LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fshehu apartamentin në bregdet dhe mbylli dosjet pa i hetuar/ Vettingu i nxjerr të palarat prokurorit

16 Qershor 2021, 07:04, Vetingu CNA
Fshehu apartamentin në bregdet dhe mbylli dosjet pa i hetuar/ Vettingu i

Prokurori i Prokurorisë së Tropojës, Agim Dalipaj është përballur me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u konstatuan probleme për kriterin e pasurisë dhe profesionalizmin. Ndërkohë, Dalipaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për prokurorin Agim Dalipaj kryesohet nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtare Alma Faskajn.

Agim Dalipaj e ka filluar karrierën në vitin 1992 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokuror i Prokurorisë së Lezhës. Prej vitit 2015, ai ushtron funksionin si prokuror i emëruar në Tropojë.

Komisioni i ka kaluar barrë prove për pasurinë prokurorit Dalipaj. ILDKPKI ka konstatuar fshehjen e një apartamenti me sipërfaqe 53 m2 në Shëngjin gjatë viteve deklaruese 2006-2008, si dhe mungesë burimesh për blerjen e kësaj pasurie.

Sipas relatores Bungo, në kontratën e porosisë është deklaruar se çmimi i apartamentit në shumën 21 mijë e 500 euro është likujduar jashtë zyrës noteriale. Sipas relatores, bashkëshortja e subjektit ka qenë pjesë e procesit të legalizimit të këtij apartamenti, pavarësisht se ndërtimi ishte kryer nga pala shitëse.

 

Shoqëria ndërtuese ka informuar se subjekti ka shlyer vlerën 1.6 milionë lekë dhe se pjesa tjetër do të jepet kur të hipotekohet. Komisioni konstaton se, megjithëse subjekti e ka deklaruar këtë pasuri në vitin 2009, nuk ka pasqyruar pjesën e shlyer dhe detyrimin e mbetur.

Dalipaj ka deklaruar si burime krijimi të kësaj pasurie kursimet nga pagat e tij e të bashkëshortes. Bungo tha se të ardhurat e pretenduara nuk janë konsideruar në analizën financiare, pasi nuk janë deklaruar kursime cash si dhe nuk ka prova për kryerjen e pagesave për llogari të shoqërisë ndërtuese.

Bungo sqaroi se subjekti ka shpjeguar pas kalimit të barrës së provës se vlera 1.6 milionë lekë i është dhënë hua palës shitëse, para se të nënshkruhej kontrata e porosisë. Nga analiza financiare ka rezutuar pamundësi financiare për blerjen e apartmentit në shumën 2 milionë e 328 mijë lekë.

Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu se prokurori Dalipaj e kishte hetuar shitësin e apartamentit, L.Rr. në vitin 2002 dhe se e kishte pushuar çështjen në ngarkim të tij në vitin 2003.

?Subjekti ka refuzuar të japë shpjegime për administratorin e shoqërisë ndërtuese L.Rr.?, tha Bungo dhe shtoi se Dalipaj ka fshehur gjatë vetingut procedimin ndaj këtij personi.

?Ka dyshime të arsyeshme se subjekti nuk e ka blerë këtë pasuri dhe se e ka përfituar në kushtet e konfliktit të interesit?, theksoi Bungo.

Prokurori Dalipaj deklaroi në fund të seancës dëgjimore se nuk e vlerësonte të arsyeshme të jepte shpjegime për barrën e provës, pasi i kishte dorëzuar me shkrim. Ndërkohë, ai iu përgjigj pyetjeve të komisonerëve lidhur me disa prej gjetjeve.

Lidhur me shumën 1.6 milion lekë, Dalipaj sqaroi se kjo vlerë i ishte dhënë bashkëshortes së L.Rr. nga bashkëshportja e tij pjesë ? pjesë deri në vitin 2002 dhe se ai nuk kishte qenë në dijeni. ?Shumë jam mërzitur kur e mësova,? tha Dalipaj.

Subjekti u ndal edhe në pushimin e procedimit ndaj L.Rr.. ?Ai procedohej për dëmtim të pyjeve që ishte kundravajtje penale. Nuk kishte dëmtim pyjesh, se kishte një gurore me licencë. Me të kam pirë apo s?kam pirë 8 kafe, tha ai.

?Asnjëherë dhe për asnjë nuk kam fshehur asgjë. E them dhe për shpirt të mamasë dhe babait,? tha Dalipaj.

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 89 m2 si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave në Lezhë, Komisioni konstaton se subjekti ka refuzuar të deklarojë shpenzimet. Ndërkohë, ai ka dhënë vlera të ndryshme për mobilimin, pasi në 2016-ën ka deklaruar se ka shpenzuar 300 mijë lekë, ndërsa gjatë hetimit administrativ ka pohuar se vlera e shpenzuar ka qenë 500 mijë lekë.

Bungo tha se Dalipaj rezultonte në pamundësi financiare në shumën 409 mijë lekë për mobilimin e apartamentit dhe se ishte e paqartë pse subjekti kishte qenë në proces gjyqësor me EKB-në nga viti 2006 deri në 2012-ën, kur ishte nënshkruar kontrata e shit-blerjes.

Bungo sqaroi se subjekti ka deklaruar se i takonte kjo banesë, pasi ishte i pastrehë. Për të provuar këtë fakt, Dalipaj ka dorëzuar një vërtetim të prokurorisë së Lezhës, sipas të cilës ai ka jetuar në ambjentet e këtij institucioni për periudhën 1998-2006.

Komisioni konstaton gjithashtu, se Dalipaj nuk ka deklaruar pjesën takuese në një apartament në bashkëpronësi me prindërit, vëllezërit dhe motrat.

Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi në vitin 2014 në shumën 458 mijë lekë për shtesën në një depozitë bankare që aktualisht ka arritur vlerën 10 milionë lekë.

Bungo tha se mbetej e paqartë se përse bashkëshortja e subjektit ka tërhequr nga një depozitë bankare e vjehrrës shumën 1.9 milionë lekë, pavarësisht shpjegimeve të Dalipajt se ky transaksion ishte kryer për arsye shëndetësore të nënës së tij.

Vendime pushimi pa kryer hetime

Komisioni ka gjetur probleme në të tri dosjet e dorëzuara nga vetë prokurori Dalipaj në kuadër të procesit të rivlerësimit. Në një prej çështjeve ka rezultuar se subjekti nuk ka analizuar veprën penale dhe baza ligjore e referuar nuk ka qenë e saktë. Në dy çështjet e tjera është konstatuar se kërkesat për gjykim kanë qenë të pa argumentuara, pa strukturë të qartë dhe se subjekti paraqet në mënyrë të hollësishme vetëm deklarimet e të proceduarve.

Nga 5 dosjet e shortuara janë konstatuar probleme në dy prej tyre. Në një rast, Dalipaj ka vendosur pushimin pasi nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për 6 muaj. Një tjetër çështje të regjistruar për veprën penale ?Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë? është pushuar nga subjekti me argumentin se rregullat ishin shkelur nga i ndjeri që kishte humbur jetë gjatë punës.

Nisur nga ky konstatim, KPK u ka kërkuar prokurorive të Lezhës dhe Tropojës të informojnë për gjithë çështjet e hetuara nga Dalipaj për këtë vepër penale. Nga informacioni i dërguar ka rezultuar se ai ka hetuar tre çështje të tjera, nga të cilat dy i ka pushuar dhe në një rast ka vendosur mosfillim. Në dy prej vendimeve të pushimit Dalipaj ka shkarkuar nga përgjegjësia punëdhënësit duke ia kaluar atë të dëmtuarve. Për një ngjarje nga argumentuar si ishte thjesht një rast fatkeq.

Komisioni konstaton se Dalipaj nuk ka analizuar qartë elementët e veprës penale, se nuk ka kryer veprime hetimore dhe se konkluzionet janë të pa argumentuara.

Ndaj Dalipajt janë depozituar 13 denoncime nga publiku, ku në disa prej tyre janë gjetur hetime të paplota dhe zvarritje.

?Aktiviteti i subjektit të rivlerësimit për hetimin e çështjeve është i shoqëruar me nivel pune aq të dobët, sa rezulton të jenë cënuar të drejtat e qyetarëve?, pohoi Bungo.

I pyetur nga Hamitaj nëse kishte ndonjë qëndrim lidhur me konstatimet për profesinalizimin, Dalipaj tha se ato mund të qëndronin në aspektin teorik, por jo në atë praktik.

?Mendoj se kam bërë më të mirën e mundshme për vendin ku jetoja. Sipas meje, kam zbatuar ligjin në mënyrë perfekte. Kurr në jetën time nuk kam kaluar afatet, vetëm në raste të rralla?, tha Dalipaj.

Në përfundim të fjalës së tij, prokuori Dalipaj kërkoi që të rivlerësohet bazuar në provat dhe shpjegimet e fundit të dorëzuara në Komision.

KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më 17 qershor, në orën 09:45./Birn

I përkohshmi i Arta Markut/ Çudit, prokurori kursen mijëra euro nga paga

 

Lajmet e fundit nga