web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga fëmijëria te takimi i parë me Ramën/ Rrëfehet Sako: Më the merr një krevat dhe fli në bashki

22 Prill 2023, 10:00, Politikë CNA
Nga fëmijëria te takimi i parë me Ramën/ Rrëfehet Sako:
Emirjana Sako, kryetarja e Bashkisë së Durrësit

Emirjana Sako, kryetarja e Bashkisë së Durrësit është rrëfyer për fëmijërinë, largimin e kthimin nga Shqipëria dhe deri te takimi i parë me kryeministrin Edi Rama.

Në podcasting e kryeministrit Edi Rama, Sako e ka nisur bisedën me takimin e parë në rrethana të jashtëzakonshme.

Ajo tregoi se fillimisht është njohur me kreun e qerverisë kur sapo kishte marrë detyrën në këshillin bashkiak në kohën e tërmetit tragjik, kryeministri i kishte thënë të merrte krevatin e të flinte në bashki.

“S’besoj se do e harroj ndonjëherë. Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”, që ishte për një person që sapo kishte marrë një detyrë, çfarë detyre në një moment shumë të vështirë të qytetit të Durrësit, ku përveç tërmetit ishte dhe pandemia. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë nuk kisha patur mundësi që të takohesha me ju më herët. Ndodhi në këtë mënyrë”, u shpreh ajo, ndërsa më tej foli për fëmijërinë.

“Si fëmijë ajo që kujtoj gjithmonë që e krahasoj dhe me fëmijët e mi është që iknim në shkollë vetëm, pra pa na shoqëruar njeri. Në klasën e parë mbase më kanë shoqëruar prindërit pastaj në klasën e dytë që i bie 8 vjeçe, çantën në kurriz e kalo tre katër rrugë deri sa të arrish në shkollë. Kujtoj praktikisht rrugën e shkollës, nga Biblioteka deri te ish dentistët, shkolla “Dalip Tabaku” quhej atëherë, sot është “Jusuf Kuka”. Kujtoj, duke qenë se ime më punonte në Telekom shpeshherë shkoja dhe te puna e saj që bëja detyrat dhe lagjen e Kuminit, e cila nuk ka pasur një metamorfozë të madhe në krahasim me çfarë ka ndodhur në pjesën tjetër të qytetit të Durrësit. Dhe patjetër kujtoj rrugën e plazhit, të Currilave, pra nga shtëpia shkonim në këmbë nëpërmjet kodrës së Vilës, zbrisnim atje maloren për të arritur në plazh dhe kjo ishte një nder pjesët më të lumtura të fëmijërisë apo të një kujtese të një fëmije le të themi.”, tha kryebashkiakja.

Ajo kujtoi largimet në masë nga Durrësi, ndërsa rrëfeu momentin e trishtë të ikjes së babait që kishte lënë gjurmë në jetën e saj.

“Më erdhi në kujtesë një pamje nga shtëpia ime dhe kujtoj që anijet që qëndronin në port nxinin nga njerëzit, por këtë gjë nuk kisha si ta kuptoja, nëse nuk po ndodhte diçka brenda shtëpisë time. Pra, kjo mund të ishte thjeshtë një pamje që humbte në sytë e një fëmije, por brenda shtëpisë time im atë bëhet gati që të niset për në Itali. Vishet, merr bukë me vete dhe priste një shokun e vet që të niseshin të dy. Në atë kohë gjyshja ime u alarmua sepse ne sigurisht ne e dinim që duhet të iknim, por jo pse duhet të iknim atje dhe nuk mund të iknim ne komplet si familje sepse ne ishim shumë të vegjël, unë dhe vëllai im, kështu që do nisej vetëm babai im. Ndërkohë gjyshja i lutej që “mos u nis, ke fëmije të vegjël, kush do kujdeset, babai jot është i paralizuar”, etj me radhë dhe këto e bënë atë që mos të nisej. Por ky diskutim brenda familjes shënoi, la një shenjë si të thuash në kujtesën time që në atë kohë isha 8 vjeçe. Nëse im atë do ishte nisur, besoj që nuk do ishim duke folur në këtë Podcast”, tha Emirjana Sako.

Kryebashkiakja kreu studimet në Romë, por më pas u rikthye në Shqipëri, çështje të cilën e preku edhe në bisedën me kryeministrin Rama.

“Atje duhet të merrja tre mjete që të shkoja në punë duhet të mbaja një laptop nja një orë në kurriz, domethënë do ndërroja dy autobusë dhe një metro që të arrija në këtë studio. Punoja gjithë ditën pa asnjë ditë pushimi për të bërë të njëjtën rrugë në kthim dhe sigurisht në Romë konkurrenca është shumë e madhe, është një qytet, i cili dhe studentët i vendos përpara një blloku sepse ka bukuri të rëndësishmë e të tjera me radhë. Ka shumë studio arkitekture. Ka një konkurencë të madhe. Kishte shumë arkitektë, të cilët punonin kamariera në qendër historike dhe ku fitonin shumë herë më tepër sesa të ushtronin profesionin dhe kjo më bëri që të mendoj që në Shqipëri kisha më shumë hapësira për të ushtruar profesionin tim dhe patjetër kisha më shumë hapësira për të punuar”, theksoi ajo./ CNA.al





Lajmet e fundit nga