web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

PS-PD fillojnë negociatat

15 Dhjetor 2014, 20:51, Aktualitet CNA

Përfaqësues të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike kanë nisur negociatat për arritjen e një marrëveshjeje mes tyre që do të mundësojë kthimin e deputetëve të partisë më të madhe opozitare në Kuvend.
Partia Socialiste përfaqësohet në këto negociata nga Valentina Leskaj, Ben Blushi dhe Taulant Balla, ndërsa demokratët nga Aldo Bumçi dhe Majlinda Bregu.
Ky është takimi i parë mes përfaqësuesve të dy partive më të mëdha parlamentare që pas nisjes së një bojkoti nga Partia Demokratike rreth 6 muaj më parë.
Partia Demokratike krahas kërkesave për ngritjen e dy Komisioneve Hetimor, që tashmë janë votuar nga Kuvendi, ka kërkuar gjithashtu edhe miratimin e një ligji për dekriminalizimin e politikës.
Në parim kjo kërkesë e demokratëve është pranuar nga mazhoranca, ndërsa i është kërkuar të paraqesë propozimet e saj në lidhje me këtë çështje.
Pak ditë më parë një delegacion i Partisë Socialiste i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama zhvilloi takime në Bruksel me drejtues të grupimeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian, ku shprehën gadishmërinë e tyre për plotësimin e kushteve në mënyrë që PD të rikthehej në Kuvend dhe mandatet e deputetëve të mos digjeshin.
Pritet që palët të arrijnë një marrëveshje për rikthimin e PD në Kuvend brenda sesionit parlamentar që mbyll punimet më 24 Dhjetor.





Lajmet e fundit nga