtij viti, zëvendësimi do të bëhet në zonën më të ngarkuar që është qendra, ku ka shumë flukse qytetarësh dhe institucionesh.

Por si do të organizohen kontejnerët? Grumbullimi i mbetjeve do të bëhet përmes sistemit me tre kosha, të cilat do të kenë ngjyra dhe sinjalistikë sipas materialit që duhet të depozitohet në atë kosh.

aktivizimi i kontejnerëve 1300-1700 litra me rrota për të garantuar grumbullimin e materialeve të ?thatë?, fillimisht në zonat me aktivitet të lartë ekonomik

aktivizimin e kontejnerëve 1300-1700 litra për grumbullimin e mbetjeve që duhet të dërgohen në landfill

aktivizimin e kontejnerëve me rrota 240-360 litra për grumbullimin e mbeturinave organike, të cilat do të dërgohen për t?u trajtuar pranë impianteve apo ambienteve të dedikuara për këtë proces.

Shpenzimet e kompanisë

Investimet e ndërmarrjes së re do të përqendrohen në blerjen e automjeteve dhe makinerive e pajisjeve teknologjike për ofrimin e shërbimit dhe do të synojë teknologjinë më të mirë në dispozicion. Në vitin e parë të operimit, shpenzimet kapitale do të arrijnë në 1.8 milionë euro, ndërsa në të dytin dhe të tretin kjo shifër do të dyfishohet. Në harkun kohor të 5 viteve, shpenzimet do të arrijnë 10.9 milionë euro.

?Shoqëria parashikohet të operojë në pjesën e dytë të vitit 2016 me 23 punonjës staf administrativ dhe 123 punonjës staf operacional me një fond pagash prej 317.174 euro?,- shkruhet në planin e biznesit. Në fund të 2017-s, numri i punonjësve parashikohet të arrijë në 234 staf operacional me një fond të dyfishuar dhe nga viti i katërt e në vijim, punonjësit e terrenit do të arrijnë në 352. Në total, fondi i pagave në këtë vit shkon në 912.286 euro.
Publike apo private?

Nuk ka kaluar shumë kohë që shqiptarët të harrojnë menaxhimin që shteti bënte në çdo fushë ekonomike. Shumica prej nesh e kanë jetuar atë kohë dhe sot debati është ende i madh: cili bën administrim më të mirë, shteti apo privati? Deri më sot, Tirana nuk është konsideruar një qytet i pastër, por edhe mënyra e menaxhimit të bashkisë dhe ndarjes së mbeturinave sipas llojit të tyre, në fakt, nuk është një gabim i kompanive që pastrojnë qytetin, por një mungesë vullneti në realizim i drejtuesve, qoftë kjo edhe për bashkitë e tjera që janë në territorin shqiptar. Një projekt ?Unë ricikloj? i nisur nga shoqata Ekolëvizja u realizua në Tiranë dy vite më parë dhe ende dhe sot, koshat që mundësojnë ndarjen e mbetjeve janë rrugëve të qendrës dhe ish-Bllokut të Tiranës. Pavarësisht kësaj, mbeturinat që hidhen aty janë të përziera, por edhe në rastet kur qytetarët i hedhin të ndara, ato bashkohen dhe përzihen në landifill ?

Kompania e re, që po fillon si projekt me Bashkinë e Veronës, sipas kryebashkiakut Erion Veliaj mund të zgjidhë më mirë këtë problem, por në mes të saj qëndrojnë pyetje për rrezikun dhe cilësinë e pastrimit të qytetit. Nëse puna e saj nuk funksionon si duhet, kush do ta kontrollojë atë? A mund ta ndëshkojë bashkia veten? Kë do të ketë konkurrente ajo në punë dhe çfarë do të marrë si model për të pastruar më mirë zonat e qytetit? Do të bëjë ndarjen dhe garën me skuadrat e punëtorëve si dikur? Sa rrezikon ajo krijimin e monopoleve, jo vetëm në fushën e pastrimit, por edhe në atë energjetike, të gazit, përpunimit të ujit etj.?

Ata që kanë një biznes të këtij lloji, do të bënin mirë që të lexonin ekstraktin që ka depozituar ?Eco Tirana? në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e cila nuk e kufizon veten nga ofrimi i shërbimeve të tjera për qytetarët.

?Shoqëria mund të zhvillojë edhe veprimtaritë në vijim: manaxhimi i integruar i burimeve ujore, konkretisht: thithja, ngritja, transporti, trajtimi, shpërndarja dhe shitja e ujit për çfarëdolloj përdorimi dhe në çfarëdolloj forme, mbledhja, trajtimi dhe pastrimi i ujërave të ndotura dhe/ose i ujërave të shiut, ndërtimi dhe menaxhimi i impianteve për trajtimin dhe pastrimin e ujërave shkarkuese; projektimi, realizimi dhe menaxhimi i rezervuarëve artificialë dhe digave?, ? thuhet në përshkrimin e aktivitetit të saj në QKB. Monopoli po rrezikon krijimin e monopoleve të tjera. /monitor/





Lajmet e fundit nga