web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ekonomia drejt rrënimit/ Bien eksportet dhe importet, INSTAT jep alarmin

29 Tetor 2015, 07:37, Ekonomi CNA

Situata ekonomike në vend nuk duket aspak pozitive. Raporteve ndërkombëtare negative të njëpasnjëshme, ditët e fundit po u shtohen dhe ato të institucioneve zyrtare shqiptare. Ndërsa Banka Botërore deklaron se vendi ynë është pozicionuar në vendin më të keq në rajon për të bërë biznes, një tjetër goditje vjen nga INSTAT, i cili raporton rënie të importeve dhe eksporteve në muajin Shtator, duke dëshmuar rënie të konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë, por edhe të konsumit në vend.

Rënie e eksporteve

Këmbimet tregtare gjatë Shtatorit pësuan rënie vjetore si në importe, ashtu edhe në eksporte, duke theksuar më tej ecurinë negative të tregtisë së jashtme gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet e mallrave arritën vlerën 20 miliardë lekë, duke u ulur me 4.4 % në krahasim me Shtatorin e vitit të kaluar. Grupi që ka udhëhequr eksportet në vitet e fundit, ?Minerale, lëndë djegëse, energji? edhe për Shtatorin rezultoi në rënie me 3.8% ndaj Shtatorit 2014. Të dhënat progresive të 9­mujorit dëshmojnë një rënie të eksporteve të këtij grupi me 22.2% me bazë vjetore. Materialet e ndërtimit dhe metalet ndaluan rritjen, për 9 mujorin, si rrjedhojë e performancës së keqe në Shtator, duke rezultuar me eksporte prej 28 miliardë lekësh, për periudhën Janar-Shtator. Ndërsa eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit kanë shënuar rritjen më të madhe në vlerë absolute për 9-mujorin, duke u zgjeruar me gati 3.1 miliardë lekë, apo 28%, për të arritur në 14 miliardë lekë. Edhe eksportet e makinerive dhe pajisjeve kanë vijuar ecurinë pozitive, ndonëse me ritme më të ulëta se në pjesën e parë të vitit, duke u zgjeruar me 33% në 8.6 miliardë lekë. Eksportet e drurit dhe letrës, një grup që u rrit me ritme dy shifrore vitin e kaluar ka rezultuar me rënie këtë vit, duke u ulur me 8.2% për 9 mujorin, në 6 miliardë lekë. Edhe grupi i makinerive e pajisjeve të këmbimit vijoi rritjen, duke u zgjeruar me 42% në 7.7 miliardë lekë, si rrjedhojë e rritjes së aktivitetit të fasonit industrial. Megjithatë, në gusht, ai pa për herë të parë një rënie të lehtë me bazë vjetore. Për 9-mujorin, grupi më i eksportuar ishin tekstilet e këpucët, me 36% të totalit.

Importet

Një ecuri të dobët gjatë muajve të fundit po shfaqin edhe importet. Gjatë Shtatorit, vlera e importeve ishte 7.4% më e ulët ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, edhe bilanci progresiv i 9­mujorit është tashmë negativ, me një rënie prej 1.4% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Edhe në krahun e importeve rezultatet më negative po i shfaq grupi ?Minerale, lëndë djegëse, energji? me një rënie vjetore prej 35% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kërkesa e dobët dhe ulja e çmimeve të lëndëve të para e sidomos e naftës po rezulton një faktor përcaktues në bilancin tregtar të vendit, duke ndikuar si tek importet, ashtu edhe eksportet. Rënia e ndjeshme e importeve ka bërë që gjatë muajit Shtator deficiti tregtar i vendit të ulet me 10% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sidoqoftë, për të gjithë 9­mujorin deficiti tregtar vazhdon të jetë pak më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rreth 0.7%. Deri në fund të Shtatorit, deficiti tregtar i vendit ka prekur shumën e afro 206 miliardë lekëve.





Lajmet e fundit nga