web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dhjetë keqkuptime mbi Gripin Spanjoll të 1918-ës, pandeminë më të madhe të historisë

20 Mars 2020, 07:48, Blog CNA

Pandemia, është një fjalë e frikshme. Por bota ka parë pandemi edhe më herët, madje edhe më të këqija se kjo aktualja. Merrni pandeminë e vitit 1918, që etiketohet shpesh në mënyrë të gabuar si ?Gripi Spanjoll?. Mendimet e gabuara në lidhje me këtë pandemi, mund të nxisin frikën e pabazuar në lidhje me COVID-19. Prandaj kjo është ajo çka duhet të dini:

1. Pandemia e kishte origjinën në Spanjë

Sot askush nuk e beson, se kjo është e vërtetë. Pandemia e mori këtë pseudonim për shkak të Luftës së Parë Botërore. Vendet kryesore të përfshira në luftë, donin të shmangnin inkurajimin e armiqve të tyre, ndaj raportet mbi këtë sëmundje u censuruan në Gjermani, Austri, Francë, Britani dhe SHBA. Ndërkohë, Spanja neutrale nuk kishte pse të fshihte ndonjë gjë. Dhe kjo krijoi përshtypjen e rreme se vatra e pandemisë ishte ky vend. Në fakt, origjina gjeografike e atij gripi, është ende sot objekt debatesh. Edhe pse hipotezat kanë sugjeruar Azinë Lindore, Evropën dhe madje edhe Kansasin në SHBA.

2. Pandemia u shkaktua nga një ?super-virus?

Gripi i vitit 1918 u përhap me shpejtësi, duke vrarë 25 milionë njerëz në vetëm 6 muajt e parë. Kjo bëri që shumëkush në atë kohë të trembej se kishte ardhur fundi i njerëzimit, dhe nxiti supozimin se ai grip ishte shumë vdekjeprurës. Por studimi më i fundit, sugjeron që vetë virusi, ndonëse më vdekjeprurës se llojet e tjera, nuk ishte në thelb shumë i ndryshëm nga ai që shkaktoi epidemitë në vitet e tjera. Vdekshmëria shumë më e lartë, i atribuohet grumbullimit të madh të njerëzve në kazerma ushtarake dhe mjedise urbane, ushqimit të dobët, dhe rrjetit të kanalizimeve, që u la pas dore gjatë kohës së luftës.

3. Vala e parë e pandemisë, ishte më vdekjeprurësja

Në fakt, vala fillestare e vdekjeve nga pandemia në gjysmën e parë të 1918-ës, ishte relativisht e ulët. Ishte vala e dytë, nga tetori në dhjetor të po atij viti, ajo që pati një numër më të lartë të vdekurish. Shkencëtarët besojnë se rritja e theksuar e numrit të vdekjeve në valën e dytë, u shkaktua nga kushtet e motit.

4. Virusi vrau shumicën e njerëzve të infektuar

Në fakt, shumica e njerëzve që u prekën nga ai grip, ia dolën që të mbijetojnë. Shkalla e vdekshmërisë, përgjithësisht nuk e kaloi 20-përqindëshin. Por shkalla e saj ndryshonte midis grupeve të ndryshme. Për shembull në SHBA, viktimat ishin veçanërisht të larta në mesin e popullatës indigjene, ndoshta për shkak të ekspozimit më të pakët të saj ndaj llojeve të kaluara të gripit. Në disa zona, komunitete të tilla u zhdukën tërësisht.

5. Terapitë e kohës, kishin shumë pak ndikim tek sëmundja

Në atë kohë, nuk kishte kishte asnjë terapi specifike anti-virale. Kjo është kryesisht e vërtetë edhe sot, ku shumica e kujdesit mjekësor synon që të mbështesë pacientët ta përballojnë sëmundjen, në vend se t?i shërojë ata. Një hipotezë, sugjeron që shumë nga vdekjet ndodhën për shkak të helmimeve nga aspirina. Mjekët rekomandonin doza të mëdha të aspirinës deri në 30 gram në ditë. Sot, doza maksimale ditore është rreth 4 gramë.

6. Pandemia dominoi lajmet e shtypit të kohës

Zyrtarët e shëndetit publik dhe politikanët, kishin shumë arsye që të mos tregonin të vërtetën mbi ?egërsinë? e gripit të 1918-ës, që pati pak mbulim në shtypin e kohës. Përveç frikës se zbulimi i plotë i të vërtetës mund të inkurajonte armiqtë gjatë kohës së luftës, ata donin që të ruanin rendin publik dhe të shmangnin panikun.

7. Pandemia e ndryshoi rrjedhën e Luftës së Parë Botërore

Nuk ka të ngjarë që kjo të jetë e vërtetë, sepse ushtarët nga të dy anët e frontit, u prekën relativisht njëlloj nga pandemia. Sidoqoftë, ka pak dyshime se lufta ndikoi thellësisht në rrjedhën e pandemisë. Përqendrimi i miliona trupave në një vend, krijoi rrethana ideale për zhvillimin e llojeve më agresive të virusit, dhe përhapjen e tij në mbarë botën.

8. Imunizimi i përhapur, i dha fund pandemisë

Imunizimi kundër gripit nuk u praktikua në vitin 1918, ndaj nuk luajti asnjë rol në dhënien fund të asaj pandemie. Por ekspozimi ndaj shtameve të mëparshme të gripit, mund të ketë ofruar një lloj mbrojtje. Për shembull, ushtarët që kishin shërbyer në ushtri për vite me radhë, ishin më pak viktima të gripit sesa rekrutët e rinj.

9. Gjenet e virusit nuk u sekuencuan asnjëherë

Në vitin 2005, studiuesit bënë me dije se kishin përcaktuar me sukses sekuencën e gjenit të virusit të gripit në vitit 1918. Ai u mor nga trupi i një viktimë të gripit, të varrosur në permafrostin (tokën  ngrirë) e Alaskës, si dhe nga mostrat e ushtarëve amerikanë që u sëmurën në atë kohë. Dy vjet më vonë, majmunët e infektuar nga virusi, u panë të shfaqnin të njëjtat simptoma me ato të pandemisë.

10. Bota nuk është më e përgatitur sot, sesa ishte në vitin 1918

Epidemitë e rënda, kanë prirjen të shfaqen çdo disa dekada. Sot shkencëtarët dinë më shumë mbi mënyrën e izolimit, dhe trajtimit të një numri të madh pacientësh të sëmurë, por edhe mbi ata që vdesin. Sot, mjekët mund t?u japin të sëmurëve antibiotikë që nuk ekzistonin në vitin 1918, për të luftuar infeksionet bakteriale dytësore. Praktikave të tilla si distancimi shoqëror dhe larja e duarve, mjekësia bashkëkohore i shton prodhimin e vaksinave të reja dhe ilaçeve antivirale./ theconversationPërshtatur nga CNA.al 





Lajmet e fundit nga