web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Miti i ringritjes ekonomike

9 Tetor 2014, 22:00, Opinione CNA

Nga Klodian TOMORRI

(My view on the so-called recovery)

Pesë vjet më parë, ekonomia e brishtë shqiptare mori goditjet e para të krizës, që origjinoi përtej Atlantikut, në tregjet financiare të Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë, pak kush mund ti imagjinonte përmasat e së keqes që sapo kishte nisur. Por sic koha e tregoi, ato tejkaluan edhe parashikimet më të zymta, të më pesimistëve. Kanë qenë 5 vite të gjatë dhe dërrmues për ekonominë. Rritja e prodhimit, nga nivelet 6 për qind, fillimisht u përgjysmua dhe më pas zbriti në kuotat stanjative rreth 1 për qindëshit ku është sot. Vec tronditjes së ekuilibrave makroekonomik, ky ngadalësim kaq i fortë ka patur pasoja dramatike në jetesën e shumicës së qytetarëve.

Mijëra individë kanë humbur vendet e punës, ndërsa shumë familje kanë parë të ardhurat e tyre të tkurren. Edhe ata që kanë qenë me më shumë fat dhe kanë ende një punë, janë përballur me rënien e pagave reale. Një periudhe kaq e gjatë stresi ekonomik, përkeqëson jo vetëm standardin e jetesës për qytetarët e zakonshëm, por edhe gjendjen e tyre shpirtërore. Kjo manifestohet qartë nga treguesit në rritje të vetëvrasjeve apo krimeve brenda familjeve. Përballë një situatë të tillë, të lodhur dhe të frustruar, njerëzit kanë nevojë për shpresë, të dëgjojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë. Dhe politikanët janë gjithmonë të gatshëm të tregojnë dritën edhe atëherë kur ajo është e zbehtë apo nuk ekziston. Gjatë këtyre viteve publiku ka dëgjuar më shumë se një herë nga ata që e qeverisin se ekonomia po ringrihet dhe rritja ekonomike po konsolidohet. Rasti më i fundit ishte pak ditë më parë. Por përtej optimizmit të inflacionuar politik, e vërteta është se Shqipëria ndodhet në një katrahurë ekonomike.

Në tremujorin e parë të këtij viti kërkesa për mallra dhe shërbime në treg ishte përafërsisht 200 milionë dollarë më pak nga sa ekonomia është e aftë të furnizojë. Në 5 vjet, që nga koha kur Shqipëria mori goditjet e para nga kriza, diferenca mes prodhimit potencial dhe atij real llogaritet në afër 1.5 miliardë dollarë. Ky është një hendek shumë i madh prodhimi, që manifestohet në kapacite substanciale prodhuese të papërdorura mes bizneseve dhe në papunësinë e lartë dhe në rritje, vecanërisht atë afatgjatë. Por fakti më shqetësues është se sipas Bankës së Shqipërisë, hendeku ka vazhduar të zgjerohet edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit. Kjo do të thotë se ekonomia nuk po i rikthehet trendit natyral të rritjes dhe se humbjet nga kriza po rriten. Në çdo sens, që ka vlerë, kjo nuk është ringritje. Fija e hollë e së vërtetës në pretendimin se Shqipëria po del nga kriza, është fakti se përtej “incidentit” në tremujorin e dytë, rritja ekonomike për gjithë vitin do të jetë pozitive. Pra nuk jemi ne rastin e recesionit klasik, ku cdo gjë shkon poshtë. Por kjo është larg ringritjes.

Së pari rritja ekonomike, që në rastin më të mirë do të jetë 2 për qind, është e papërfillshme për të ndikuar jetesën e qytetarëve dhe përtej kësaj po vjen me një kosto të jashtëzakonshme. Në tre vitet e fundit të marrë së bashku përfshirë 2014-ën, shtesa në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar vlerësohet në 400 milionë dollarë. Për të njëtën kohë borxhi publik i vendit është rritur me rreth 2.1 miliardë dollarë. E thënë më thjesht po marrim 5 lekë borxh për të gjeneruar 1 lekë prodhim. Përvecse e paqëndrueshme kjo është e rrezikshme. Vendi po akumulon borxh me ritme shpërthyese duke kërcënuar të ardhmen e fëmijëve dhe brezave që vijnë më pas.

Për më tepër edhe pse statistikisht ekonomia rritet, pjesa dërrmuese e publikut nuk ndjen përfitime, pasi thuajse e gjithë rritja ekonomike po shkon tek të pasurit. Sipas Bankës Botërore, në pesë vitet e fundit të ardhurat për 40 për qind të familjeve totale në Shqipëri, kanë rënë me 1.2 për qind në vit. Viti aktual nuk bën përjashtim, madje rezulton me tendencë të përkeqësuar, ku në gjashtë muajt e parë të vitit, vetëm fitimi i bankave është gati dy herë më i lartë se e gjithë shtesa në prodhim nga rritja ekonomike. Kjo do të thotë se të ardhurat për qytetarët e zakonshëm kanë rënë sërish duke i detyruar ata të ulin konsumin ose të rrisin borxhin, edhe atëherë kur bëhet fjalë për konsum në limitet mbijetesës.

Por përtej përkeqësimit në standardin e jetesës, për shumë familje kriza po godet të ardhmen. Kjo dëshmohet nga statistikat tronditëse në arsim, ku të dhënat e fundit tregojnë se mbi gjysma e fëmijëve, që vijnë nga familjet e ndodhura në 40 për qindëshin e poshtëm për nga niveli i mirëqënies, nuk po kryejnë as arsimin parësor. Madje edhe ata që arrijnë të përfundojnë shkollën, keqarsimohen, duke mos marrë as njohuritë minimale që kërkon tregu. Për shumë nga këta të rinj e nesërmja do të jetë e vështirë. Ndërsa për një komb që përpiqet të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ky është një shpërdorim tragjik i burimeve. Në një situatë të tillë për shumë njerëz pesimizmi është i kuptueshëm.

Jemi përballur me një krizë të gjatë, dhe kohët që vijnë përpara do vazhdojnë të jenë sfiduese. Bota ka ndryshuar. Ashtu sic edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmoi, vetëm pak ditë më parë, kemi hyrë në epokën e normave të ulëta të rritjes. Pesë vite të lodhshme krize kanë goditur themelet mbi të cilat ishte ngritur ekonomia globale. Performanca e dobët ekonomike është shndërruar në normalitetin e ri kudo në botë dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Sipas të gjitha vlerësimeve, potenciali i ekonomisë për t’u rritur është përgjysmuar, nga 6 për qind që ishte para vitit 2008 në 3 për qind aktualisht. Dhe kjo nuk ka lidhje me katrahurën aktuale ku gjendemi. Pasi edhe nëse rikthehet në kapacitet të plotë, ekonomia do të rritet shumë më ngadalë nga sa është rritur dy dekadat e fundit. Kjo është panorama e ekonomisë shqiptare sot dhe e ardhmja që ajo po projekton për veten. Përballë këtij realiteti të ri, ndryshimi I kursit do të kërkojë masa të forta, dhe në disa raste të dhimbshme. Shumë më tepër se sa një paketë e thjeshtë fasoni. Dhe deri atëherë, të flasësh për ringritje është, më e pakta që mund të thuhet, e nxituar.





22:00 Opinione

Bota e Helmutit

Helmut Kohl edhe në moshë arrin të dalë në titujt kryesorë. ...

22:00 Opinione

Partia e Odetës

Nga Mero BazeOdeta është një vajzë e mirë dhe e shkathët, që...

Lajmet e fundit nga