web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si do funksionoje Prokuroria e Posaçme brenda SPAK/Ja si do burgosen politikanet e korruptuar dhe krimi i organizuar

28 Gusht 2016, 14:51, Aktualitet CNA

Emri i gjatë është ?Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar?, por që tani njihet me inicialet SPAK, dhe kjo strukturë përbëhet nga Prokuroriaë së Posaçme si dhe Njësia e Posaçme Hetimore me emrin ?Byroja Kombëtare e Hetimit?, BKH, në varësi të saj.

Nga gjithë zhurma për reformën në drejtësi, për çka u nevojitën edhe ndryshime jo të vogla kushtetuese, besojmë se për lexuesin është me interes të mësojë përmbledhtaz se si do të funksionojë SPAK, struktura që do hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe Gjykata e Posaçme që do të japë drejtësinë lidhur me këto krime.

Përzgjedhja e kandidatëve

Për të tria strukturat (Prokuroria e Posaçme, BKH në varësi të saj dhe gjykatat e posaçme) dhe personelin administrativ të tyre, kandidatët duhet të plotësojnë kushtet  e sigurisë, si më poshtë:

-Kandidati plotëson dhe dorëzon dokumentat, deklaratat për pasurinë dhe konfliktin e interesave tek ILDKPKI, që kontrollohet brenda 120 ditëve.

-Kandidati dorëzon në Autoritetin e Sigurisë Kombëtare një pyetësor sigurie, në përputhje me legjislacionin në fuqi.  Brenda 90 ditëve, drejtori i Autoritetit të Sigurisë Kombëtare i paraqet një raport autoritetit që i cakton në detyrë ose merr në punë, lidhur me faktin nëse pyetësori ishte plotësuar në mënyrë të saktë si dhe i tregon çdo shqetësim që mund të burojë nga hetimi i verifikimit të figurës.

? Kandidati plotëson një deklaratë me shkrim, të nënshkruar prej tij/saj dhe anëtarët e afërt të familjes, sipas së cilës, nëse caktohet në detyrë apo merren në punë, telekomunikimet e tij/saj do të jenë objekt vëzhgimi si dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime.

Prokuroria e Posaçme 

Prokurorët e posaçëm emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi janë filtruar nga Inspektoriati i Pasurisë dhe Autoriteti i Sigurisë Kombëtare, për një mandat nëntë vjeçar. Mandati pezullohet apo të ndërpritet vetëm nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon procedim disiplinor kundër prokurorit. Në përfundim të mandatit, ai kthehet në pozicionin e mëparshëm ose në pozicione të lira të sistemit të prokurorisë, duke marrë përparësi mbi kandidatët e tjerë. Prokurorët e Posaçëm veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur. Një prokuror më i lartë nuk i jep udhëzime një prokurori të posaçëm lidhur me thelbin e hetimit apo çështjes. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorët e tjerë të Prokurorisë së Posaçme apo gjyqtarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëse ka prova se prokurori apo gjyqtari është i korruptuar, apo mbështet një organizatë kriminale, apo ka kryer një vepër penale që është në kompetencë të kësaj Prokurorie.

Sa i përket marrëdhënies mes Prokurorisë së Posaçme dhe BKH, është e para që drejton punën e Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe shërbimet e policisë gjyqësore lidhur me hetimin e çështjeve dhe çështjet e ndjekura prej tyre.

Në Strukturën e Prokurorisë së Posaçme janë këto seksione: Kancelari; Seksioni i Dokumentacionit; Seksioni i Ekspertizës; Seksioni i Hetimit Financiar; Koordinatori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndërlidhjes për Hetimet e Përbashkëta; Koordinatori për Marrëdhënien me Mediat; Seksioni për Asistencën për Individët me Status të Posaçëm.

Pushimi i çështjeve nga prokurori i posaçëm

Ka një procedurë të fortë kur prokurori i posaçëm e konsideron të nevojshëm të marrë vendim për të pushuar akuzat ose një çështje. Ai është i detyruar të kërkojë miratimin e shumicës së mbledhjes së prokurorëve të posaçëm. Një prokuror tjetër i posaçëm luan rolin e relatorit para mbledhjes dhe studion dosjen për jo më shumë se 15 ditë. Brenda 20 ditëve nga kërkesa, bëhet mbledhja dhe relatori paraqet raportin e tij nëse pushimi është i bazuar apo i pabazuar. Pas raportimit, bëhet një votim i fshehtë për të miratuar ose rrëzuar kërkesën, ku vendimi merret me shumicë të thjeshtë të prokurorëve të posaçëm.  Në rast barazimi të votave, vota e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme është vendimtare.

Nëse mbledhja vendos se kërkesa është e pabazuar, prokurori i posaçëm i caktuar ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vazhdon procedimin penal. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, nëse është e nevojshme, zëvendëson prokurorin e posaçëm të çështjes. Nëse mbledhja vendos se kërkesa është e bazuar, regjistrohet vendimi për të pushuar akuzat ose çështjen.

Ndërkaq, Prokurorët e posaçëm i përfaqësojnë çështjet e tyre në gjykatën e shkallës së parë, në gjykatën e apelit dhe në Gjykatën e Lartë.

 Detyrimet e autoriteteve të tjera shtetërore

Të gjitha organet e pushtetit shtetëror dhe subjektet juridike të cilët, në kryerjen e aktiviteteve të tyre, vijnë në dijeni për rrethana dhe të dhëna për vepra penale që deri tani ishin kompetencë e Krimeve të Rënda, janë të detyruar t?i referojnë këto rrethana ose të njoftojnë menjëherë Byronë Kombëtare të Hetimit ose Prokurorinë e Posaçme.

Të gjithë organet e pushtetit shtetëror janë të detyruar të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. SPAK ka akses të drejtpërdrejtë në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga organet shtetërore, që përmbajnë informacion të duhur për hetimin e veprave penale.  Organet shtetërore kanë detyrimin të japin informacion brenda 24 orëve ose, në qoftë se baza e të dhënave ekziston, t?i japin akses të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Posaçme.  Ky akses nuk zgjat mbi 6 muaj.

Nga ana tjetër, në qoftë se një punonjës i Policisë së Shtetit vjen në dijeni për kryerjen e një vepre penale në kompetencën e SPAK, ai/ajo njofton menjëherë Byronë Kombëtare të Hetimit. Po kështu nëse ekziston dyshim, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave informon Prokurorinë e Posaçme për mjete financiare, të ardhura ose pasuri, që mund të jenë fituar përmes kryerjes së një vepre penale. Ajo pas kërkesës vë në dispozicion të gjitha të dhënat që disponon mbi transaksionet e personave të dyshuar.





Lajmet e fundit nga