LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A mund ta ndryshojë dieta ushqimore ecurinë e kancerit?

24 Shtator 2022, 10:36, Shëndeti Alla Katsnelson

A mund ta ndryshojë dieta ushqimore ecurinë e kancerit?

P53 është një proteinë shumë e njohur. Ajo funksionon si një shtypëse klasike e tumorit, duke rregulluar rritjen e qelizave dhe duke i vrarë qelizat që janë infektuar nga tumori duke u ndarë në mënyrë frenetike. Por rreth 15 vjet më parë, studiuesit raportuan se kur qelizat janë të uritura për glukozë, proteina ndryshon qasje.

Në vend se të eliminojë qelizat tumorale, ajo i ndihmon ato që të mbijetojnë. Disa vite më vonë, Karen Vusden, biologe mbi sëmundjet kanceroze në Institutin Frensis Krik, dhe mjeku Oliver Madoks u përpoqën të vërtetonin nëse lëndët ushqyese të marra përmes ushqimit mund të ndikojnë në rrugëtimin metabolik të proteinës P53.

Ata zbuluan se në qelizat tumorale të cilave u mungon P53, ndërprerja e furnizimit të aminoacideve serinë dhe glicinë e ngadalësoi rritjen e qelizave, ndërsa një dietë që përmbante lëndë ushqyese e rifilloi atë. Serina dhe glicina janë aminoacide jo thelbësore, gjë që do të thotë se ato nuk kanë nevojë të konsumohen pasi trupi i prodhon ato nga molekula të tjera. Prandaj nuk ishte e qartë nëse heqja e tyre nga dieta ushqimore do të kishte ndonjë efekt.

Megjithatë, për habinë e studiuesve, eksperimenti funksionoi në të njëjtën mënyrë te minjtë, të cilëve u ishin injektuar këto qeliza tumorale, dhe që ishin ushqyer me një dietë me mungesë serine dhe glicine. “Zbulimi kryesor ishte se ndryshimi i dietës mund ta ngadalësojë rritjen e tumorit. Këtë mund ta bëjë vetëm heqja e këtyre 2 aminoacideve”, - thotë Madoks.

Studiuesit kanë hipotetizuar prej kohësh se dieta ushqimore e një personi, mund të ndikojë në ecurinë e një sëmundjeje tumorale, Por deri vonë, shumica e provave për këtë kishin ardhur nga studimet që studiojnë dietat e grupeve të mëdha, dhe që nuk vëzhgojnë proceset themelore që ndodhin në trup.

A mund ta ndryshojë dieta ushqimore ecurinë e kancerit?

Zbulimi i Madoks dhe Vusden ishte i pari që tregoi një lidhje të drejtpërdrejtë biokimike midis dietës ushqimore dhe kancerit. Që nga ajo kohë, shkencëtarët kanë filluar të shohin më shumë lidhje. Një mori studimesh të kohëve të fundit, ka filluar të zbulojë se si lëndë ushqyese specifike si sheqernat, aminoacidet dhe yndyrnat, mund të nxisin ose frenojnë rritjen e tumoreve të veçanta.

Deri më tani, studimet te kafshët e ndryshme janë premtuese. Por vetëm një pjesë e vogël e provave klinike kanë nisur të testojnë një qasje të tillë te njerëzit. “Është utopike të mendohet se vetëm dieta do ta shërojë kancerin. Por mund të sjellë një ndryshim të dukshëm, dhe ne duhet të bëjmë studime për ta kuptuar atë”- thotë Metju Vander Heiden, biolog i kancerit në Institutin e Teknologjisë në Masacusets.

Shkencëtarët që studiojnë lidhjen biokimike midis dietës ushqimore dhe kancerit, bëjnë shumë paralajmërime lidhur me këtë çështje. Më e rëndësishmja: studiuesit nuk janë ende në gjendje që t’u thonë pacientëve se çfarë të hanë kur janë të prekur nga kanceri.

Pavarësisht nga shumë portale që reklamojnë vetitë e boronicës apo brokolit kundër kancerit, “E vërteta është se për momentin ne nuk kemi asnjë rekomandim të caktuar”- thotë Nama Kanarek, studiuese e metabolizmit të kancerit në Spitalin e Fëmijëve në Boston dhe në Shkollën Mjekësore të Harvardit.

“Kjo është shumë e rëndësishme për t’u theksuar”- shton ajo. “Deri tani mund të themi se nuk ka asnjë ushqim të caktuar apo dietë specifike që do të ndihmonte në trajtimin e të gjitha llojeve të kancerit”,- thotë Xhejzën Lokasal, studiues i kancerit në Universitetin Djuk, që studion rolin që kanë te kanceri aminoacidet dhe lëndët e tjera ushqyese.

“Po ashtu, nuk ka shumë gjasa që ndërhyrjet dietike të zëvendësojnë tërësisht ilaçet që vrasin qelizat kanceroze”,- shton ai. Prandaj, ndërsa studiuesit po mësojnë më shumë rreth biokimisë bazike, ata parashikojnë krijimin e një lloj matrice, e cila do të përputhej me mutacionet gjenetike që shkaktojnë kancer apo pjesë të rrugëve metabolike me qasjet e sakta dietike që të plotësojnë ilaçet kundër kancerit.

Shumë ilaçe kundër kancerit i shtojnë vetëm disa muaj jetës së pacientit. Dhe për arsye ende të panjohura, disa njerëz nuk përfitojnë fare nga disa ilaçe. Nëse arrijmë të gjejmë përputhjen e duhur, lista e duhur e lëndëve ushqyese mund të rrisë efikasitetin e barnave kundër kancerit dhe t’i bëjë më shumë njerëz që të reagojnë ndaj tyre, thotë Vander Heiden.

Ideja që lëndët ushqyese mund të ushqejnë drejtpërdrejt qelizat e tumorit nuk është e re. Gati një shekull më parë, biokimisti gjerman Oto Varburg zbuloi se qelizat e tumorit gëlltisin një sasi të madhe glukoze. Zbulimi i tij hodhi themelet mbi fushën e metabolizmit të qelizave kancerogjene, dhe për dekada studiuesit e kanë studiuar kancerin përmes kësaj qasjeje.

Në fakt, ilaçet e para të fuqishme të kancerit bazoheshin tek efektet e metabolizmit qelizor. Në fundin e viteve 1940, teksa patologu pediatrik Sidni Farber po trajtonte fëmijët me anemi - një gjendje e shkaktuar nga sëmundja e leuçemisë - zbuloi se përdorimi i folatit (vitaminës B 9) bënte që leuçemia të përparonte çuditërisht shpejt. Farber nisi të trajtonte me sukses leuçeminë e tyre me metotreksat, një ilaç që pengon aktivitetin e folatit. Sot, metotreksati përdoret gjerësisht kundër kancerit dhe disa sëmundjeve të tjera.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga