web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë dimë deri më tani për diagnostikimin me kancer të Kate Middleton

26 Mars 2024, 12:57, Kosova & Bota CNA
Çfarë dimë deri më tani për diagnostikimin me kancer
Kate Middleton

Princesha e Uellsit, Kate Middleton, tregoi pak ditë më parë se ajo është diagnostikuar me kancer dhe është në fazat e hershme të trajtimit.

Në një video-mesazh të publikuar të premten, Kate tha se diagnoza erdhi pasi ajo i ishte nënshtruar një operacioni abdominal në janar. Gjendja e saj fillimisht u mendua të ishte jokancerogjene, por testet e mëvonshme "zbuluan se kanceri ishte i pranishëm", tha ajo.

Kate Middleton, vetëm 42 vjeçe, kishte munguar kryesisht në sytë e publikut që nga operacioni i saj në janar, duke shkaktuar spekulime për shëndetin e saj.

Diagnoza e saj erdhi pasi mbreti Charles III u diagnostikua gjithashtu me kancer pas një procedure për një prostatë të zmadhuar.

Çfarë dimë deri më tani?

Kate publikoi një video të premten pasdite për të dhënë një përditësim mbi shëndetin e saj, dy muaj pasi u largua nga jeta publike përkohësisht pas trajtimit të saj fillestar.

“Në janar, iu nënshtrova një operacioni të madh abdominal në Londër dhe në atë kohë mendohej se gjendja ime nuk ishte kancerogjene”, tha Kate, e cila është e martuar me trashëgimtarin e fronit britanik, Princin William.

“Operacioni rezultoi i suksesshëm. Megjithatë, testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte i pranishëm. Prandaj ekipi im mjekësor më këshilloi që duhet t'i nënshtrohesha një kursi kimioterapie parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të atij trajtimi".

Ajo tha se diagnoza e saj kishte qenë një "shok" dhe se William-i dhe ajo kanë bërë gjithçka që munden për ta përpunuar dhe menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes së tyre të re. 

Kate dhe William kanë tre fëmijë: Princi George, 10; Princesha Charlotte, 8 vjeç; dhe Princi Louis, 5 vjeç.

Një burim mbretëror i tha "CNN" se Kate filloi kimioterapinë në fund të shkurtit dhe se ajo dhe William kishin pritur deri më tani për të zbuluar gjendjen e saj. 

Kate nuk tha se me çfarë lloj kanceri ishte diagnostikuar. Kimioterapia parandaluese përdoret shpesh pas operacionit si një terapi "adjuvante", për të dobësuar shanset e rikthimit të kancerit, tha për "CNN", Dr. Karen Knudsen, shefe ekzekutive e Shoqatës Amerikane të Kancerit.

Kur u shtrua Kate Middleton për herë të parë në spital?

Pallati Kensington njoftoi më 17 janar se princesha do të kalonte dy javë duke u rikuperuar në spital pasi i nënshtrohej me sukses një operacioni të planifikuar abdominal. 

Nuk ishte e qartë se për çfarë ishte operacioni, por pallati tha se Kate nuk kishte gjasa të kthehej në detyrat publike deri pas Pashkëve, e cila bie këtë vit, më 31 mars.

Kate doli nga Klinika e Londrës, një spital privat pranë Regent's Park në qendër të kryeqytetit të Mbretërisë së Bashkuar - më 29 janar. Ajo u kthye në shtëpi në Windsor, në perëndim të Londrës, për të vazhduar shërimin e saj.

Charles doli nga i njëjti spital privat në të njëjtën ditë me Kate, pas trajtimit për një prostatë të zmadhuar. Buckingham Palace njoftoi më 6 shkurt se ai ishte diagnostikuar me kancer.

Çfarë ndodhi me Kate Middleton pas daljes nga spitali?

Shëndeti dhe vendndodhja e proceshës u bënë objekt spekulimesh, pavarësisht se pallati përsëriti se "kishte bërë të qartë në janar afatet kohore të rimëkëmbjes së Princeshës".

Pricesha u pa për herë të parë në publik në fillim të këtij muaji pasi u shfaq në Windsor me syze dielli të errëta dhe ulur në sediljen e pasagjerit të një makine të drejtuar nga nëna e saj, Carole Middleton.

Pse ka një hetim që përfshin spitalin?

Mbikëqyrësi i të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar tha në fillim të kësaj jave se po "vlerësonte" raportet se një anëtar i stafit në Klinikën e Londrës dyshohet se u përpoq të hynte në të dhënat mjekësore private të Kate Middleton.

Tabloidi "Daily Mirror" raportoi se spitali kishte nisur një hetim mbi pretendimet se konfidencialiteti i princeshës ishte shkelur.

Në një deklaratë, Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO), e cila është rregullatori i pavarur i të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar, konfirmoi se "kishte marrë një raport shkeljeje dhe po vlerëson informacionin e dhënë".

Klinika e Londrës tha të mërkurën se "do të ndërmerren të gjithë hapat e duhur hetimorë, rregullatorë dhe disiplinorë"./CNA 





Lajmet e fundit nga