web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Drejtësia në rrethe, një llum që do pastruar

9 Tetor 2019, 06:52, Kronika CNA

Nga Artur AJAZI

* E  ndërsa  Vetting-u është fokusuar deri tani në Tiranë, dhe në strukturat qëndrore të organeve të drejtësisë, në rrethe prokuroritë dhe gjykatat  janë të  zhytura  në  llum.

Qytetarët  e Shqipërisë, nuk  ka ditë të kalendarit, të mos komunikojnë me kryeministrin Rama, nuk ka ditë të mos shkruajnë në portalin ?për Shqipërinë që duam?, nuk  ka ditë të mos denoncojnë në ekrane televizionesh dhe faqe gazetash prokurorë, gjyqtarë, avokatë dhe sekserët e tyre.

Një batërdi  e paparë, një lukuni e shfrenuar për tu zhvatur edhe qindarkën e fundit  shqiptarëve. Një prokuror në Durrës, i  larguar dhe rikthyer 2-3 herë në institucionin e hetimit, ka qenë edhe më herët dhe mbetet edhe sot nën akuzë nga kryeministri Rama, por si ai, në atë qytet dhe në shumicën e qyteteve tona ka me dhjetra sot.

Po i referohem vetëm 2 rasteve. ?Shko shit lopën dhe hajde shpëto djalin, e di që është pa faj, ndryshe e hëngri 6 vjet kjo ishte porosia e prokurorit që  ka çështjen?.

Ishte kjo  fjalia e fundit  që  një avokat  në Durrës  i  thotë  një  ditë (pas 14 seancash gjyqësore) fshatarit nga Kryevidhi i Kavajës, që dergjej  dyerve  dhe korridoreve të pallatit të drejtësisë.

?Bëj  gati  shukun  me  euro  të fitosh gjyqin  zotni, ndryshe  je i humbur dhe Përmbarimi do të vijë të nxjerrë nga banesa që ke 72 vjet  që jeton?, ishte ky një tjetër  rast ku sërish sekseri paralajmëron  hallexhiun në Elbasan. Qytetari  Bukurosh. M. nga Elbasani  shprehet se ?nuk kam as fuqi dhe as para të  vazhdoj më tej, më zhvatën gjithçka, kam nisur 10 letra Presidentit të vendit, ku denoncoj me emra gjyqtarët dhe prokurorët e  këtij qyteti, që i kemi peshqesh  nga Plepat e PD, por  deri sot kam  marrë  si përgjigje  heshtjen e tij?.

Çdo ditë do të dëgjosh me qindra raste të tilla , ku protagonistë janë prokurorë  dhe gjyqtarë, ata që Vettingu padyshim do ti flakë  jashtë sistemit, por deri  atëhere  ata do të vazhdojnë  të japin vendime të paligjshme. Korrupsioni  galopant, ndërhyrjet e pafundme politike, marrëdhëniet nepotike, e kanë deformuar rëndë  sistemin shqiptar të drejtësisë pas 1992.

Eshtë kjo  situatë e akumuluar në afro 3 dekada, që ka sjellë uljen e besueshmërisë së qytetarit  te drejtësia të cilët shprehen se ?të marrësh drejtësi, duhet të paguash?. Më  mirë se kushdo, këtë mendim të qytetarëve shqiptarë e përmbledh  sentenca e Luther King-ut  ?ligji dhe rendi ekzistojnë për të vendosur drejtësi,  kur nuk  e bëjnë  këtë, ato shndërrohen në rezervuare që bllokojnë  rrjedhën e progresit social?.

Deri para disa muajsh, situata në Shqipëri  ishte kritike, ndaj dhe si në asnjë  vend tjetër të Europës, tek ne  nisi zbatimit të  Veting-ut, me qëllimin  final  të ndajë  të mirën nga e keqja, të flakë   dhe ndëshkojë  pjesën e kalbur, llumin e drejtësisë. Ndëshkimi  ndaj  atyre që kanë shkelur ligjin hapur, ndaj atyre që kanë mbushur  edhe  dyshekët me milionat e zhvatura  nga shqiptarët, ka filluar të zbatohet në Shqipëri, ndonëse me  vonesë, ndonëse e penguar nga ish-opozita e vjetër, por ka filluar të funksionojë.

Janë me dhjetëra prokurorë, gjykatës, që kanë dalë dhe po dalin jashtë sistemit, dhe ky proces do të vijojë  në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e rretheve.  Në këtë proces kaq  delikat dhe të rëndësishëm asistenca e BE dhe e SHBA mbetet e çmuar, pasi vetëm përmes tyre, u mundësua përgatitja  e legjislacionit, kalimi në Parlament dhe  zbatimi konkret i tij.

Drejtësia e  re, duhet të  zgjidhë  hallet e qytetarëve, duke përmirësuar  funksionimin dhe  zbatimin e ligjit. Drejtësia e re duhet të flakë nga prokuroritë  dhe gjykatat  e vendit, çdo  abuzues  me ligjin, çdo milioner dhe ndërmjetës  të strukturave kriminale, dhe kjo  vlen për cilindo plepaxhi, që deri sot ka vegjetuar, natyrisht i mbrojtur  edhe nga politikanë të trembur dhe të implikuar, që drejtësinë deri dje e kishin treg për bizneset  dhe interesat e tyre.





Lajmet e fundit nga