LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Përmbytjet në Kentucky të SHBA/ Humbin jetën 15 persona

29 Korrik 2022, 18:38, Kosova & Bota CNA
Përmbytjet në Kentucky të SHBA/ Humbin jetën 15 persona
Përmbytjet në Kentucky të SHBA

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Kentuckyn lindor është rritur në 15, tha të premten guvernatori i këtij shteti Andy Beshear, pas ditësh me reshje të rrëmbyeshme që përmbytën shtëpitë, mbushën rrugët dhe bënë që lumenjtë dhe përrenjtë të dilnin nga shtrati i tyre.

Garda Kombëtare dhe policia e shtetit përdorën helikopterë dhe varka për të shpëtuar dhjetëra njerëz nga shtëpitë dhe automjetet. Ujërat nga përmbytjet arritën deri në çatitë e shtëpive dhe i kanë kthyer rrugët në lumenj.

"Kemi humbur të paktën 15 vetë dhe numri mund të rritet, ndoshta më shumë se dyfishi," tha zoti Beshear në një video në Twitter, duke shtuar se 23,000 shtëpi dhe biznese ishin pa energji elektrike.

"Do të jetë një rindërtim i gjatë, por ne jemi të fortë dhe do t'ia dalim", tha ai.

Paralajmërimet për përmbytjet mbetën në fuqi gjatë gjithë ditës për gjysmën lindore të shtetit, si dhe në Tenesinë verilindore dhe në Virxhinian perëndimore, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

Ndërkohë në Las Vegas, përmbytjet përshkuan rrugët dhe përfshinë me shpejtësi disa kate kazinosh dhe parkime./ VOA

Lajmet e fundit nga