web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kokëdhim(bj)a!

17 Mars 2016, 22:55, Blog CNA

Sokol Gjoni

Majko, deklaroi dje se PS-ja është spektakël i demokracisë !!! Natyrisht, brenda këtij karnavalo-spektakli Pandi mbetet gaztori që përpiqet të argëtojë palët me zhonglimet dhe xhufkat gjuhësore    ”Blushi ka të drejtë, por unë jam me Ramën ”. I improvizuar  për rolin bufon të karnavalo-spektaklokracisë së PS-së, Majko, krahas miratimit që i jep oligarkisë si referencë dhe model drejtimi, bëhet dhe mentori i kësaj kllonuade të pështirosur.  Zhvillimet e denatyrshme brenda PS, me sfond ”partia mbi gjithçka”, vjen e artikuluar si pikëpamje dis-harmonike brenda gjeneratave, klaneve, bandave, pashallëqeve, feudeve, bajraqeve, etërve, bijve, etj, etj, por asnjëherë e fokusuar në problematikat reale të vendit. Gjë krejt e zakontë, pasi në radhë të parë kemi partinë, pastaj…le të shohim…ndoshta Shqipërinë!!! Përtej këtij tragjikomizmi që mbart deklarata eksitante e këtij profili politikanësh që jargëzohen si veshtullorë, duke zgjedhur partinë para Shqipërisë, të lë një shije të idhët e gjithë thagma e kësaj butaforie që serviret mediatikisht për konsumizëm publik, duke përmbushur më së miri qëllimin e tyre të devijimit dhe të çfokusimit nga realiteti konkret.

Saga e delirit të spektaklokracisë, është përpjekja për të marketuar me aforizma kapjen e partisë nga një strukturë plaçkitësish, të cilët po administrojnë me mendësi fajdexhinjsh jetën politike të vendit. I ndarë në pashallëqe klanore, uzurpimi i partisë ka prodhuar kategorizimin e saj në ”të fortët”, ”të urtit” dhe ”puthadorësit”, të cilët i shërbejnë maskaradës për të kompletuar aktin episodik të radhës, atë të cinizmit ekstrem me qytetarët. Tallja me spektaklokaci, është tabloja e shpëlarë e një realiteti të zymtë, ku kriza ekonomike që ka ngërthyer vendin, rritja e papunësisë, rritja e nivelit të varfërisë, deflacioni, pasiguria, rritja e treguesve të krimit dhe veprave kriminale, që edhe përtej përpjekjes së sforcuar të qeverisë dhe tellallxhinjve për ti ambalazhuar me etiketën e sfidave dhe krizave globale, janë dështime spektakolare që kërkojnë reflektim dhe yshtje për zgjidhje.

Në vizgatoren e zhvillimeve të brendshme partiake, PS-ja dëshmon se mbetet e aftë me  stilin reminishent të trukimit të opinionin publik përmes teatralizimit të retorikës dhe zhargonit politik. Trajtimi i opinionit qytetar me nanurisjen e reformave të mëdha, me dallgëzimin e anëtarësimeve që po ”vërshojnë” në PS, me rritjen galopante të investimeve publike, me shtimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës(por nuk kemi profesionistë, se vende pune ka), me shërbime të çdollojshme konçensionare, padyshim, janë namatisje dhe rrekje për të harbuar me opiumin e propagandës qytetarin e shkalafitur nga zhgënjimi qeverisës.

Trombat mediatike që janë shndërruarr në çibanë të pushtetit, përnatshëm servirin paradat e sukseseve të qeverisë, duke ndikuar pahirshëm në shijet e publikut, që detyrohet të ndjekë emisione televizive të mbushura me pompozitet delirantësh apo me retorikë gërnjarësh, të cilët pa kokëçarje, përqullen dhe jargëzohen në thelat e pushtetit. Çuçuritjet e shoqërisë civile, në emër të kauzave ”safi”, të papërziera me politikën, janë një gurgule e padobishme, pasi askush nuk i merr seriozisht. Opinionistët mediatikë, si mbarsje laboratorike e interesave okulte, me cafullimat e tyre të çdoditshme, janë zhytur në baltovinën e paskrupullshmërisë.  Identikiti i vlerave dhe triumfeve qeverisëse, mbart përshkrimin e politikanit që nuk ia ”bën syri tërr” kur propozon legalizim të kanabisit; të ligjvënësit që përfiton para nga investimet publike nën influencën e të qenurit deputet; të biznesmenit-parlamentar që vetshpallet i paprekshëm nga ligji; të pronarit mediatik që kullandriset në sipërmarrës ndërtimesh e deri tek pakufishmëria e pushtetit që ka në Jug të vendit. Karvani le të lehë, KOKËDHIM(bj)A vazhdon…!

 





22:25 Blog

Tjetrizmi‏

Eni BitrakuLufta me e madhe qe behet sot ne bote per tjetrin...

Lajmet e fundit nga