web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Xhani Infantino, drejtuesi i futbollit global që nuk njeh limite

28 Nëntor 2022, 09:44, Sport CNA

Xhani Infantino, drejtuesi i futbollit global që nuk njeh limite

Në ditët para fillimit të Kupës së Botës, moti në Katar ishte jashtëzakonisht i ngrohtë.

Por duke folur në prag të ndeshjes së parë para një audience në aeroportin e Dohas, Xhani Infantino, presidenti i organit qeverisës të futbollit botëror, FIFA, vendosi ta rrisë akoma më tej temperaturën.

“Sot unë ndihem si një shtetas nga Katari. Sot ndihem arab. Sot ndihem afrikan. Sot ndihem homoseksual. Sot ndihem një njeri me aftësi të kufizuara. Sot ndihem si një punëtor emigrant. Ndihem si ata sepse e di se çfarë do të thotë. . . të bullizohesh”.

Në këtë mënyrë Infantino nisi diatribën e tij 1-orëshe, përmes së cilës sulmoi kritikët e Katarit, e akuzoi Europën për hipokrizi, kritikoi shtypin dhe madje goditi industrinë e sondazheve për dështimin e saj për të vlerësuar drejt gjendjen shpirtërore të publikut.

Xhani Infantino, drejtuesi i futbollit global që nuk njeh limite

Mesazhi i tij kryesor për Perëndimin ishte: ky botëror nuk është për ju, është për të gjithë të tjerët. Disa e panë si një autokrat; të tjerët si një zëdhënës të ri të Hemisferës Jugore.

Të nesërmen Infantino u ul pranë Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman për të parë ndeshjen hapëse të turneut midis vendit pritës dhe Ekuadorit. Pasoi një përplasje mbi shiritin me ngjyrat e ylberit - 8 ekipe europiane kishin planifikuar që t’i mbanin ato për të promovuar gjithëpërfshirjen, në një vend ku homoseksualiteti është i paligjshëm.

FIFA i kërcënoi lojtarët me ndëshkim në fushë, dhe në fund europianët u tërhoqën. Infantino ka lindur në vitin 1970 në qytetin zviceran Brig në një familje të varfër emigrantësh italianë. Në shkollë ai luante futboll, por në moshën 10-vjeçare vendosi që talenti i tij qëndronte diku tjetër.

Ai filloi të organizonte turne mes fëmijëve nga vende të ndryshme. Kjo, thotë ai në një film të shkurtër dokumentar mbi të të prodhuar për Qatar Airways, i mësoi atij fuqinë që ka futbolli për të bashkuar njerëzit. Ai u diplomua si jurist, dhe u bë pjesë e nëpunësve civilë që Zvicra ka prodhuar prej kohësh për të mbushur korridoret e FIFA-s, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe organeve të tjera të mëdha sportive që e kanë selinë atje.

Iu bashkua UEFA-s, organit drejtues të futbollit europian, në vitin 2000, duke u bërë Sekretar i Përgjithshëm i saj në vitin 2009. Në vitin 2015, bota e futbollit u trondit nga një hetim i FBI-së, që çoi në padi penale ndaj disa drejtuesve të FIFA-s, dhe prokurorët amerikanë e akuzuan organizatën për korrupsion.

Sep Blater, presidenti jetëgjatë i FIFA-s (që është gjithashtu zviceran), do të jepte dorëheqjen më vonë. Pas rënies së Blater, bosi i UEFA-s, Mishel Platini ishte kandidati i Europës për ta zëvendësuar atë. Por më pas dolën zbulimet e pagesave mes 2 burrave (u liruan në korrik nga akuzat për mashtrim).

 

Xhani Infantino, drejtuesi i futbollit global që nuk njeh limite
Sep Blater

 

Duke kërkuar një alternativë më të respektueshme, vendimmarrësit e UEFA-s gjetën Infantinon. Pasi u zgjodh president i FIFA-s në vitin 2016, ai premtoi të godasë dukurinë e korrupsionit dhe të japë më shumë para për federatat anëtare. Në të dyja rastet, mund të pretendojë se ka pasur sukses.

Qeverisja e FIFA-s u rishikua, ashtu si edhe procesi i garimit për të organizuar botërorët e ardhshëm. Për shumë anëtarë më të vegjël, të cilët varen shumë nga paratë e FIFA-s, mandati i Infantinos ka qenë një ndihmë e madhe. Por kritikët thonë se sistemi i vjetër i patronazhit më shumë ka evoluar sesa është zhdukur.

“Ai është një njeri me shumë iniciativë. Shumë agresiv në nxitjen e ideve të reja. Por i mungojnë zërat kritikë. Mban rreth vetes njerëz që i janë besnikë”- thotë një ish-bashkëpunëtor. Botërori i Katarit ka qenë problematik për FIFA-n në lidhje me marrëdhëniet me publikun.

12 vitet që kur Doha siguroi të drejtën e organizimit të kampionatit, janë mbushur me pikëpyetje në lidhje me trajtimin e punëtorëve emigrantë, të drejtat e komunitetit LGBT+ dhe përpjekjet logjistike për të pritur ngjarjen më të madhe sportive në botë në një mbretëri të vogël të vendosur në shkretëtirë.

Vetë Blater e ka quajtur një “gabim” vendimin për të zgjedhur Katarin. Por ndërsa Katari ishte një trashëgimia që Infantino e mori nga lidershipi i mëparshëm, ai e ka përqafuar me entuziazëm mikpritësin e parë të turneut në Lindjen e Mesme. Madje, ai u zhvendos në Doha për periudha të gjata me gruan e tij libaneze Lena dhe 4 fëmijët e tyre.

Xhani Infantino, drejtuesi i futbollit global që nuk njeh limite

Mbrojtësit e tij theksojnë se Kupa e Botës është i vetmi burim i vërtetë i të ardhurave të FIFA-s, ndërsa angazhimi me regjimet jodemokratike është një pjesë e pashmangshme e sportit global. “Ka disa elementë të rolit të presidentit që e largojnë atë nga fusha e blertë”- thotë ish-trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, që sot mban postin e drejtorit të departamentit të zhvillimit të futbollit global në FIFA

“Por në thelb ai është një tifoz i vërtetë i futbollit”-shton Venger. Disa persona që kanë punuar me Infantinon e përshkruajnë si një personalitet shumë kërkues. Aty ku paraardhësi i tij përdorte stilin e vjetër, motoja e vetme e presidentit aktual është “punë dhe vetëm punë’.

Blater mbante një krevat në një dhomë ngjitur me zyrën e tij që të mund të flinte. Infantino e zëvendësoi atë me një pajisje palestre. Në vitin 2020, Blater e cilësoi pasardhësin e tij si një “megaloman” që synonte ta shndërronte futbollin në një “makineri të madhe të prodhimit të parave”.

“Sot ne duam një titull kryesor. Që të gjithë janë ose heronj ose zuzarë. Ndonjëherë realiteti është diku në mes”- thotë një ish-kolegu i tij. Pas përvojës së këtij botërori, sfida e radhës e Infantinos mund të jetë shqyrtimit i ofertës së Arabisë Saudite për të organizuar botërorin në vitin 2030.

Rregullat e reja të FIFA-s, kërkojnë që të përmbushen disa standarde në fushën e të drejtave të njeriut nga organizatorët e mundshëm. Disa federata evropiane kanë diskutuar madje ndalimin e mbështetjes për Infantinon kur ai të përballet me rizgjedhjen në fillim të vitit të ardhshëm. Por do të ketë pak ndryshime. Votat e Evropës Perëndimore janë shumë të pakta në numër për të pasur ndonjë efekt. Dhe përveç kësaj, Infantino do të garojë pa asnjë kundërshtar përballë.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga