web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Festivali i Humorit në Shkodër/ Rikthehen në skenë Zyliha Miloti, Besnik Çinari dhe Sandër Ruçi

5 Dhjetor 2025, 18:27, Kulturë CNA

Të qeshura dhe tinguj muzike pushtuan skenën e teatrit Migjeni në edicionin e dytë të Festivalit të Humorit në Shkodër. Nën regjinë e Arjan Çuliqit, dhe me materiale krejtësisht të reja, aktorët e estradës së teatrit “Migjeni” dhuruan një mbrëmje të paharrueshme për publikun shkodran.

Humori i pastër shkodran, siç e cilësojnë vetë kolosët e artit, mbetet vlera më e çmuar e këtij festivali.

 “Jemi munduar që kësaj here të japim rëndësi përzgjedhjes së materialeve dhe interpretëve. Kemi përzgjedhur materiale jo banale, i kemi zgjedhur të zhanereve të ndryshme si komedi, stand up etj. Është e vështirë, por ne kemi punuar shumë dhe mendoj që publiku e meriton këtë. Humori është simbol i qytetit ndaj ai e meriton. Të gjitha humoret janë të reja, që të jetë argëtuese, por të bën edhe të mendohesh”,-tha regjisori Arjan Çuliqi.

“Është viti i dytë që kthehet kjo traditë e më shumë se Shkodrës, askujt nuk i shkon ky festival. Kemi ftuar edhe nga qytete të tjera do të jemi për shumë netë. Mendoj që çdo gjë shkoi mirë dhe materialet ishin të bukura e me kulturë. Spektatori u kënaq dhe pati reagime. Në Shkodër nuk mungon humori dhe nuk ka nevojë për banalitete. Vit pas viti shpresoj të jetë ky festival”,-tha Zyliha Miloti, Mjeshtre e Madhe.

“Është e bukur që po kthehet ky festival në Shkodër. Biletat janë shitur për çdo natë. Mendoj se publiku ka nevojë për të qeshur”,-tha Drande Xhaj, Mjeshtre e Madhe.

Nga Amerika, aktori Sandër Ruçi, solli idenë e një projekti madhor: Shkodra ka nevojë për një teatër të ri, një hapësirë dinjitoze për shfaqje të mëdha, në përputhje me traditën e artit shkodran.

“E prita me kënaqësi shfaqjen dhe shkruajta materialin që kam me Zylin, "Takim me Rozafën". Publiku e dha përshtypjen. Sidomos kur kam Zylin për krah ka tjetër vlerë dhe ky është materiali i 20 me Zylin. Uroj të lirohet Teatri sepse është tempull, uroj ta ruajmë! Mendoj që ka nevojë për një godinë të re. Ndaj duhen evidentuar artistë të rinj, që Shkodrës nuk u mungojnë”,-tha Sandër Ruçi, Mjeshtër i Madh. 

Edicioni i dytë i Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit do të vijojë deri më 8 dhjetor, çdo natë në teatrin “Migjeni”, me artistë të ftuar nga e gjithë Shqipëria./CNA





09:55 Kulturë Agim Xhafka

Në pishinë…

Ndërsa ecja qetë në digën e liqenit, ashtu siç bëj çdo dit...

Lajmet e fundit nga