web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Intervista me Fatos Klosin: Ja kush i ka instaluar pajisjet e përgjimit në Presidencë

25 Tetor 2015, 07:54, Aktualitet CNA

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, mendon se përgjuesit në ambientet e Presidencës mund të jenë vendosur nga vetë stafit i Presidentit Bujar Nishani. Gjatë një interviste për gazetën ?SOT, Klosi theksoi se Presidenti nuk ka asnjë sekret, të cilat nëse i merr vesh dikush, i prish punë. Megjithatë, Klosi mendon se përgjuesit mund të jenë vënë nga vetë stafi i Nishanit. Fatos Klosi është ndalur edhe tek çështja e shefit të kabinetit të Ditmir Bushatit, i cili është thirrur nga Athina për të kryer shërbimin ushtarak. Sipas tij, drejtuesit e institucioneve duhet të jenë më të kujdesshëm në përzgjedhjen e personelit.

-Çfarë e tremb kaq shumë Presidentin Bujar Nishani, i cili ankohet vazhdimisht se po përgjohet?

Presidenti Nishani e ka zakon të ankohet. Nuk e di se nga kush ankohet!? Nëse ai e di se kush e ka përgjuar, do të thosha ta denonconte si institucion. Pastaj, nuk e di pse ka frikë. Aq sa e njoh unë institucionin e Presidencës, nuk di të ketë sekrete të tilla që, po i mori vesh njeri i prish punë. Presidenti nuk nxjerr urdhra, nuk merr vendime. Nëse Nishani përgjohet, duhet të demaskojë përgjuesit nëse i di ata. Nëse një kryetar shteti është konform rregullave, nuk ka pse të frikësohet.

-Si mund të hyjnë njerëz në Presidencë për të instaluar pajisje përgjimi dhe kush mund t?i kenë vënë pajisjet?

Pajisjet e përgjimit mund të instalohen dhe nga njerëz që hyjnë brenda, por mund të jenë edhe njerëz nga stafi i Presidentit. Më e mundshme është që pajisjet e përgjimit të jenë vënë nga vetë stafi. Unë dëgjova se atij i përgjohet telefoni. Çdo gjë është e mundur, pasi kanë hyrë nëpër ndërtesa akoma më të ruajtura sesa Presidenca.

-Para disa ditësh, Presidenti Nishani tha se po të kishte kompetenca, do ta shkarkonte Prokurorin e Përgjithshëm. Pse po prishet presidenti me prokurorin?

Siç duket, Nishani nuk është dakord me bëmat e prokurorit. Presidenti do donte një prokuror më të mirë. Ky prokuror nuk ia mbush mendjen presidentit, prandaj, po të kishte kompetenca, do ta shkarkonte. Presidenti nuk ka ndonjë gjë për t?u prishur me prokurorin. Presidenti ka punë me gjykatat jo me prokurorin.

-Ka pasur një debat të fortë për shefin e kabinetit të Ditmir Bushatit, i cili është thirrur për ushtar nga Greqia. Cili është komenti juaj?

Ata që i vendosin njerëzit në institucione, duhet të jenë më të kujdesshëm! Nuk kam ndonjë siklet që ai është qytetar grek, por, për sa kohë që Shqipëria ka plot djem dhe vajza të reja po aq të zotë sa ai, po me atë shkollim që ka bërë ai, pse mos të vendosen këta qytetarë shqiptarë. Ata e kanë marrë që nga shkolla në Paris, dhe aq i ri sa është ai nuk ka asnjë lloj eksperience. Në pozita të tilla, duhet të jenë shqiptarë të mirëfilltë. Ka një problem për ta diskutuar. Pse nuk kanë marrë një qytetar shqiptar, por një grek.

-A janë rrezik këta elementë për të nxjerrë sekretet e shtetit?

Nuk ka lidhje me sekrete, por edhe një fakt kofidencial nuk ka pse të shkojë deri në shtetin grek. Ne po përpiqemi që t?i mbushim mendjen të gjitha vendeve të Bashkimit Europian, që të kalojmë në fazën e bisedimeve. Nuk kemi sekrete të mëdha, pasi ne i kemi thënë të gjitha.

-Çfarë prisni ju nga hapja e dosjeve?

Nuk pres asgjë! Me hapjen e dosjeve asgjë nuk do të ndodhë. Sipas ligjit, dosjet hapen vetëm nga njerëzit që kanë dyshim për veten e tyre. Hapja e dosjeve është një proces kofidencial. Është një shuarje kurioziteti se kush ka spiunuar për atë individ. Kjo shkon me atë shprehjen ?u mbars mali dhe polli një mi?. Hapja e dosjeve është një mënyrë për të qetësuar ata njerëz që kanë qenë të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Hapja e dosjeve duhej bërë me kohë, sepse atëherë do të kishte dhe efektin më të mire, kurse tani më shumë është kuriozitet dhe nuk ka ndonjë vlerë të veçantë, pasi shumë njerëz nuk janë më në jetë, qoftë nga ata që e kanë pësuar, po ashtu dhe ata që i kanë denoncuar apo u kanë bërë dosjet. Në ligjin që është hartuar, mua më pëlqen e drejta e bashkëpunëtorit për t?u njohur me dosjen e vet, të dijë çfarë ka mbetur nga ato që ai ka sjellë në punën e tij. Kjo tregon se është dëshira për të bërë transparencë dhe jo dëshira për të arritur një qëllim politik apo për të bërë një farsë.

-OSBE ka dhënë alarmin se hapja e dosjeve mund të sjellë trazira sociale. Mund të ndodhë një gjë e tillë?

Jo, nuk ndodh një gjë e tillë. Si gjithmonë OSBE ka shumë probleme. Kurrë se ka bërë siç duhet punën e saj. Nuk i takon OSBE të prononcohet për dosjet. Mund ta thonë plot organizata të tjera, por jo OSBE. Flasin pa përgjegjësi.

-Çfarë prisni ju nga reforma në drejtësi?

Drejtësia, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, është pjesa më e korruptuar e shtetit shqiptar. Nëse pretendohet se një shtet në demokraci përbëhet nga tre kolona kryesore, kolona e drejtësisë është më e korruptuara. Të gjitha konfliktet mes personave të veçantë, personave të shtetit nuk përfundojnë në gjykata. Nëse këto konflikte zgjidhen mbrapsht, duke mbajtur anën e njërit apo tjetrit, kjo rëndon te opinioni i popullit për shtetin. Populli ende nuk e ndan dot ekzekutivin nga gjyqësori. Shteti shqiptar sot ka një imazh negativ për faj të gjyqësorit. Gjyqësori është absolutisht i korruptuar. Rëndon vërtet në opinion në popull, por edhe atë ndërkombëtar. Është e domosdoshme një reformë. Sa mirë do bëhet, kjo do të shihet.

-Nuk ka sinjale shumë pozitive nga ndërkombëtarët në luftën kundër korrupsionit dhe krimit?Ju si e shihni rolin e qeverisë në luftimin e dy fenomeneve në shoqërinë tonë?    

Lufta kundër krimit është më e lehtë. Askush nuk shpreson që krimi në Shqipëri të eliminohet fare. Kjo qeveri ka dy vjet në pushtet, ndërsa krimi ka gjithë jetën që mbizotëron. Besoj se krimi në Shqipëri nuk po forcohet. Një histori e krimit, për mua nuk është ai një problem i madh. Problemi i korrupsionit është shumë më i madh dhe me shumë kapilarë. Një kriminel nuk është aq i korruptuar sa ai që shfrytëzon postin, se ai që korrupton njerëzit e administratës. Dukuria e korrupsionit është shumë më kapilare, është shumë më e vështirë për t?u evidentuar. Marrim Rrugën e Kombit. Është një ngjarje që i ka kaluar të gjitha normat dhe procedurat ligjore. Edhe Rruga e Kërrabës është një skandal më vete. Ata që bëjnë rrugën, bëjnë dhe projektin. Kësaj i thonë, t?ia varësh ujkut mëlçitë në qafë! Këto ngjarje janë një stimul më i madh për korrupsionin. Këto ngjarje janë një indicie e madhe për të mos e luftuar korrupsionin.





Lajmet e fundit nga