web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

MD merr në dorëzim byzylykët/Ministri teknik urdhëron shkarkimin e dy zyrtarëve (Emrat)

12 Gusht 2017, 12:02, Aktualitet CNA

Ministria e Drejtësisë ka përfunduar procesin e kolaudimit të byzylykëve të mbikëqyrjes elektronike duke i marrë në dorëzim dhe hetimin administrativ mbi këtë çështje.

Pasi i ka marrë në dorëzim Ministria e Drejtësisë deklaron se ka marrë aprovimin nga kompania për instalimin e serverit qendror të sistemit elektronik pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Në përfundim të hetimit administrativ, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin nga detyra të sekretares së institucionit, Juliana Hoxha duke e akuzuar si person përgjegjës për situatën, si dhe do të paraqesë kallëzim penal në prokurori për shpërdorim detyre.

Gjithashtu Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar edhe nisjen e menjëhershme të procedurës së shkarkimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Ilir Qafa.

Ai akuzohet se i ka dhënë në administrim kompanisë private byzylykët në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë ka marrë në posedim 72 byzylykë të pa përdorur më parë dhe 63 byzylykë të përdorur por në gjendje pune. Ndërkohë, 86 byzylykë janë aktualisht në përdorim nga të dënuarit nën mbikëqyrje elektronike, të cilat do të merren në posedim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, rast pas rasti, pas përfundimit të periudhës së mbikëqyrjes.

Pjesa e mbetur nga sasia prej 300 byzylykë të blerë nga Ministria e Drejtësisë, të cilët rezultojnë të dëmtuara për shkak të përdorimit apo fabrikimit, nuk janë marrë në posedim nga Ministria e Drejtësisë dhe i janë kthyer kompanisë private, me qëllim ekzaminimit e tyre, dhe sipas rastit, rregullimin apo zëvendësimin e pajisjeve.

Pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, kompania ka rënë dakord që të instalojë pranë Sallës Operative të Mbikëqyrjes Elektronike, edhe serverin qendror të sistemit elektronik, i cili do të jenë nën posedimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe do të administrohet dhe mirëmbahet nga kompania private, sipas termave të kontratës.

Njoftimi:

Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, në përfundim të hetimit administrativ mbi këtë çështje, informon opinionin publik se:

Nga verifikimi i procedurës dhe situatës së krijuar, konstatohet shkelje e ligjit dhe përgjegjësi disiplinore për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha (pezulluar nga detyra me vendim të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes pranë DAP), për shkak të mos ndjekjes së procedurës së nevojshme ligjore për këtë proces të rëndësishëm për sigurinë publike pas nënshkrimit të kontratës dhe lëvrimit të fondeve financiare përkatëse nga Buxheti i Shtetit.

Për këtë qëllim, Ministri i Drejtësisë do të kërkojë shkarkimin nga detyra dhe lirimin nga shërbimi civil për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë.

Gjithashtu, për shkak të këtyre shkeljeve është vlerësuar se në këtë rast ka edhe përgjegjësi penale, dhe Ministria e Drejtësisë do të paraqesë kallëzim penal në prokurori.

Nga ana tjetër, hetimi administrativ ka evidentuar përgjegjësi disiplinore edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Provës z. Ilir Qafa, për shkak të lejimit të dhënies në administrim të kompanisë private të pajisjeve në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të procedurës për shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës dhe lirimin e tij nga shërbimi civil./CityNews





Lajmet e fundit nga