web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

1 Janari, data e fillimeve, reformave dhe vendimeve të mëdha

1 Janar 2026, 22:30, Kuriozitete CNA

1 Janari, data e fillimeve, reformave dhe vendimeve të mëdha

Data 1 janar njihet globalisht si dita e parë e vitit të ri, por përtej simbolikës së fillimeve dhe shpresës, ajo mban një peshë të veçantë historike. Në periudha të ndryshme kohore, kjo datë ka qenë skenë e vendimeve, reformave dhe ngjarjeve që kanë ndikuar thellësisht në zhvillimin politik, shoqëror dhe ekonomik të botës.

Përtej festimeve dhe simbolikës së Vitit të Ri, 1 janari ka qenë në shumë raste një datë vendimtare në historinë botërore. Gjatë shekujve, kjo ditë është zgjedhur për hyrjen në fuqi të ligjeve, reformave dhe ndryshimeve që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e miliona njerëzve.

Që në lashtësi, kjo datë u lidh me rendin dhe organizimin e kohës. Në 45 para erës sonë, reforma e Kalendarit Julian nga Jul Cezari e vendosi 1 janarin si fillimin e vitit, një standard që u përhap gradualisht në botën perëndimore. Ndërkohë, në vitin 404, Roma i dha fund përfundimisht lojërave gladiatoriale, duke reflektuar ndryshimet morale dhe ndikimin në rritje të krishterimit.

Në mesjetë dhe në fillimet e epokës moderne, 1 janari u shndërrua në një datë simbolike për tranzicione politike. Në 1502, Portugalia dëboi zyrtarisht myslimanët nga territori i saj, një akt që shënoi përfundimin e një epoke shumëkulturore në Gadishullin Iberik. Ndërsa në 1651, Karli II u kurorëzua Mbret i Skocisë, në një periudhë tensionesh të forta politike në Britani.

Revolucionet dhe reformat shoqërore shënuan fuqishëm shekujt XVIII dhe XIX. Në 1804, Haiti shpalli pavarësinë nga Franca, duke u bërë republika e parë e drejtuar nga ish-skllevë dhe simbol i luftës kundër kolonializmit.

1 Janar 1863 Abraham Lincoln nënshkruan Deklaratën e Emancipimit.

Në 1863, përveç Shpalljes së Emancipimit në SHBA, 1 janari shënoi edhe fillimin e një epoke të re për të drejtat civile dhe barazinë racore.

Në përpjekje për të bashkuar një komb të zhytur në një luftë civile të përgjakshme, presidenti amerikan Abraham Lincoln merr një vendim të llogaritur me kujdes, lidhur me institucionin e skllavërisë në vend. Deri në fundin e vitit 1862, situata nuk dukej e mirë për Unionin.

Ushtria e Konfederatës së Jugut kishte mposhtur trupat e Unionit në disa beteja të rëndësishme.

Lincoln shpresonte se deklarimi i një politike kombëtare të emancipimit, do të nxiste skllevërit e jugut t’i bashkoheshin ushtrisë së Unionit, duke e zvogëluar fuqinë punëtore të Konfederatës, tek e cila vareshin shtetet jugore në luftën kundër Veriut.

Ndonëse skllevërit në jug nuk arritën të rebeloheshin masivisht pas nënshkrimin të deklaratës emancipimit, ata filluan të çliroheshin gradualisht teksa ushtritë e Unionit marshonin në territorin e Konfederatës. Në fund të luftës, skllevërit i braktisën zotërinjtë e tyre të mëparshëm. Ata luftuan dhe kultivuan të mbjella për të ushqyer ushtrinë e Unionit, si dhe kryen punë të tjera ndihmëse në rradhët e ushtrisë.

Shekulli XX e ktheu 1 janarin në një datë kyçe për organizimin ndërkombëtar dhe reformat sociale.

Në 1912, Republika e Kinës u shpall zyrtarisht pas rënies së dinastisë Qing. Në 1939, Gjermania naziste miratoi ligje të reja diskriminuese ndaj hebrenjve, duke sinjalizuar përshkallëzimin e persekutimeve që do të kulmonin me Holokaustin.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kjo datë u përdor shpesh për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në 1945, nisi funksionimi i OKB-së, ndërsa në 1958, u themelua Komuniteti Ekonomik Europian, duke hedhur themelet e Bashkimit Europian. Një vit më vonë, në 1959, revolucioni kuban solli Fidel Castron në pushtet, duke ndryshuar balancat politike në Amerikën Latine.

Edhe në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI, 1 janari mbeti datë reformash të mëdha. Në 1993, Çekosllovakia u nda paqësisht në dy shtete të pavarura: Çekinë dhe Sllovakinë.

Në 2002, euro hyri fizikisht në qarkullim në 12 vende europiane, duke zëvendësuar monedhat kombëtare dhe duke shënuar një nga ndryshimet më të mëdha ekonomike në kontinent.

Lindje personalitetesh

Në vitin 1424 u lind princi gjerman Ludwig IV

Në 1430-ën lindi Papa Alexander VI.

Në vitin 1449 lindi Lorenzo de Medici, politikan italian i qytetit të Firenzes

Në vitin 1502 lindi  Gregor XIII., Papë dhe iniciator i kalendarit Gregorian

Ndarje nga jeta

Në vitin 1515 u nda nga jeta mbreti francez Luigji XII

Në vitin 2003 u nda nga jeta Qerim Haxhiu aktivist i shquar për çështjen kombëtare shqiptare

Në vitin 2015 Omar Karami, avokat dhe politikan libanez, kryeministri i 58-të i Libani./CNA





Lajmet e fundit nga