web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Arben Rakipi, në versionin “Doni më për Belulin?”

8 Mars 2025, 12:15, Politikë CNA
Arben Rakipi, në versionin “Doni më për Belulin?”
Arben Rakipi

Arben Rakipi është njeriu i cili drejton Shkollën e Magjistraturës në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit, pasi edhe pse me ligj është e përcaktuar se, nuk i lejohet të ushtrojë aktivitetin e tij në një subjekt privat, ai dhe familjarët e tij kanë një subjekt të tillë që është themeluar që nga viti 2020.

Përpos kësaj, studioja ligjore e familjes Rakipi rezulton se është përfaqësuese ligjore e Erion Veliajt, përballë prokurorëve të SPAK-ut.

Gjithashtu Rakipi ka një raport shumë të ngushtë me çiftin Veliaj-Xoxa, pasi studioja dhe personazhet nuk janë veç përfaqësues ligjor të Erion Veliajt, por dikur me prova rezultojnë pagamarrës të OJF-ve që drejtoheshin nga Veliaj e Ajola Xoxa, e të financuara nga George Soros.

Kjo tregon hapur skandalin në të cilin është përfshirë drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ku më tej do të zbardhen edhe konfliktet e tij të interesit, ku tregohet se si drejtori ka shkelur ligjin dhe ka shpërdoruar detyrën.

Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu skandalin në Shkollën e Magjistraturës të denoncuar nga CNA ku fryheshin listat e fituesve të konkursit të Shkollës së Magjistraturës.

Por së fundi, Arben Rakipi ka dalë në versionin “Doni më për Belulin?”.

Në një intervistë për Elona Meçon në RTSH, Rakipi e quan veten një njeri me influencë të madhe dhe ndikim në sistemin e drejtësisë dhe se është një model për t’u ndjekur për shkak të detyrës së tij.

Madje, madje, për pak është gati ta paralelizojë veten me profetin.

“Unë kam qenë një prej ideatorëve të krijimit të këtij institucioni, sepse përgjatë punës sime, dikur, formova eksperiencën që grupet e përzgjedhura të prokurorëve janë më të vullnetshme apo më të afta për të luftuar në nivel kombëtar një lloj krimi. Këtë praktikë e ngjiza, hodha një farë të mirë në krijimin e kësaj strukture, që, më vjen mirë ta them, po lulëzon. Në këtë pikëpamje, e thënë trashë-trashë, mund të jetë ndikim, por është ndikim i mirë. Tani, a ndikoj unë në sistem? Unë ndikoj në sistem, sepse jam model për t’u ndjekur, më falni se do të heq dorezat e modestisë. Nëse nuk i them këto gjëra, nuk do të jem i kuptueshëm. Jam model për t’u ndjekur për shkak të modelit të lartë që përmban personaliteti im, ndershmërisë në marrjen e vendimeve, aftësive të larta profesionale që kam, dhembshurisë së madhe për viktimat, humanizmin që më shoqëron gjatë gjithë kohës, patriotizmin e madh që më karakterizon, me dashurinë pa fund për këtë vend dhe për sistemin e drejtësisë. Për rrjedhojë, do të ishte e zgjuar, e mençur, dobiprurëse, përfituese për cilindo që më ndjek. Kam edhe një arsye tjetër që të kem ndikim në sistem për shkak të kësaj detyre që bëj. Ne zhvillojmë trajnime pafund në këtë shkollë, 1/3 e së cilës i përmbahet etikës dhe integritetit. Është një nga objektivat e trajnimit që të ketë ndikim në pjesëmarrësit e tij, përndryshe, trajnimi është i kotë. Nëse unë kam ndikim, përveç asaj që thashë, do të ishte realizim i nivelit më të lartë të pranuar nga standardet e BE-së për efektin që duhet të ketë trajnimi në sistem. Sidomos për këto elementë që përmenda, ata që janë të mençur, ata që janë shpresë e këtij vendi, ata që duan t’i shërbejnë vendit dhe njerëzve kanë zgjedhur të më ndjekin mua. Me këtë nuk dua ta vë veten në nivelin e profetit apo të predikuesit, por në nivelin e një personaliteti me integritet, dua të vete të paraqitem tani pa doreza si i tillë, në mënyrë që të gjithë të këqijtë, dashakeqësit, të mos lodhen kot për të më ndryshuar, apo për të më shantazhuar, apo për të më larguar nga ky piedestal, në të cilin më ka vënë puna, energjia, sakrifica që kam bërë dhe kolegët që më njohin”, deklaron ai.

Për të gjithë ata që e lexojnë dhe e dinë se kush është Arben Rakipi në të vërtetë mbase do gajasen, mbase do t’u vijë ndërmend skeçi humoristik “Doni më për Belulin”.

Sepse mjafton të lexosh denoncimet dhe akuzat e bëra kundrejt Rakipit, për shkeljet që ka kryer dhe lidhjet me kryebashkiakun e Tiranës të arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash apo me bashkëshorten e kryebashkiakut në detyrim me paraqitje me tri akuza të rënda si pastrim parash apo fshehje pasurie, do kuptohej shumë qartë se Arben Rakipi është shumë larg figurës së ndershme.

Mjafton të lexoni denoncimet se si fryheshin listat e fituesve të konkursit në Shkollën e Magjistraturës për të kuptuar dhe për të zbërthyer figurën e Arben Rakipit.

Por ka dhe një detaj tjetër. Arben Rakipi është kallëzuar më parë në SPAK për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe është mbyllur dosja ndaj tij vetëm pak ditë më parë.

Dosja është mbyllur nga prokurori që fle mbi dosjen kriminale të inceneratorëve, Dritan Prençi. Megjithëse çështja ndaj tij pritet të çohet në Apel.

Ky është Arben Rakipi, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, i cili del i përfshirë në skandale, me shkelje, në konflikt interesi, në mbrojtje dhe në lidhje me çiftin Veliaj-Xoxa të akuzuar për një sërë veprash të rënda.

“Doni më për Belulin?”/ CNA





Lajmet e fundit nga