web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mbi librin e Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë” Nga Kastriot Myftaraj

21 Prill 2014, 19:47, Opinione CNA

Mitomanët janë gënjeshtarë patologjikë. Termi ?mitoman? është një term i Psikiatrisë. Mitomani ka një refuzim patologjik ndaj logjikës, e për rrjedhim edhe ndaj të vërtetave më të thjeshta të jetës së tij, të shoqërisë ku jeton, të botës. Refuzimin e tij ndaj logjikës dhe të vërtetave të thjeshta të jetës së tij, shoqërisë, botës, mitomani e projekton te të tjerët dhe i shpall ata gënjeshtarë patologjikë. Mitomani ka versionin e tij të së vërtetës, që është një gënjeshtër aq absurde saqë i bën ata subjekte të Psikiatrisë. Mitomani i urren edhe të vërtetat elementare, se ato i shikon si të rrezikshme, si mina në themelet e ngrehinës së tij. Ben Blushi në librin e vet ?Hëna e Shqipërisë? i shpall shqiptarët si komb ?mitomanë?, kur thotë: ?Shqiptarët kanë një zakon nga i cili nuk shpëtojnë dot: luftën me të vërtetën. E vërteta është viktima e tyre më e madhe në histori?. (Ben Blushi: ?Hëna e Shqipërisë?, Botim i UET Press, Tiranë 2014, f. 49)

Kështu Ben Blushi na thotë se shqiptarët si komb nuk kanë thjesht zakonin e të gënjyerit, por ata e urrejnë të vërtetën. Pra, shqiptarët, sipas Blushit janë mitomanë. Raporti i shqiptarëve me të vërtetën është patologjik. Këtë Blushi e shpall si ligjin e hekurt të historisë shqiptare, kur thotë se shqiptarët nuk dalin dot nga ky qerthull. Blushi nuk e shpjegon në libër se si ai vetë, duke qenë shqiptar, paska shpëtuar nga ky zakon patologjik i kombit të tij. Kuptohet, Blushi në fakt nuk e konsideron veten shqiptar. Dhe kjo gjë vërtetohet nga libri. Pasi Blushi i shpall shqiptarët si komb mitomanë, të cilët urrejnë të vërtetën, ai na ofron versionin e tij të së vërtetës mbi shqiptarët. Mendimi i Blushit është i mbushur me inkosekuenca. (?Inkosekuencë? do të thotë se nuk ka rrjedhshmëri logjike në trajtimin e një çështjeje të caktuar, ose nuk përdoret e njëjta logjikë për çështjeve të ngjashme). Inkonsekuencat e Ben Blushit në librin e tij ?Hëna e Shqipërisë? janë të vetëdijshme.
Si shembull të parë të inkosekuencave të Blushit dua të sjell mendimin e tij për të ardhmen e Kosovës dhe të Maqedonisë. Blushi thotë se në të ardhmen Shqipëria do të kërkojë që të bashkohet me Kosovën, por këtë gjë nuk do ta dëshirojë Kosova. Ben Blushi nuk e do bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe këtë mosdashje të tij e projekton në libër te shqiptarët e Kosovës. ?Kosova është i vetmi vend në rajon që do të fillojë të ketë një kompleks ndaj Shqipërisë?.(f. 54)
Ben Blushi i përket asaj kategorie njerëzish në Shqipëri, të cilët në vitet nëntëdhjetë e kundërshtonin bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, duke thënë se kosovarët janë më të pasur se shqiptarët e Shqipërisë, kështu që nëse ndodhte bashkimi, Shqipëria (Republika e Shqipërisë) do të bëhej koloni e Kosovës. Tani Blushi e ka përmbysur këtë tezë dhe thotë se bashkimin nuk do ta duan kosovarët se Kosova rrezikon të bëhet koloni e Shqipërisë (Republikës së Shqipërisë). Ben Blushi nuk nguron madje as që të thotë se ai ka bërë provokatorin kundër bashkimit gjatë bisedave të tij në Prishtinë, me shqiptarë të Kosovës:
?U thashë se Kosova, duke marrë parasysh kushtet ekonomike, mungesën e detit dhe një traditë të pakonsoliduar shtetformuese, nuk ka shans tjetër veçse të kthehet në një koloni të Shqipërisë. M? u desh t? i provokoja për të parë reagimin e tyre. Ishte epik. M? u duk vetja si pushtues, ose si ata italianët e filmave shqiptarë që gjatë Luftës së Dytë Botërore endeshin nëpër qytetet e Shqipërisë, duke folur për epërsinë e racës dhe kulturës së tyre. Por ndryshimi ishte se unë nuk isha italian, por një shqiptar që po fliste me dy shqiptarë të tjerë dhe prandaj nuk mund ta mendoja atë që ndodhi më pas. Miqtë e mi e morën për fyerje dhe çaji që pimë e humbi shijen. U përpoqa t? u shpjegoja se, natyrisht, nuk bëhej fjalë për kolonizim, aq më tepër për pushtim, por vetëm për një dominim politik, ekonomik dhe, sidomos kulturor, por provokimi kishte bërë efektin e vet. Duke e ngritur zërin në një lokal buzë qendrës, me tavolina të vogla dhe të zhurmshme, njëri prej tyre më tha të vërtetën. Kjo është frika jonë, tha ai. Kemi nevojë ta gëzojmë shumë më gjatë pavarësinë nga Serbia, por edhe nga Shqipëria. Ne kemi frikë nga Shqipëria, tha ai. Duke u bashkuar do humbim?.(f. 55-56)
Është ironike se ky fragment i librit të Blushit gjendet në mes të një kapitulli ku Blushi kërkon të na bindë se Kosova funksionon më mirë se Shqipëria si shtet, dhe se Kosova ka krijuar një epërsi kulturore ndaj Shqipërisë. Nëse Blushi do të ishte konsekuent të mendimet e tij, ai duhej të arrinte në përfundimin se Kosova do ta kolonizojë Shqipërinë. Ja se si shkruan Blushi: ?Kosova është sot shteti më unik në Evropë. Funksionon si shtet, sepse ka qeveri dhe pushtet lokal të zgjedhur, ka parlament, ka polici dhe administratë. Është pra, një model funksional demokratik, pavarësisht nga cilësia e këtij modeli? Çfarë do të bëhet me Kosovën? A ka mundësi ky shtet të jetë politikisht dhe ekonomikisht i vetëmjaftueshëm? Unë them se po?. (f. 50.)
Duke harruar se çfarë ka shkruar më lart, Blushi thotë më tutje në libër për shqiptarët e Kosovës: ?Të gjendur në mes të krizës, në kushtet kur ekonomia e tyre veçse shkon poshtë, kur papunësia është afro pesëdhjetë përqind dhe kur diaspora nuk sjell më të ardhurat me të cilat është furnizuar rezistenca në Kosovë dikur dhe, tashmë, edhe mirëqenia e saj, shqiptarët atje janë si të mpirë?.(f. 53)
Këto i shkruan i njëjti Blushi, i cili ka folur për Kosovën si një vend i vetëmjaftueshëm ekonomikisht! Pasi i ka provokuar, siç thotë vetë, shqiptarët e Kosovës, për kolonizimin kulturor të Kosovës nga Shqipëria, Blushi thotë të kundërtën, duke u shprehur për Kosovën: ?Ajo po arrin të ketë një lloj supremacie kulturore mbi Shqipërinë. Veçanërisht në sport dhe muzikë që janë dy mashat me të cilat sot kap më shumë gështenja. Kultura e lehtë shqiptare, ose kultura që bën modë sot, është e gjitha kosovamade?. (f. 59)
A thua harroi ky njeri atë që kishte shkruar më lart? Nejse. Ja se ku e shikon Blushi dominimin e Kosovës në sport: ?Kombëtarja shqiptare e futbollit është pasqyra e dominimit të Kosovës në sport?. (f. 60)
Me statistika mund të vërtetohet lehtë për çdo vend të Europës se ka qenë një zonë e caktuar e tij që ka nxjerrë më shumë futbollistë për përfaqësuesen e këtij vendi në futboll. Por kjo aspak nuk është parë si dominim sportiv i kësaj zone mbi vendin. As nuk është parë kështu në Shqipëri. Madje shqiptarët e Shqipërisë u hidhëruan që Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Adnand Januzaj nuk vendosën të luajnë për Shqipërinë, çka sipas logjikës së Blushit do ta shtonte dominimin e Kosovës në sport ndaj Shqipërisë. Duket qartë se përfaqësuesja e përbashkët e futbollit, me lojtarë nga krejt hapësira shqiptare, e bën shumë nervoz Blushin. Dhe ai, me teknikën e tij të zakonshme të inkosekuencave logjike, thotë se ndjenja që ka krijuar në Kosovë përfaqësuesja e përbashkët e futbollit, do të punojë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë: ?Por çështja është se frymëzimi kombëtar që krijon kjo fuqi sportive, e pakrahasueshme me atë të Shqipërisë, nuk e shtyn Kosovën drejt Shqipërisë, por i ngjall shpresat se shumë shpejt ajo mund të ketë kombëtaren e vet, ashtu siç janë shenjat?.(f. 60)
Blushi e di shumë mirë se të gjitha shenjat janë se Kosova nuk do të mund të ketë kurrë kombëtaren e vet në futboll, që të luajë në kompeticionet zyrtare ndërkombëtare, pasi Kosova nuk do të bëhet kurrë vend anëtar i FIFA dhe UEFA. Kjo pasi Kosova nuk do të bëhet kurrë vend anëtar i OKB-së, për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës, në Këshillin e Sigurimit të OKB. Blushi thotë se: ?Ne jemi mësuar me faktin se shqiptarët e Kosovës i përdorin për konvencion, pra si detyrim, simbolet e tyre shtetërore, siç është rasti i flamurit blu me gjashtë yje të verdhë të shtetit të Kosovës. Por një hap e ndan përdorimin konvencional të simbolit, nga përdorimi i tij identitar, pra utilitar dhe, më pas, kombëtar?. (f. 61)
Ky është shembulli i njërës prej metodave më të pëlqyera nga Blushi për të gënjyer në libër. Ato teza që duhen vërtetuar, Blushi i thotë gjoja sikur janë të vërteta të njohura, të cilat nuk ka nevojë që të provohen. Kjo në fakt ishte një metodë e propagandës komuniste. Atë që Blushi e quan ?përdorimi konvencional i simboleve shtetërore?, nuk e ndan një hap nga përdorimi identitar, kombëtar, siç thotë Blushi, por e ndan një Histori e tërë, dhe këtu fjala ?histori? duhet shkruar me të madhe, se fjala është për Historinë shumëshekullore. Ky është shkaku që serbët e Kosovës nuk i pranojnë simbolet shtetërore të Kosovës, dhe zgjedhjet e fundit vendore në Veriun e Kosovës u mbajtën pa simbolet shtetërore të Kosovës. Blushi e shikon ndeshjen e futbollit që u luajt në Mitrovicë mes Kosovës dhe Haitit si një ?manifestim i simboleve shtetërore mbi ato kombëtare?. (f. 61)
Por pikërisht kjo gjë nuk ndodhi në ndeshjen e Mitrovicës, se kushti që të zhvillohej ndeshja ishte që përfaqësuesja e Kosovës të mos mbante simbolet shtetërore. Blushi e anashkalon këtë fakt dhe flet për flamujt e Kosovës në shkallët e stadiumit. Por demonstrimi i flamujve ishte një aksion qeveritar, i kryer nga nëpunës të administratës dhe familjarë të tyre. Për ndeshjen kishte pra vetëm një entusiazëm zyrtar.
Sa për dominimin e Kosovës në kulturë ndaj Shqipërisë, Blushi e shpjegon kështu: ?Por sporti është vetëm një anë e forcës kulturore të Kosovës ndaj Shqipërisë. Muzika është ana tjetër. Kosova po trampolon aq shumë këngëtarë në tregun shqiptar sa që slangu dhe moda e tyre po ndikon jo vetëm gjuhën, por edhe shijet e rinisë në Shqipëri. Sidomos në vitet e fundit. Çdo ditë e më shumë tekstet e këngëtarëve të lindur në Shqipëri, po adoptohen në kosovarisht. Dhe slangu artistik i Kosovës, për hir të së vërtetës shijon. Ai gjen treg dhe pauses. Kohët e fundit, dy miq të mi, këngëtarë nga Korça, një qytet aq larg ndikimit kulturor të Kosovës, dolën me një këngë të kënduar në dialekt kosovar për t? iu adaptuar më mirë shijeve të tregut. Por sot nuk ka këngë të popi-t, ose rep-it shqiptar që nuk ka një, ç? ka po don, çka po din, a po më ndin, a po më don, a je ka mdo, a je kudo. Pothuajse nuk ka. Korçarë, fierakë, myzeqarë, tiranas, vlonjatë, këndojnë kosovarisht. Kosovarishtja po kthehet në një anglishte muzikore?.(61-62)
Por ajo që Ben Blushi e quan kosovarishte është në fakt gegërishte, e cila nuk flitet vetëm në Kosovë, por edhe në gjysmën e Shqipërisë. Historikisht, Shqipëria që nga Kruja, Mati, Çermenika, në veri të Librazhdit dhe të Elbasanit, me ndonjë nuancim të vogël, flet në atë gjuhë që Ben Blushi e quan kosovarisht. Popullsia autoktone e Shqipërisë së Mesme flet një gegërishte që ndryshon nga ajo e Kosovës, se në vend të ?a?-së, përdor ?o?-në. Shembujt që sjell Blushi, ato ?ç? ka po don, çka po din, a po më ndin, a po më don, a je ka mdo, a je kudo?, janë edhe në të folmen e popullsisë autoktone të Krujës, Matit, Lezhës, Dibrës, Mirditës, Kurbinit, Pukës, Shkodrës, Kukësit, Tropojës. Përveç kësaj, në Shqipëri ekziston edhe një popullsi e rëndësishme me origjinë nga Kosova, e ardhur pas vitit 1912, për shkak të përndjekjeve serbe. Kjo popullsi, e vendosur në Fier, Lushnjë, Durrës, Tiranë, Elbasan, e cila e kishte humbur pjesërisht të folmen e saj të dikurshme, sidomos ajo që banonte në Toskëri, ka prirjen ta rifitojë atë, dhe këtu ka një efekt të madh muzika për të cilën flet Blushi. Ajo që të bën veçanërisht përshtypje është se Blushi e quan gegërishten derogativisht si slang muzikor.
Argumenti tjetër i Blushit për të vërtetuar se Kosova nuk e do bashkimin me Shqipërinë është se: ?Elita politike e Kosovës, përveç se nën trysni të fortë të brendshme dhe të jashtme nuk do të pranonte në asnjë rast të lëshonte pushtetin në Shqipëri?.(f. 52)
Edhe këtu Blushi përdor metodën e tij të zakonshme të të gënjyerit. Frikën e elitës politike me origjinë toske të Tiranës, e projekton në Prishtinë. Blushi nuk e shpjegon se përse duhet të ketë frikë elita politike e Kosovës se do të humbë pushtet nga bashkimi me Shqipërinë. Elita politike e Kosovës do të konkurojë për të marrë vota në Shqipërinë e sotme dhe elita politike e Kosovës, mund ta ketë shumë më të lehtë se elita politike me origjinë toske për të marrë votat e shqiptarëve gegë të Veriut të Shqipërisë, për shkak të identitetit të ngjashëm. Gjithashtu elita politike e Kosovës do të marrë automatikisht votat e popullsisë me origjinë nga Kosova që jeton këtej kufirit. Derisa partitë politike të Kosovës, do ta zgjerojnë lehtësisht bazën e tyre elektorale në territorin e sotëm të Shqipërisë, në rast bashkimi, partitë me liderë toskë, të Shqipërisë së këtej kufirit, nuk ka gjasa që të fitojnë vota në Kosovë, qoftë edhe për shkak të emrave. Në Kosovë nuk ka asnjë parti me emrin ?socialiste? për shkak se ky ishte emri i partisë së Millosheviqit. Elitës politike toske të Shqipërisë së sotme do t? i duhej që të ndryshonte krejt mendësinë e saj dhe stilin e të bërit politikë që të mund të merrte vota në Kosovë, në rast bashkimi. Elita politike toske mund të merrte vota në Kosovë vetëm duke konkuruar me elitën politike me origjinë nga Kosova me alternativa se si të përdoren mundësitë që ofron bashkimi për zhvillim ekonomik në një treg të përbashkët. Nga kjo pikëpamje bashkimi do t? i shërbente kapërcimit të modelit të sotëm të të bërit politikë në Shqipëri.
Atë që kam thënë unë më lart, për raportin e Kosovës me Veriun e Shqipërisë së sotme, në një Shqipëri të bashkuar, e pohon tërthorazi Blushi kur shkruan: ?Një arsye tjetër që do të ketë elita politike e Shqipërisë për të përshpejtuar bashkimin me Kosovën do të jetë edhe kompleksi i Veriut. Historikisht Veriu i Shqipërisë ka besuar se qeveritë e kanë injoruar. Shqiptarët që jetojnë në zonat veriore të vendit besojnë se Jugu ka marrë më shumë mbështetje, sepse është përfaqësuar më mirë në administratë, se atje shkollat janë më të mira dhe se investimet e brendshme dhe të huaja orientohen të shkojnë në Jug përpara se të vijnë në Veri. Në vitet që vijnë ky kompleks do të ushqehet më tepër. Bashkimi me Kosovën do të ishte jo vetëm një mundësi për të qetësuar Veriun e Shqipërisë, por ndoshta për ta zhdukur atë si koncept gjeografik dhe kulturor. Në kushtet e një Shqipërie më të madhe, zonat kufitare me Kosovën, si Kukësi dhe Tropoja do të ishin Shqipëri e Mesme?.(f. 68)
Por ky për të cilin flet Blushi nuk është një kompleks por një realitet i Shqipërisë që nga viti 1944 e këtej, me ndonjë përjashtim të vogël. Për shqiptarët e Veriut deri në vitin 1991 ka qenë praktikisht e ndaluar të vendoseshin me banim në kryeqytetin e vendit të tyre. Vetëm 900 familje nga Veriu (dhe këtu flas për familje të ngushta) janë vendosur me banim në Tiranë që nga viti 1944 dhe deri në vitin 1990. Në Tiranë mund të shikoje më shumë marksistë-leninistë afrikanë se shqiptarë nga Veriu, në atë kohë. Kjo në ndërkohë që në Tiranë u stimulua ardhja e popullsisë nga Jugu. Edhe investimet që janë bërë në Veri në gjysmë shekulli të sundimit komunist, janë bërë në interes të grupimit jugor që sundonte Shqipërinë komuniste, siç janë investimet në hidrocentralet në Lumin Drin dhe ato në miniera. Pakënaqësia e Veriut ka ardhur duke u shtuar se sot, Veriu ka ardhur brenda në Tiranë dhe rrethinat e saj, me lëvizjet e popullsisë pas vitit 1990, dhe kjo popullsi është e rrezikshme që të mos trajtohet në njëfarë mënyre për të zhdukur pakënaqësinë e saj. Elita politike me origjinë toske është akomoduar me mendësinë që të shfrytëzojë varfërinë e veriorëve në Veri dhe në Tiranë e Durrës, për të blerë me çmim të lirë votën e tyre në zgjedhje. Por në një Shqipëri të bashkuar, ku do të ekzistonte konkurenca e elitës politike gege të Kosovës, kjo gjë do të ishte e pamundur. Prandaj, nuk duket e besueshme që elita politike me origjinë toske ta dojë bashkimin me Kosovën, sa kohë që ka mendësinë e sotme të të bërit politikë. Por bashkimi krijon situatën që të ndryshojë mendësia e sotme e të bërit politikë në Shqipërinë e sotme. Këtë gjë do t? ua imponojnë vetë zgjedhësit politikanëve. Fermeri i Myzeqesë dhe hotelieri i Sarandës do ta pyesë politikanin socialist nga Tirana për tregun e Pejës dhe për agjencitë turistike në Podujevë, duke ia paraqitur problemet e tyre. Njëjtë do t? i flasin politikanit socialist nga Tirana dhe prodhuesi i birrës në Pejë, apo fermeri në Drenicë, të cilët do t? i paraqesin problemet që has tregtimi i produkteve të tyre në Vlorë apo në Gjirokastër. Dhe politikani nuk do t? i ikë dot çështjes duke thënë se do të bëj sa mundem, por mos harroni se jemi dy shtete në fund të fundit. Në Shqipërinë e bashkuar politikani i majtë tosk nga Tirana do të marrë vota në Kosovë, nëse e përdor pushtetin e tij në të mirë të integrimit ekonomik real mes pjesëve të shtetit të bashkuar. Blushi thotë në libër: ?Varfëria do ta bëjë Shqipërinë më nacionaliste?.(f. 65)

Por Blushi nuk e shpjegon se si do të ndodhë që varfëria, për të cilën e pohon se është shumë e madhe edhe në Kosovë, nuk do ta bëjë këtë edhe më nacionaliste, por do të veprojë në drejtim të kundërt, duke e bërë më pak nacionaliste.

Një nga gjërat më të çuditshme në librin e Blushit është se, ndërsa ai lodhet shumë për të treguar se përse Shqipëria nuk do të bashkohet me Kosovën, madje se mes Kosovës dhe Shqipërisë do të lindë një armiqësi (Blushi e fsheh këtë pas fjalës ?kompleks?), megjithatë thotë se në të ardhmen e kundërta do të ndodhë në Maqedoni mes shqiptarëve dhe maqedonasve sllavë. Blushi shkruan: ?Nëse sot martesat mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë të papërfillshme, nuk do të jetë kështu pas dhjetë ose njëzet vjetësh. Të dyja palët do të shtojnë kryqëzimet si të vetmen mundësi për të garantuar paqen në një shtet të përbashkët. Shartimi mes dy popujve që sot pengohet nga arsye kulturore dhe fetare, në krye të dy-tre dekadave do të jetë një normë shoqërore nga e cila do të përfitojnë të dyja palët, për ta kthyer Maqedoninë në shtetin më evropian të Ballkanit. Dhe Evropës do t? i pëlqente që konfliktet që nuk zgjidhen në rrugë, të zgjidhen në shtrat?. (f. 74)

Ben Blushi nuk e shpjegon se çfarë do të ndodhë në të ardhmen që do të bëhet e mundur të realizohet utopia erotike e kryerjes së një numri shumë të madh të martesave mes shqiptarëve dhe maqedonëve sllavë në Maqedoni. E keqja me Blushin është se ai nuk ndahet dot nga letërsia, pra nga fictioni, edhe atëherë kur supozohet të shkruajë si studiues, aq më tepër si futurolog, siç ndodh në këtë rast. Në fantazinë e Blushit, në Maqedoni, shqiptarët (djemtë dhe vajzat), si dhe maqedonët sllavë (djemtë dhe vajzat) do të martohen mes tyre për hir të? paqes. Njerëzit janë martuar për shumë arsye në botë, por martesat për hir të paqes janë me të vërtetë një shpikje blushiane. Sipas Blushit, konflikte, si ai i asaj familjes shqiptare në Shkup që u mësy nga të rinjtë sllavo-maqedonë, zgjidhen me martesa mes çikave të familjeve të dhunuara shqiptarë, dhe mësymësve sllavo-maqedonë.

Por Blushi edhe te vetë teza e tij për të ardhmen e Maqedonisë është kontradiktor. Blushi thotë në libër se: ?Në njëqind vitet e ardhshme Maqedonia do t? i ketë përmbushur të gjitha kriteret për t? u quajtur një shtet shqiptar. Ose të paktën gjysmë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë, që sot përbëjnë tridhjetë përqind të popullsisë, do t? i jenë afruar dhe ndoshta do t? i kenë kaluar maqedonasit, për shkak të lindshmërisë së lartë?.(f. 74)

Duket se Blushi harron pasojat demografike që ka thënë se në të ardhmen do të shtohen shumë martesat mes popullsisë shqiptare dhe asaj sllavo-maqedone, çka do të thotë se djem shqiptarë do të martohen me vasha sllavo-maqedone dhe vasha shqiptare me djem sllavo-maqedone. Në këto rrethana duhet të dominojë popullsia e përzier dhe jo shqiptarët. Pastaj lindshëmria te shqiptarët duhet të bjerë nëse shumë djem shqiptarë martohen me vasha sllavo-maqedone se këto do të kundërshtojnë që të lindin shumë fëmijë.

Blushi e di se në Maqedoni nuk ka për të ndodhur kurrë utopia seksuale që përshkruan ai, por megjithatë e ka thënë atë sa për t? u dukur interesant dhe për të kapërcyer çështjen e Maqedonisë, që atij nuk i intereson shumë, se në fakt i interesojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, për të cilat vë dhe një bast, kur thotë: ?Unë hyj te ata që mund të venë bast se bashkimi i Shqipërisë me Evropën do të ndodhë para bashkimit të Shqipërisë me Kosovën?.(f. 63)

Ironia është se më tutje në libër Blushi na tregon me hollësi se përse mund të ndodhë që Shqipëria të mos i bashkohet Europës (Bashkimit Europian), pasiqë ky BE mund të shpërbëhet para se të anëtarësohet Shqipëria në të. Blushi, duke u përpjekur për të gjetur sa më shumë argumente kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, thotë edhe se kundër këtij bashkimi punon edhe prirja ekzistuese irredentiste në vendet e BE. Blushi thotë: ?Nëse katalonasit dhe spanjollët do të jetojnë më vete, pse do të duhej që shqiptarët të jetojnë bashkë? Kësaj pyetjeje shqiptarët nuk do e kenë të lehtë t? i përgjigjen?. (f. 93)

Por ne shqiptarët e kemi shumë të lehtë t? i përgjigjemi pyetjes së Blushit. Katalonasit janë një komb i ndryshëm nga spanjollët, me një gjuhë të ndryshme, ndërsa shqiptarët janë një komb i ndarë në disa shtete. Përveç kësaj, ne shqiptarët, edhe të bashkuar do të jemi një shtet me një popullsi më të vogël se të Katalonjës. Aq shumë e urren Blushi bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, saqë e shikon Shqipërinë e së ardhmes edhe si gjysmë kineze, të populluar masivisht nga emigrantë kinezë, dhe me gjuhën kineze si gjuhë të dytë zyrtare në Shqipëri, por vetëm të bashkuar me Kosovën nuk e shikon dot. Shqipëria të bëhet kineze, të mbushet me emigrantë afrikanë, thotë Blushi, por vetëm me Kosovën të mos bashkohet. Blushi, kur flet për katastrofën demografike që do të pësojë Shqipëria në të ardhmen, me rënien e popullsisë për shkak të rënies së lindshmërisë, dhe largimit të shqiptarëve nga vendi, bën kinse harron se bashkimi me Kosovën është një zgjidhje për ta shmangur këtë katastrofë. Kosova është një vend i mbipopulluar për nga përmasat e territorit që ka dhe bashkimi do të bënte që lëvizja e popullsisë shqiptare nga Kosova këtej kufirit të sotëm, të kompensonte rënien demografike.
Blushi në libër thotë se duhet pranuar si normalitet që Shqipëria nesër të jetë e verdhë dhe e zezë, pra e mbushur me kinezë dhe afrikanë, por vetëm nacionalizmin shqiptar e shikon si një gjë anormale. Për Blushin nacionalizmi shqiptar ka të ardhme vetëm si një lëvizje politike që përdor demagogjinë duke manipuluar me problemet sociale. Blushit natyrisht që nuk i shkon mendja se nacionalizmi shqiptar ka alternativën për të gjitha këto probleme që përmend ai.

Më tutje, në libër, Blushi merret me çështjet religjioze. Këtu Blushi vetëm sa tregon mungesën e njohurive, duke nisur që nga përdorimi i termave. Blushi shkruan për Islamin në Shqipëri: ?Por vitet e fundit islami është kthyer në një gjendje më shumë se një fe. Ai është më i fortë se përpara njëqind vitesh, sepse është konvertuar në një reagim ndaj nevojës së shoqërisë për modernizim dhe evropianizim, prirje këto, të cilat, në thelb, synojnë direct deislamizimin e Shqipërisë. E di që shumëkush nuk do të binte dakord me këtë term. Shqipëria nuk është një vend islamik dhe nuk ka arsye të deislamizohet. Por kur flas për deislamizim nuk kam parasysh defetarizimin e vendit, por ndarjen nga një traditë e vjetër e raportit me punën, me familjen dhe me shtetin?.(f. 75)
Më vjen keq që t? ia them Blushit, por është një veçori e sharlatanëve që t? i përdornin termat e njohura, duke u dhënë një kuptim tjetër, ata vetë personalisht, dhe që është i ndryshëm nga kuptimi i njohur botërisht i këtyre termave.

Në atë kuptim që flet Blushi mund të përdoret termi ?deorientalizim?. Fjala ?deislamizim? do të thotë ndalim i Islamit në një vend. Gjithsesi, unë jam dakord me Blushin me ato që thotë për Islamin. Por kur është fjala për traditën e vjetër të raportit me punën, familjen dhe shtetin, në Shqipëri, të njëjtën përgjegjësi kanë si Islami, ashtu dhe Krishterimi Ortodoks, se të dy kanë qenë fe shtetërore në Perandorinë Otomane. Krishterimi Ortodoks bart të këqijat bizantine, të kohës kur kishte qenë religjion zyrtar i shtetit bizantin, dhe këto gjeneruan të shartuara me realitetin otoman që iu mbivendos atij bizantin. Prandaj edhe me Krishterimin Ortodoks lidhet një traditë e vjetër e raportit me punën, me familjen, me shtetin dhe Greqia, me dështimin e saj spektakolar si shtet dhe si shoqëri, është shembull për këtë gjë. Kur i krishteri ortodoks Ben Blushi hesht për të këqijat e Krishterimit Ortodoks, nga pikëpamja e traditës së keqe për të cilën flet ai, atëherë këtu kemi të bëjmë me një bizantinizëm të pastër.

Ben Blushi flet me të drejtë për ndikimin e Islamit shqiptar nga ai arab dhe turk, por bën kinse nuk shikon që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale së cilës i përket Blushi është greku Janullatos.
Blushi tregohet bizantin edhe kur ngre pyetjen se përse i duhet Kisha Europës. Blushi flet për Europën Perëndimore, por aspak nuk flet për Kishën në Greqi, ku ajo është shumë më problematike, pasiqë e ka mbërthyer shtetin dhe shoqërinë, si një oktapod në të gjitha aspektet. Blushi e përmend Greqinë në libër vetëm në dy raste. Herën e parë kur fajëson Gjermaninë për krizën ekonomike të Greqisë: ?Por sa herë që Gjermania ka dominuar Evropën, kontinenti ka vuajtur. Tipik është rasti i Greqisë. Nuk besoj se Greqia po vuan vetëm për shkak të pamundësisë për të larë borxhin e vet. Rreptësia me të cilën duhet të përballet ekonomia greke vjen nga nevoja e Gjermanisë për të vendosur ligjin e vet financiar dhe shumë shpejt edhe politik në Bashkimin Europian?.(f. 28)

Nuk besoj që Blushi të jetë aq injorant në çështjet e financës ndërkombëtare sa të mos e njohë të vërtetën që është krejt ndryshe nga ç? thotë ai. Kur Greqinë e pranuan në Eurozonë, pra euro u bë monedha e saj, qeveritarët grekë menduan se tani borxhi public grek nuk qe më problem i tyre, por i Bashkimit Europian, i Gjermanisë dhe vendeve të tjera të fuqishme ekonomike. Se një krizë financiare greke e shkaktuar nga marrja e borxheve nga Greqia, përtej mundësive të saj paguese, do të shkaktonte krizën e euros. Prandaj qeveritë greke morën borxhe shumë përtej aftësive të tyre paguese, dhe kur erdhi koha për të paguar iu drejtuan për ndihmë Bashkimit Europian. Bashkimi Europian, nga ana e tij, u detyrua që të bënte një plan shpëtimi financiar për Greqinë, por duke i kërkuar kësaj që të shkurtonte shpenzimet publike.

Kjo për faktin se Greqia nuk mund t? i lejonte më luksin vetes që të vazhdonte të jetonte duke bërë ato shpenzime që bënte për shtetin social, ushtrinë etj., në kohën kur merrte borxhe. Pyetja e thjeshtë ishte se kush do të vazhdonte të paguante për Greqinë, nëse ajo nuk do të ndërmerrte ato që u quajtën masa shtrënguese. Gjermania, që ishte vendi i cili do të mbante peshën kryesore financiare të zbatimit të planit të shpëtimit të Greqisë, kishte dhe arsye që të ngulmonte që Greqia të rregullonte llogaritë e saj. Kur Gjermania i kërkoi Greqisë që të ballafaqohej me realitetin ekonomik dhe ta pranonte atë, ky u quajt diktat gjerman nga bizantinët e bastarduar të shartuar me osmanë, që e quajnë veten grekë sot.

Gafat e Ben Blushit në libër janë të panumërta. Ai e nis librin duke na përshkruar se si do të jetë Shqipëria në vitin 2214, kur për shkak të ngrohjes globale, parashikon Blushi do të jetë përmbytur edhe një pjesë e madhe e zonave bregdetare të vendit. Blushi shkruan: ?Uji mund të kapërcejë shumicën e kodrave mahnitëse që ndajnë Tiranën nga Durrësi, duke krijuar liqene të vegjël, duke zgjeruar sipërfaqen e Adriatikut dhe zvogëluar tokën e gadishullit të Ballkanit?.(f. 2)

Me këtë Blushi tregon se nuk e njeh gjeografinë. Nëse uji i detit do të depërtojë kaq thellë në tokë, atëherë nuk do të krijohen liqene midis kodrave në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, por do të krijohen ishuj nga majat e kodrave. Por ironia është se Blushi harron se çfarë ka thënë në fillim të librit dhe më tutje thotë: ?Gjithë bregdeti i Durrësit deri në Golem mund të jetë një zonë e banuar, një lagje e Tiranës dhe jo më një zonë turistike?.(f. 107)
A nuk tha Blushi që Durrësi dhe Golemi do të jenë përmbytur? Duket se e ka harruar duke shkruar vazhdimin e librit. Titulli i librit të Blushit, ?Hëna e Shqipërisë? nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Islamin, por me besimin popullor për ndikimin e hënës në mendjen e njerëzve. Në besimet popullore ndikimi i hënës sjell çrregullime psikike te njerëzit. Blushi eviton fjalën ?çmenduri? dhe përdor fjalët ?qejfprishur?, ?humor?. Blushi shkruan: ?Njerëzit qejfprishur shqiptarët i quajnë njerëz me hënë. Latinët i quajnë lunatikë. Pra në përgjithësi popujt besojnë se hëna është shkak i ndryshimit të humorit të njerëzve. Dhe nëse do duhej t? i vija një emër humorit të Shqipërisë së sotme do të thosha se Shqipëria është me hënë, pra me humor të prishur?. (f. 139)
Shqipëria është lunatike na thotë Ben Blushi këtu. Dhe me këtë ka thënë mjaft për ata që e dinë kuptimin e fjalës ?lunatike?, të cilën Blushi në shqip e përkthen qëllimisht gabim si ?qejfprishur?, ose me humor ?të prishur?. Kur në fakt ?lunatik? do të thotë ?i çmendur?. Këtu nuk ka të bëjë vetëm gjysmëhëna islamike. Shqipëria ka qenë lunatike që më parë, ky është fatalitet. Dhe pasi Blushi e ka shpallur Shqipërinë lunatike, thotë se ajo do të zhduket. Kështu përfundon dhe libri. Shqipëria do të zhduket nga mungesa e lindjeve, e kombinuar me largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Blushi qartësisht nuk e duron dot ekzistencën e Shqipërisë. E vetmja brengë për Blushin është se ai nuk do të jetojë që ta shikojë zhdukjen e Shqipërisë./Kastriot Myftaraj





Lajmet e fundit nga