web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Edion PETRITI/ Nja dy fjalë mbi historinë

21 Korrik 2017, 13:02, Aktualitet CNA

Selim Kurti, një nga e-miqtë e mi në FB, më shkruan: «Nuk di nga buron ky mentaliteti që historinë e shkruajnë vetëm ?baballarët? e historisë. Për më tepër, kur e kemi mbushur ende barkun e mendjes me historinë e tyre: klasore, ideologjike, partiake, propagandistike!»

U ula t?i shkruaja një koment, po dora-dorës komenti u zgjerua dhe kam përshtypjen se hapësira e komenteve në FB nuk e nxë më. Ky mentalitet buron nga fakti që historia nuk është një ?passe-temps national?, një hobby masiv e kombëtar siç e kuptojnë shqiptarët, por është një instrument delikat së cilës i duhemi qasur me kujdes dhe respekt, qoftë edhe për faktin se lënda me të cilën merret disciplina e historisë, janë kryesisht njerëz që tashmë kanë vdekur.

Si të tillë, do ish e kotë të silleshim me ta siç bëjmë me të gjallët, të cilët ca i duam, ca s?i duam, ca i shpëlqejmë dhe ca i kemi inat. Në histori, opinionet nuk kanë asnjë vlerë; në histori kanë vlerë burimet dokumentare dhe ato arkeologjike. Më kujtohet një anekdotë me Bart Ehrmanin dhe profesorin e tij të kritikës së teksteve biblike.

I thotë njëherë Ehrmani: Profesor, kam arritur të pajtoj një mospërputhje tek Ungjilli i shën Markut (më duket ka të bëjë me çështjen e Abiatharit dhe Ahimelekut – shën Marku duket se ngatërron njërin me tjetrin). Dhe Ehrmani ja shtjellon gjerë e gjatë çështjen, duke arritur në përfundimin se në të vërtetë, Abiathari ISHTE Ahimeleku, pra i biri i vet. Dhe profesori i historisë i thotë: Bart, kam përshtypjen se nuk është ashtu si thua ti. Thjesht Shën Marku ka bërë një gabim!

E përmenda këtë fakt për të thënë se në histori çdo gjë mbështetet mbi burimet dokumentare, burime të cilat jo gjithmonë janë të thjeshta e të pangatërruara.

Tani, për sa i përket Vojsavës: Për mëmën e Gj. K. S., Marin Barleti shkruan se ?i ati ishte një princ fisnik i triballëve? (pater nobilissimus Triballorum princeps); ndërsa kur flet për banorët e Dibrës së Epërme që mbronin Sfetigradin, i quan ?bullgarë ose triballë? (Bulgari sive Triballi habitant). Dibra e Poshtme po sipas tij, qe e banuar nga arbrit dhe epirotët.

Demetrio Franco: ?Et la matre di esso Scanderbeg, chiamata Voisava, fu figliola del signore di Pollogo, che è una parte della Macedonia et Bulgaria.? – Dhe mëma e këtij Skënderbeut, e quajtur Vojsava, ishte e bija e zotit të Pollogut, që është një pjesë e Maqedonisë dhe Bullgarisë (citoj nga Noli).

Tani që u tha kjo, ne nuk mund ta dimë se çfarë kombësie kish ky princi i Pollogut, e shoqja dhe e bija pasi Barleti dhe Franco nuk e thonë. Këtij princi nuk i dimë me saktësi as emrin. Në histori mund të bësh supozime sa të duash, po ato nuk kanë asnjë vlerë. Supozimet në histori janë mëma e buzëprapëve.

Edhe në vende të tjera, mbi origjinën e Vojsavës flitet po shkarazi (Sansovino) dhe asnjëherë në mënyrë të prerë. Ajo mund të jetë po aq bullgare, sa ç?mund të jetë serbe, vllahe, arbre ose greke. Sundia nuk presupozon medoemos kombësinë, p.sh. Serresi që banohej në mesjetë nga grekët, ka pasur për ca kohë një princ serb që e sundonte etj. etj.

E përsëris edhe njëherë tani, se nga gjithë sa u lexua më lart, nuk ka të dhëna ? ose më mirë, unë nuk kam të dhëna që të tregojnë se Vojsava i përkiste një familjeje feudale serbe. Nëse ka ndonjë dokument në dorë, z. M. Nano mund të na e servirë. Po edhe sikur të qe kështu, nuk shoh ndonjë gjë për t?u habitur, pasi martesat e përziera mes fisnikërisë kanë qenë – dhe janë ende sot – diçka e zakonshme. Kush për kureshtje ka hapur e ka shfletuar almanakun Gotha, e di fort mirë./CityNews





Lajmet e fundit nga