web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Koncesionari që vjedh shqiptarët

3 Korrik 2018, 16:57, Aktualitet CNA

Kohët e fundit flitet shumë për koncensione apo formën e re të Partneritetit Publik-Privat që ka nxjerrë qeveria Rama.

Opozita akuzon shpesh dhe shumë ashpër qeverinë për koncesionet që ajo jep, por askush deri më sot nga kasta jonë politike nuk flet dhe nuk reagon për atë që ndodh në koncesionarin e Rinasit, pra kompaninë e cila ka marrë me koncesion aeroportin e Rinasit.

Fillimisht ishte një kompani gjermane, e cila më pas u shit tek një kineze. Qeveria Rama tha se po negocionte në lidhje me shtyerjen, zgjatjen e afateve dhe më pas uljen e tarifave, por mesa duket ende nuk është bërë asgjë.

Një koncesion i firmosur në vitin 2004 nga ish-kryeministri Fatos Nano, të cilit i hiqet kapelja sot ndoshta nga shumica e shqiptarëve, por nuk e dimë nëse ka ndonjë gur të varur në qafë dhe të lidhur fort.

Më pas qeveria Berisha nuk bëri asgjë, kontrata ishte mjaftë e fortë. Tashmë dhe qeveria Rama duket se i ka këmbët në një këpucë në marrëdhënie me koncesionarin e Rinasit. Mjafton të hedhësh një vështrim të thjeshtë në internet  në kompanitë fluturuese dhe problemi nuk qëndron tek ato kompani që ofrojnë shërbimin, por te koncesionari i Rinasit, për shkak të tarifave të larta të përpunimit që ka, të cilat bëjnë që të rritet në mënyrë drastike çmimi i biletës.

Nëse nga Tirana për në Romë, Viennë, Frankfurt, apo kudo tjetër do të duhen 200 deri në 700 euro për të fluturuar në një nga drejtimet e caktuara apo mbi 1000 euro për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vendet e rajonit komshinjtë tanë udhëtojnë deri 10 herë më lirë.

Nga Shkupi mund të udhëtosh në qendër të Europës në Budapest apo kudo tjetër me vetëm 39.99 euro në momente ofertash dhe maksimalisht me 60 euro, nga Selanik mund të udhëtosh me rreth 60-70 euro, nga qyteti i dytë më i madh i Greqisë drejtë shumë destinacioneve të Europës, të cilat ofrojnë nga kompani nga Raya, Eurowings apo Vizier.

Nga Prishtina ndodh e njëjta gjë tarifa mjaftë të ulëta me 40,50 apo 60 euro ku kap shumicën e qyteteve të Italisë, Anglisë, Londrën, Francën, Zvicrën e kudo.

Tarifa mjaft të ulëta ka edhe për fluturimet në Itali, kudo në Europë nga Roma, mund të ikësh shumë lirë.

Një zgjidhje tjetër ka bërë edhe shteti i Malit të Zi, i cili megjithëse është 5 herë më i vogël se Shqipëria, ka një aeroport me tarifa mjaftë të ulëta. Shumë qytetarë shqiptarë banues në zonën veriore të vendit, por edhe nga kryeqyteti preferojnë shpesh të lëvizin nëpërmjet Podgoricës apo Prishtinës, ndërsa zona juglindore shpesh përdor Selanikun.

Rinasi duket se është kthyer në luks dhe përdoret vetëm nga biznesi, apo hallezhinjtë që nuk dinë, të cilët duhet të paguajnë qimet e kokës për një udhëtim me avion. Kjo sepse Fatos Nano në 2004 firmosi një koncesion i cili rjep sistematikisht qytetarët shqiptarë kur udhëtojnë.

Një koncesion i cili duket se zgjidhjen e ka tek aeroporti i Vlorës. Por edhe atë, koncesionari i cili ka aeroportin e Rinasit po lufton fort për të mos e lejuar që ai të bëhet para vitit 2025.

Prej disa ditësh TV Klan është i vetmi televizion që po flet mjaft ashpër dhe po mban një qëndrim të fortë ndaj koncesionarit të Rinasit. Por nuk duket se ka më shumë reagim. Tarifat vazhdonjë të jenë të njëjta. Një fluturim në një nga shtetet e Europës nëpërmjet Rinasit shkon edhe në 700 euro, ndërkohë që në vendet fqinje nuk i kalon 50 apo 70 euro.

Shqiptarët nga vendet e fundit për të ardhura në Europë dhe nga vendet e fundit që po hyn në Europë detyrohen të paguajnë 5 deri në 10-fish tarifa më të shtrenjta për shkak të këtij koncesionari. Dhe përgjegjësia ka filluar në vitin 2004. Nuk është zgjidhur deri në 2013, ende nuk po zgjidhet dhe sot.

Çfarë pritet të ndodhë?

Shpesh është folur se do të ketë një ndërhyrje, shpesh është folur për negociata, por asgjë nuk ka ndodhur. Tarifat vazhdojnë dhe vetëm shtrenjtohen aspak të ulen më tej.

Destinacione të pakta fluturimi, kompani të pakta fluturimi dhe çmime shumë të larta. Kjo është ajo që ndodh me koncesionarin e Rinasit, për të cilin thuhet se vetëm ndërtimi i aeroportit të Vlorës mund të sjellë një ulje tarifash. Po në fakt mjaft e vështirë dhe aeroporti i Vlorës mund të shkojë tek kalendrat greke. /CNA.al





Lajmet e fundit nga